ÇAKO Ethem
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi më 1 mars të vitit 1908, në fshatin Progonat të Kurveleshit. Në moshën njëzet vjeçare u gradua rreshter i xhanadarmërisë mbretërore. Në nëntor të vitit 1942 u fut në radhët e Ballit Kombëtar. Në mars të vitit pasues u emërua anëtar i nënkomitetit të Ballit Kombëtar për Delvinën e, në fund, anëtar i komitetit rajonal të Ballit për Gjirokastrën. Shërbeu si komandant i policisë së Delvinës nga janari deri më 5 korrik të vitit 1944, ku u arrestua nga gjermanët, sepse liroi të burgosurit që kishte në ngarkim. U internua në Gjermani. Pas kapitullimit të Gjermanisë, në korrik të vitit 1945 kaloi në Itali. Me riorganizimin e Ballit Kombëtar (tetor 1945), u zgjodh anëtar kandidat i Komitetit Qëndror të tij. Natën e 8 korrikut 1949, skuadra e drejtuar prej tij, dhe e përbërë nga Kasem Zhupa [shih], Zyber Lika [shih] dhe Llukman Lutfiu [shih], u parashutua në zonën e Kurveleshit, midis fshatrave Progonat dhe Lekdush. Të nesërmen në mesditë ranë në përpjekje me forcat e Sigurimit. Zyber Lika u vra gjatë përpjekjes, kurse Ethem Çakoja, Llukman Lutfiu dhe Kasem Zhupa u arrestuan. Më 24 maj të vitit 1950, në sallën e kinema «17 Nëntorit», Gjykata e Lartë Ushtarake hapi seancën e parë publike të procesit kundër anëtarëve të këtij grupi. Ethem Çakoja u akuzua: «për krime të shumta lufte…, në cilësinë e drejtuesit të formacioneve … të Ballit Kombëtar…; për pjesëmarrje në organizata antikombëtare, të krijuara jashtë…; për vënien në shërbim të spiunazhit të huaj…; për drejtim të bandës së armatosur të parashutuar mbi territorin shqiptar…» etj. Më 5 qershor të po atij viti, në pretencën e tij, prokurori ushtarak, kolonel Siri Çarçani, kërkoi «një dënim të vetëm për të tre: dënim me vdekje me pushkatim». Një ditë më vonë, Gjykata e Lartë Ushtarake miratoi «njëzëri pretencën e Prokurorit të Ushtrisë Popullore», dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, me humbjen e përhershme të të drejtave civile dhe me konfiskim të pasurisë. Më vonë dënimi iu kthye në 25 vjet heqje lirie. Il processo di Tirana, “Edizioni di Cultura Sociale”, Roma, 1950.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]