Fundi i sistemit monarkik në Epir

Fundi i sistemit monarkik në Epir

Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht të humbiste fuqinë e saj të mëparshme politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra për të ruajtur zotërimet e mëparshme në Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve Mytili, të cilën më vështirësi mundi ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe një herë që të rimëkëmbte fuqinë e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot, pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës së saj, e mbërthyer në një krizë të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte përherë e më shumë prodhuesit e vegjël të lirë fshatarë, që dikur përbënin masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë federative epirote dhe çoi në dobësimin e fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake.

Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir, të cilët kërkonin secili të fusnin nën kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese. Në këto situata sundimtarët epirotë u treguan të paaftë të qeverisnin vendin. Aristokracia epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë e popullit për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të vjetëruar monarkik në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh e dinastisë së Ajakidëve.

Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. Frano Prendi

 

[cite]