(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Avokat, botues, publicist, i vëllai i Arshi Pipës [shih]. Lindi në vitin 1914, në Brussa të Turqisë, në një familje me origjinë libohovite. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin «Illyricum» në Shkodër, kurse të lartat për Jurisprudencë në Padova të Italisë. Ende student, më 1940 u arrestua nga autoritetet fashiste italiane për shkak të protestave kundër pushtimit të vendit, dhe u internua në Ventotene, por u lejua që të jepte provimet. Pas diplomimit, u kthye në Shqipëri, dhe për pak kohë punoi si gjyqtar, punë nga e cila hoqi dorë shpejt, duke marrë në dorë zyrën avokatore të të atit. Në dhjetor 1943, botoi revistën «Fryma», bashkë me të vëllanë, Arshiun [shih], Qemal Draçinin [shih] etj., pranë zyrës së tij legale në Parrucë të Shkodrës. Në vitin 1944 botoi revistën «Kritika», të cilën e drejtoi i vëllai, Arshiu. Në vitet 1945- 1946 mbrojti si avokat disa nga figurat e njohura antikomuniste në gjyqet e para politike, si në Gjyqin Special (1945) dhe gjyqin e organizatës «Bashkimi Shqiptar», gjyqi kundër të cilëve u hap më 28 janar të vitit 1946, në kinemanë «Rozafat» në Shkodër. Por shumë shpejt, trupi gjykues e përjashtoi si përfaqësues të mbrojtjes, sepse, sipas tyre, «ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar», duke emëruar në vend të tij Ranko Çerankoviqin. U arrestua në shtator 1946 si ndihmës organizator i kryengritjes së Postribës, dhe u torturua me hekur të skuqur me porosi të Koçi Xoxes. Në hetuesi, në shtëpinë e Pjetër Çurçisë në Shkodër, ngaqë nuk po u përgjigjej pyetjeve që i bënin, u qëllua me revolver në gojë nga hetuesi Elez Mesi, me gjasë më 3 tetor të vitit 1946. Më 27 qershor 2008 iu dha dhe titulli «Qytetar Nderi» i qytetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhërin «Nderi i Kombit» (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës. Ahmet Bushati, Myzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi e vdiq, në «Fryma e Re», nr. 1, maj 1993, Tiranë; Uran Kalakulla, Referat i mbajtur në Universitetin «Luigj Gurakuqi» në Shkodër, më 16 nëntor 1992; H. Bushati, Shkodra dhe motet, Shkodër 1999; AMB, Dosja 1068; Fritz Radovani, Një monument nën dhé, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2004; Obopus Bfiend (Bfiend operations), vol. 21, «Security information», Washington D. C., 10 April 1952, CIA, Un. Wiscounsin, Maryland 2007, f. 3; Leka Ndoja [përgatiti:], «Akte gjyqësore politike», 3, «Gjyqi i Grupit të Deputetëve (II)», ISKK, Tiranë 2016, f. 66; Uran Kalakulla, Homazh për Muzafer Pipën, në Për bashkëvuajtësit e mi në Komunizëm, «Princi», Tiranë 2011, f. 11-15; AISKK, F. 1, V. 2017, D. 82, fl. 74-75.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit