ÇUNI Dom Pjetër
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. Lindi në Shkodër, më 9 korrik të vitit 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide në Romë. U shugurua meshtar më 23 mars 1940 në Bazilikën e Shën Pjetrit. Pasi u kthye në Shqipëri, shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç, Lohe (Shkrel) e Rrjoll. Dha një ndihmesë të vyer për revistën dioqezane «Kumbona e së Djeles». U arrestua pa motiv në Rrjoll më 27 korrik 1948, prej nga u dërgua i lidhur në Koplik. Këtu, së bashku me Dom Lekë (Aleksandër) Sirdanin [shih], i lidhën dhe i hipën mbi gomerë. I shëtitën kështu nëpër të gjithë qytetin, ndërsa i fyenin dhe akuzonin pareshtur. Në fund, më 26 dhjetor 1948, i hodhën të dy në një gropë septike dhe aty i mbytën duke i shtyrë me cfurk.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]