(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Meshtar katolik, Martir i Kishës, i Lumë. Lindi në Shkodër, më 21 janar të vitit 1891. Studioi për Filozofi në Seminarin Papnor të Shkodrës dhe Teologji në Kolegjin Canisianum të Jezuitëve, në Insbruk të Austrisë. U shugurua meshtar në Primiz (Austri) më 3 gusht 1919. Prej marsit të vitit 1920 qe famullitar i Gimajve të Shalës, pastaj i Pogut, i Prekalit, i Kirit, i Shirokës dhe, prej vitit 1947, i Rrencit të Gurit të Zi. U arrestua dy herë, në vitin 1945 në Shirokë dhe u lirua disa muaj më pas. U arrestua përfundimisht në Rrenc të Gurit të Zi në shtator-tetor të vitit 1947 dhe u burgos në Shkodër. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë) gjatë torturave, përpara se të dilte në gjyq, më 30 prill 1948. Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit». http://www.kishakatolikeshkoder.com/ martiret-e-komunizmit/; «Fjala e Paqes», Lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër-Pult, nr. 6 (131), viti XVIII, tetor-nëntor 2016, f. 2-10.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit