ÇOBA Ejëll
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Një nga djemtë e regjentit të Shqipërisë, Gjon Çobës, veprimtar politik, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ndihmësministër. Lindi 12 mars të vitit 1908, në Shkodër. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes e më pas, për 13 vite me rradhë, studijoi në Itali, studime të cilat i përmbylli me gradën Doktor në Jurisprudencë në Universitetin «La Sapienza» të Romës, më 1932. U kthye në vendlindje, ku ndoqi karrierën profesionale e politike. Mes viteve 1935-1944 mbajti poste e detyra të rëndësishme politike e shoqërore: avokat, gjyqtar, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe ndihmësministër. Në krye të dy viteve arrati, u arrestua më 2 nëntor të vitit 1946. Pas katër muajsh tortura nga më çnjerëzoret, më 20 maj 1947 Gjykata Ushtarake e Garnizonit Tiranë, e formuar prej major Gjon Banushit (kryetar), nëntoger Vasil Karajanit dhe aspirant Xhevdet Fishkut (anëtarë) dhe me praninë e prokurorit kapiten Petrit Hakani, filloi procesin gjyqësor kundër tij. Tetë ditë më vonë, më 28 maj të po atij viti, u shpall fajtor për disa akuza dhe, në bazë të nenit 16 të ligjit nr. 372, datë 12. 12. 1946 dhe nenit 15 të ligjit nr. 373, datë 12. 12. 1946, u dënua me vdekje. Më 16 qershor 1947, ky vendim iu përcoll për gjykim përfundimtar Gjykatës së Lartë Ushtarake, e cila vendosi kthimin e dënimit nga me vdekje në burgim të përjetshëm. Dënimin e vuajti në disa burgje të vendit, si në atë të Bedenit në Kavajë, Orman-Pojanit në Korçë, në burgun e Tiranës, si dhe në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua më 8 prill 1970 «për plotësim afati». Pas daljes nga burgu, mes viteve 1973-1978, shkroi librin me kujtime «Jetë e humbun». Vdiq në vitin 1979. Ejëll Çoba, Jetë e humbun, Tiranë, 2010.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]