ÇUNI Mark
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Seminarist, themelues i organizatës «Bashkimi Shqiptar». Lindi në fshatin Rranxë të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator të vitit 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e lindjes, përfundoi shkollën e mesme në Shkodër dhe, tetëmbëdhjetëvjeçar, filloi studimet në Seminarin Papnor të qytetit. Që në moshë të re botoi në revistat «Kumbona e së Djelës» dhe «Aurora Consurgens» shumë artikuj, poezi e përkthime. Luajti në dramën «Flije Atdheut», vepër me temë nga Lufta e Spanjës. Qe themelues i organizatës politike «Bashkimi Shqiptar» brenda seminarit. Kur organizata u zbulua, mbrëmjen e 7 dhjetorit 1945 Sigurimi arrestoi Mark Çunin, kurse më 31 dhjetor Atë Giovani Faustin [shih] dhe Atë Daniel Dajanin [shih], si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Në gjyqin që filloi më 31 janar të vitit 1946, ai mori mbi vete të gjithë përgjegjësinë për organizimin e «Bashkimit Shqiptar», duke shfajësuar kësisoj At Faustin dhe At Dajanin. Më 22 shkurt të të njëjtit vit, Gjykata e Qarkut të Shkodrës urdhëroi dënimin e tij me vdekje-me pushkatim, bashkë me pesë të arrestuar të tjerë: At Faustin, At Dajanin, At Gjon Shllakun [shih], Qerim Sadik Myftarin [shih] dhe Gjelosh Lulash Bajraktarin [shih]. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë Enver Hoxha. U ekzekutuan më 4 mars 1946, në varrezën e Rrmajit në Shkodër. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, I, III, 4, f. 46; VI, f. 62-63; Shënime të Atit Luigi Rosa, S. J., në «Nji Seminar Papnor në vorbull të përndjekjes komuniste: Shkodër 1945-1946», Shkodër, 2008, f. 77.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]