Fjalori i insekteve

Fjalori i insekteve
Insekt (Kandërr)
Fjala insekt vjen nga fjala latine insectum fjalë e huazuar nga greqishtja έντομο (endomo) që do të thotë i ndarë në pjesë. (in + sectum, εν + τομή) Νumri i llojeve të insekteve është mbi 7 milionë dhe përfaqësojnë mbi 90% të formave të jetesës në tokë. Këtu kemi një fjalor të kandrrave më të njohura.

Lista e insekteve sipas radhës:

 

ANTENAGJATË
Kandërr me trup të vogël, me brirthët të gjatë e me krahët si me gjemb në majë, që dëmton bimët. Antenagjati i jonxhës. Antenagjati i fikut.

ARËZ
Kandërr e vogël sa bleta, po me trup më të hollë, me ngjyrë të verdhë e me vija të zeza, me thumb helmues; grerëz. Pole (çerdhe) arëzash. Bukë arëzash fole grerëzash si hoje blete.

AKREP UJI
Insekt dëmtues, që rron nëpër orizoret dhe që bren rrënjët e orizit.

BARKARTË
Kandërr dëmtuese e bimëve, që e ka barkun të mbuluar me push të verdhë si të praruar. Vemje barkartash.

BLETËNGRËNËS
Që ha bletët. Kandërr bletëngrënëse.

BREJTËS
Që ha duke brejtur, që e bren ushqimin; që bën pjesë në rendin e brejtësve. Kandërr brejtëse.

BRUMBULL
1. Kandërr me ngjyrë të zezë a të murrme etj., me krahë të fortë e me brirthë të gjatë, që rron nëpër drurë, në pleh etj. Brumbull i vogël. Brumbulli i zi. Brumbulli i murrmë. Brumbulli i gjelbër. Brumbulli i butë. Brumbulli i egër. Brumbull maji. Brumbulli i miellit.
2. Mashkulli i bletës.

BUBURREC
Kandërr me krahë të fortë e me brirthë të gjatë, zakonisht me ngjyrë të zezë a të errët të ndritshme, që rron në plehra, në mure etj.; emër i përgjithshëm për disa kandrra të vogla pa krahë dhe që dëmtojnë bimët.

BULKTH
Kandërr si karkalec i vogël, me krahë të errët, që rron zakonisht në vrimat e dheut a të mureve të vjetra dhe që natën nxjerr një zë si të gjinkallës.

BUBË
1. Vemje e rritur, para se të shndërrohet në flutur ose në krimb, zakonisht e mbuluar me push, krimbalesh, krimb mëndafshi.
2. Rre, glistër. Bar bubash. Ka buba. Ngjyrë bube ngjyrë e verdheme.
3. Morr i vogël.

BARKKUQ
Që e ka barkun të kuq (për qeniet). Krimb barkkuq.

BIRUES
Që bën vrima; që shërben për të hapur vrima. Krimb birues. Kunj birues.

BUBULESH
Që ka lesh të dendur, me shumë lesh, leshtor; që ka push të dendur, pushatak. Krimb bubulesh.

BURBULEC
Krimb që rritet nën lëkurën e disa kafshëve ose në ujë të ndenjur.

BRESHKËZ
Insekt i ngjashëm me morrin, me ngjyra të ndryshme, i mbuluar me një guaskë të hollë, të dylltë e pulla-pulla si guaska e breshkës, që ngjitet zakonisht në gjethe, në degë a nëpër fruta dhe ushqehet me lëngjet e tyre. Breshkëza e butë. Breshkëza dyllore. Breshkëza e bardhë. Breshkëza e kuqe (breshkëza e agrumeve). Breshkëza e zezë. Breshkëza e fikut. Breshkëza e ullirit.

CIGARTOR
Kandërr e vogël me krahë të gjelbër ose të kaltër e me shkëlqim metalik, që del në pranverë, bren sythat e hardhisë e të pemëve të tjera dhe mbështillet si cigare me gjethen e tyre.

ÇIMKË
Kandërr e vogël me trup të rrumbullakët të shtypur, me ngjyrë të kuqe të errët e me një erë të keqe, që jeton si parazit nëpër plasat e dhomave e të orendive shtëpiake dhe që u thith njerëzve gjakun kur flenë; tartabiqe.

DËMTUES
Kandërr, shpend etj. që dëmton bimët a kafshët.

DIMËRUES
Që kalon dimrin; që përballon të ftohtët e dimrit, që i qëndron kohës së keqe të dimrit. Kandërr dimëruese.

DOSËZ
Kandërr e ngjashme me bulkthin, me trup të gjatë deri pesë centimetra e të mbuluar me push të imët, me brirthë të trashë dhe me thonj të fuqishëm, e cila rri zakonisht brenda në tokë e dëmton rrënjët e bimëve bujqësore; arrç, bushtërz, këlysh dheu.

DRITHËNGRËNËS
Që i ha ose i dëmton drithërat (për kandrra). Kandërr drithëngrënëse.

DRUNGRËNËS
Që ha drurin e pemëve dhe e bën vrima-vrima, që bren drurët. Kandërr a vemje drungrënëse.

FEÇKOR
Kandërr me kokë të zgjatur si feçkë, që bren sythet e bimëve a të pemëve ose shpon frytet e tyre e i bën vrima-vrima. Feçkori i mollës. Feçkori i lajthisë. Feçkori i luleshtrydhes.

FILOKSERË
Kandërr e vogël parazite, e ngjashme me morrin e bimëve, e cila dëmton rëndë sidomos hardhitë. Filoksera e hardhisë. Filoksera e gjetheve (e rrënjëve).

FLUTURAK
Që fluturon, fluturues (për zogj e kandrra). Mizë fluturake. kandërr që fluturon.

FLUTUR
1. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Flutur shumëngjyrëshe. Flutur bishtartë. Flutur mashkull (femër). Flutura e bardhë e pemëve. Flutura e verdhë e jonxhës. Flutur nate. Flutura e mëndafshit. Flutura e lakrës. Flutura e duhanit. Flutura e misrit. Flutura e orizit. Flutura e hambarëve. Flutura e gjembave.
2. Krimb i shtypur si gjethe e vogël që rron në gypat e mëlçisë së zezë zakonisht te dhentë dhe shkakton sëmundjen e këlbazës. Flutura e këlbazës.

GËRTHAP
Kandërr me dy grepa të fortë si brirë përpara e me dy palë krahë, që rri nëpër zgërbonja drurësh.

GRERËZ
Kandërr si bleta, po me trap më të vogël e më të hollë, në ngjyrë të verdhë e me vija të zeza, që ka një thumb helmues; arëz. Grerëza e kumbullës (e dardhës, e mollës). Fole grerëzash. Thumbi i grerëzës. E thumboi (e pickoi) grerëza.

GALABUN
Krimb mëndafshi që nis të bëjë fshikëzën, por nuk arrin ta mbarojë.

GLISTËR
1. Krimb unazor në ngjyrë të mishit që rron në vende me lagështirë, në pleh etj. dhe që zakonisht del pas shiut, krimbi i tokës, krimb shiu; karrem.
2. Parazit që jeton në zorrët e njeriut a të kafshëve, rre. Glistrat e zorrëve.

GUCIMACË
1. Krimb që e ka trupin të mbuluar me qime të shkurtra e të rralla, në ngjyrë të gjelbër me pika të zeza e me dy vija të verdha për së gjati, që ha e dëmton sidomos gjethet e lakrave.
2. Vemje, dhemizë.

GYPOR
Që ka trajtën e një gypi; që ka të bëjë me gypin, që i përket gypit, i gypit. Krimb gypor.

GËRSHËRËZ
Insekt i vogël, me trup të hollë e të gjatë në ngjyrë kafe të errët, me bishtin bigë e me dy brirthë në kokë, që ushqehet me pemë e sidomos me rrush.

GJAKPIRËS
Kafshë a kandërr që ushqehet duke thithur gjak.

GJASHTËKËMBËSH
Kandërr me gjashtë këmbë ose me tre çifte këmbësh.

GJINATORE
Kandërr e ngjashme me arëzën, me ngjyrë të verdhë, me këmbë të gjata, e cila mbledh deltinën në lëmshe të vegjël.

GJINKALLË
Kandërr me ngjyrë të murrme, me kokë të gjerë e të shtypur, me sy të dalë e me krahë të mëdhenj e të tejdukshëm, që lëshon në vapë një zë të zgjatur e gumëzhitës; cinxër.

GJELAMAN
Flutur me trup në ngjyrë të gjelbër të errët e me vija të verdha, me krahë të mëdhenj e të zgjatur si bisht dallëndysheje, që dëmton gjethet e pemëve frutore.

GJETHENGRËNËS
Që ha gjethet, që ushqehet me gjethet e bimëve. Krimb (brumbull) gjethengrënës. Vemje gjethengrënëse.

HARRJE
Kandërr shumë e vogël, me krahë të bardhë e të tejdukshëm, që del zakonisht në kohë të vapës, fluturon tufa-tufa duke lëshuar një zë të hollë, që hyn në sy a në vesh ose të pickon lëkurën.

HUNDËGJATË
Kandërr brejtëse si buburrec, me turi të gjatë, që është në disa lloje dhe që dëmton bimë të ndryshme. Hundëgjati i panxharit. Hundëgjati i hardhisë. Hundëgjati i lakrës. Hundëgjati i jonxhës. Hundëgjati i pemëve. Hundëgjati i ullirit. Hundëgjati i grurit. Hundëgjati i lëvores.

HELMËT
Që ka helm, që përmban lëndë helmuese; helmues. Flutur e helmët

 

INSEKT
Kandërr. Insekt i dobishëm (i dëmshëm, dëmprurës). Insekt brejtës. Insekte helmuese. Insekte uji. Vezë (larva) insektesh.

KARKALEC
Kandërr me trup të madh e me krahë zakonisht në ngjyrë si të gjelbër, me këmbë të gjata, që kërcen me shkathtësi e fluturon larg dhe që dëmton rëndë të lashtat. Karkalec i gjelbër. Karkalec i murrmë.

KATRAVESH
Kandërr e madhe fluturake, në ngjyrë të zezë, që ka katër antena të forta si brirë e që e bën folenë nëpër trungjet e kalbura ose në zgavra të drurëve. Brirët e katraveshit.

KRI
Kandërr e vogël dhe e zezë që bren drurin e orenditë, krimbi i drurit. I ka hyrë kria (drurit).

KOSHËZ
Krimb i trashë, i cili u del gjatë dimrit nën lëkurë bagëtive të dobëta, sidomos lopëve e dhive.

KRIMB
1. Kafshë e vogël pa skelet, me trup të zgjatur, të rrumbullakët, unazor e të butë, pa këmbë, që zvarritet me gjithë trupin e tij dhe që rron në tokë, në pleh, nën gurë etj. Krimb i vogël (i hollë). Krimbi i dheut (i tokës). Krimb shiu. Zë peshk me krimba. Zogjtë hanë krimba.
2. Larvë e disa insekteve, në trajtën e kësaj kafshe, që zhvillohet e dëmton bimët bujqësore; mizë. Krimbi i ullirit. Krimbi i mollës. Krimbi i pjeshkës. Krimbi i rrushit. Krimbi i misrit. Krimbi i kallirit (të grurit). Krimbi i pambukut (i boçeve të pambukut). Krimbi i duhanit. Krimbi i drurit kërrmia.
3. Parazit që jeton e zhvillohet në zorrët e fëmijëve ose në trupin e njeriut a të kafshës; rre, bubë. Krimbi i shtypur shiriti i derrit. Krimbat e zorrëve. Ka (nxjerr) krimba. Pi bar për krimba. Krimbat e rrumbullakët parazitë me trup të zgjatur e të rrumbullakët, të mbuluar
me një lëkurë të fortë, të lëmuar e të pandarë në unaza.

KRIMBALESH
1. Krimb i vogël, i mbuluar me një push të hollë si lesh, që dëmton gjethet e pemëve; vemje.
2. Larva e disa insekteve.

KRIMBET
Mbushet me krimba, zë krimba.

KËPUSHË
Parazit i vogël, në trajtën e një merimange e me katër palë këmbë, që u ngjitet në lëkurë bagëtive, qenve etj., u thith gjakun dhe u shkakton sëmundje ngjitëse; rriqër. Këpusha e zgjebes parazit shumë i vogël që shkakton sëmundjen e zgjebes. Këpusha e hardhisë parazit shumë i vogël me ngjyrë të verdhë të errët e me dy njolla të kuqe në pjesën e përparme të anës shpinore, që dëmton gjethet e hardhisë

KALANDËR
Insekt me ngjyrë të ndritshme, që shumëzohet shpejt dhe dëmton drithërat (grurin, orizin etj.). Kalandra e grurit. Kalandra e orizit.

LËVOREBREJTËS
Që bren lëvoren e drurëve ose të pemëve. Krimba lëvorebrejtës. Kandërr lëvorebrejtëse. Kandërr a krimb që bren lëvoren e drurëve.

LËVRIZË
Krimb i gjatë me trup të shtypur, që jeton si parazit në zorrët e njerëzve; shirit.

LLALLË
Flutur, më e madhe se miza e zakonshme, e cila i bën vezët në zgjuan e bletëve dhe i detyron këto të largohen prej këtej. Llalla i prish bletët.

MILINGONË
Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë, që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël. Fole milingonash. E vogël sa një milingonë. Punon si milingonë. Lëvrijnë si milingonat.

MIZË
1. Kandërr fluturuese me një palë krahë të zhvilluar mirë dhe një palë të tjerë më të vegjël, që ka një thimth për të thithur ushqimin ose për të pickuar dhe që njihet si bartëse e sëmundjeve ngjitëse; emër i përgjithshëm për disa lloje kandrrash të tilla, me krahë ose pa krahë. Miza e bukur bleta. Miza e bardhë. Miza e verdhë. Miza e zezë. Mizë mjalti (blete) bleta. Mizë kali mizë në ngjyrë kafe, pak më e madhe se ajo e zakonshmja, që u qepet zakonisht kafshëve të barrës. Mizë lisi. Mizë pashke mollëkuqja. Miza e shtëpisë. Miza e mishit.
Miza e mushtit (e uthullës). Mizë fluturake. Mizë përdhese (mizë dheu, mizë toke) milingonë, thnegël. Miza cece. Miza e verës. Larva mizash.
2. Kandërr parazite në trajta të ndryshme e me ngjyra të shumëllojshme, që zhvillohet në trupin e disa bimëve bujqësore, të pemëve etj. dhe i dëmton ose u shkakton sëmundje të ndryshme; krimb. Miza e drithërave. Miza e duhanit. Miza e farave. Miza e fasules. Miza e grurit. Miza e pambukut. Miza e panxharit. Miza e thjerrëzës. Miza e lakrës. Miza e qepës. Miza e mollës. Miza e agrumeve. Miza e qershisë (e vishnjës). Miza e ullirit.

MOLË
Kandërr me dy palë krahë, që gjatë jetës së saj zhvillohet nga veza në larvë, në krimb e më pas në flutur, e cila bren sendet e leshta, gëzofët, drithërat, bimë të ndryshme etj.; tenjë. Mola e grurit (e drithërave). Mola e dyllit. Mola e mollës. Mola e qepës.

MOLLËKUQE
Kandërr e vogël, me trup në trajtë vezake dhe me dy palë krahë, nga të cilët dy të sipërmit janë të fortë, të kuq e kanë shtatë pika të zeza. (nusepashke)

MORR
1. Kandërr e vogël pa krahë, që rron si parazit te njerëz të papastër (në trup, sidomos në kokë, në rrobat, në shtresa e mbulesa), te disa kafshë e shpendë etj. Morri i kuq a) morr më i madh se morri i zakonshëm, që ka ngjyrë të verdhë të zbehtë dhe që shkakton sëmundjen e tifos së morrit;
2. Kandërr shumë e vogël, që shtohet shumë shpejt e që u bie bimëve të ndryshme dhe i dëmton ato, duke u thithur lëngun. Morri i zi. Morri i gjelbër. Morri i pjeshkës. Morri i trëndafilit. Morri i panxharit. Morri i drithërave. Morri i misrit.

MURGESHË
1. Kandërr fluturuese që e ndryshon ngjyrën sipas mjedisit, me trup shumë të gjatë, me kokën trekëndëshe e shumë të lëvizshme, me sy të dalë, me dy palë krahë të hollë, me të cilët, duke i fërkuar bën një zhurmë.
2. Flutur e madhe me shirita të zinj e njolla të zeza në krahë dhe në bark, vemja e së cilës njihet si dëmtues i drurëve e sidomos i pishave.

MUSHKONJË
Kandërr e vogël, me trup të hollë, me një palë krahë, me këmbë të gjata dhe me një thumb në turi, që rri zakonisht pranë pellgjeve e në vende moçalore dhe që të pickon, thith gjakun e mund të përhapë sëmundje të ndryshme. Mushkonja e zakonshme. Mushkonja e malaries anofele.

PILIVESË
Kandërr me trup të hollë, me krahë të gjatë, të tejdukshëm e me deje, që i lëshon larvat në vende me lagështirë.

PLESHT
1. Parazit i njeriut e i kafshëve, me trup shumë të vogël e në ngjyrë kafe të errët, që kërcen shumë, pickon e thith gjak. Pleshtat e dhive (e qenve, e shpendëve, e maces).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje kandrrash të vogla, me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, që dëmtojnë zakonisht gjethet e perimeve, të pemëve etj. Pleshti i gjelbër kandërr e vogël me ngjyrë të gjelbër në të verdhë, që bren e dëmton zakonisht trangujt, jonxhën etj. Pleshti i bletës morri i bletës. Pleshti i drithërave. Pleshti i hardhisë (i mollës). Pleshti i panxharit (i lakrës, i patates).

QIME E GJALLË
Krimb i hollë si fije, që jeton në ujë dhe si parazit te disa kafshë shtëpiake e shpendë.

RRAJZË
Glistër, krimb shiu.

RRE
Krimb që jeton si parazit në zorrët e fëmijëve

RRIME
Krimb shiu.

SKRA
Krimb toke që vihet në majë të grepit për të ndjellë peshkun, karrem.

SKRAPTH
Kandërr e zezë helmuese, që i ngjan brumbullit.

SHKËNDIJË
1. Xixëllonjë, shkëndijëz.
2. Kandërr me trup të zi ose ngjyrëkafe të hapur, me flatra të mëdha e me këmbë të gjata, që shfaqet në kohën e lulëzimit të pemëve dhe dëmton lulet e tyre.

SHUSHUNJË
Krimb parazitar i ujërave të ëmbla, me trup unazor shumë të zhdërvjellët, që ushqehet me gjakun e kafshëve të ndryshme duke u ngjitur në trupin e tyre dhe që përdoret edhe në mjekësinë popullore për të marrë gjak. Shushunjë mjekësore. Shushunjë kali.

SHIRIT
Krimb i gjatë me trup të përbërë prej një numri të madh unazash të shtypura, që jeton si parazit në zorrët e njeriut dhe të disa kafshëve gjitare; lëvrizë. Shiriti i njeriut (i kaut, i derrit, i qengjave, i qenit).

SHTRIGË
Flutur që hyn natën në koshere dhe ha mjaltin; flutur nate që tërhiqet nga drita e vjen rreth llambës.

SHARRUES
Sharruesi i drithërave: insekt shumë i vogël me ngjyrë të zezë, me unaza të verdha në trup e me krahë të tejdukshëm, që dëmton drithërat.

SHPUESI I FRUTAVE
Insekt i vogël, me trup në ngjyrë qielli të errët, të mbuluar me qime të shkurtra e të rralla, i cili dëmton mollët, dardhët, kajsitë, pjeshkat, kumbullat etj.

TARTABIQE
Kandërr vogël me trup të rrumbullakët e të shtypur, me ngjyrë vishnje të errët e me një erë të rëndë, që jeton si parazit në banesa, nëpër plasat a vrimat e mureve, të dërrasave, të shtretërve etj. ose në vende të errëta dhe që u thith njerëzve gjakun kur flenë; çimkë.

TENJË
Flutur me madhësi e ngjyra të ndryshme, që e ka larvën si vemje të hollë dhe që bren e dëmton shumë bimët ose ushqehet me dyllin e bletëve, me miell etj. Tenja e patates (e hardhisë). Tenja e ullirit. Tenja e drithit. Tenja e lakrës. Tenja e qepës. Tenja e miellit (e hambarit). Tenja e dyllit.

THUMBUES
Që të ngul thumbin, që të shpon, me thumb (për kandrrat). Kandërr thumbuese.

UJËS
Që rritet a që rron në ujë, ujor Insekt ujës

UNAZORE
Flutur me krahë dhe me trup zakonisht në ngjyrë të verdhë, që dëmton pemët, sidomos mollën dhe dardhën. Unazorja e pemëve.

XIXËLLONJË
Kandërr e vogël; e murrme, me trup të shtypur e cila e ka pjesën e fundit të barkut të verdhë dhe ndrit si një xixë që ndizet e shuhet natën në fillim të verës; shkëndijëz, bukurezë

ZEKTH
Kandërr me krahë, me trup sa një mizë e madhe, që fluturon me një zhurmë të veçantë dhe që gjatë pranverës e verës pickon gjedhin e i thith gjakun.

ZHUZHAK
1. Kandërr me dy palë krahë, nga të cilët të sipërmit janë të fortë e të ndritshëm, ndërsa të poshtmit, që hyjnë në punë për fluturim, janë të hollë; vizhë. Zhuzhaku i gjelbër. Zhuzhaku i majit. Zhuzhaku i drithërave. Zhuzhaku i misrit. Zhuzhaku i hardhisë. Zhuzhaku lëvorengrënës.
2. Rend i veçantë i këtyre kandrrave. Rendi i zhuzhakëve.

Fjalori i insekteve

Si ta citojmë këtë artikull: Artikulli me titull "Fjalori i insekteve" është marrë nga Shqipopedia: https://wiki.shqipopedia.org/fjalori-i-insekteve