ÇOKU Bedri
(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi më 16 janar të vitit 1949, në Lushnjë. Më 27 gusht 1969, Gjykata e Gjirokastrës e dënoi me 7 vjet heqje lirie për «agjitacion e propagandë». Së bashku me vëllezërit e tij, Esatin [shih] dhe Çaushin [shih], si dhe me babanë e tyre, Azem Çokun [shih], kanë bërë gati një shekull burg, në Burrel e Spaç, në Qafë- Bari e nëpër kampet të ndryshme të punës të shpërndara nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë. Në vitin 1973, gjatë revoltës së të burgosurve të Spaçit, ngriti flamurin kombëtar pa yllin komunist. U ridënua më 30 qershor 1973 nga Gjykata e Mirditës për «sabotim» dhe «agjitacion e propagandë» me 23 vjet të tjera, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Vazhdoi kalvarin e vuajtjeve deri në ditët e fundit të regjimit. Mbas rënies së diktaturës, kreu Fakultetin Juridik. Vepra: «Dy vëllezër në një prangë» (poezi dhe tregime, bashkë me Çaush Çokun; Tiranë, 1995); «Burri që qan» (novela, tregime dhe ese; Tiranë, 2009). Agim Musta, Visar Zhiti, Enver Lepenica, Tanush Mulleti, Antologjia e plagëve nën terrorin komunist, Tiranë, 2004, f. 115; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 254.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit