.◘.◘.◘.◘.◘. .◘.◘.◘.◘.◘. .◘.◘.◘.◘.◘. .◘.◘.◘.◘.◘. .◘.◘.◘.◘.◘. .◘.◘.◘.◘.◘.
Historia e Shqipërisë mund të ndahet në katër etapa kryesore nga etnogjeneza deri në shpalljen e pavarësisë:
[ILIRËT] [MESJETA] [PUSHTIMI OSMAN] [RILINDJA] [KRIMET E KOMUNIZMIT] [TRANZICIONI]
Gjurmët historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para Krishtit në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për ilirët nismën e një periudhe të re historike. Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve të para të njohura deri atëherë për përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare ilire. Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë që banonin në ultësirën bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të varfra malore. Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu vijnë në ndihmë për herë të parë edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë kryesisht ilirëve të jugut.
– MBRETËRIA E DARDANISË –
Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek.IV para Krishtit dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I para Krishtit Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 pas Krishtit. Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 pas Krishtit të krijohej njësia e veçantë administrative-politike romake, Provinca e Dardanisë.
– QËNDRESA E ILIRËVE KUNDËR PUSHTUESVE ROMAKË –
Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon ishin bërë pengesa më e fuqishme kundër pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të rëndësishme në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të vazhduar më tej politikën e saj ekspansioniste në këtë gadishull dhe më tej në Lindje. Në shekullin II para Krishtit dhe në shekujt që pasuan, Roma i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera të Ilirisë së brendshme dhe të asaj veriore. Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë të parë Mbretëria Dardane dhe federata e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën në skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e mëparshëm, përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedon në Ilirinë Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën e dytë të shek. III dhe gjatë shek. II pas K. Në këtë shekull të fundit dardanët u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më të fortë të pushtuesve romakë. Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera të veriut, që u bënë simbol i qëndresës kundër romakëve për një shekull e gjysmë. Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën karakter të gjerë duke përfshirë thuaj gjithë trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet jugore të Ilirisë. Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja e madhe e ilirëve, e quajtur kryengritja e Batos, e cila qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në Evropën Qendrore.
– ILIRIA NË PERIUDHËN E ZGJERIMIT DHE TË RËNIES SË PERANDORISË ROMAKE –
Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe pas mbarimit të tyre u mor me organizimin administrativ të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në disa etapa dhe me ndryshime sipas koniunkturave që krijoheshin herë pas here dhe në pajtim me mundësitë që kishte vetë shteti romak. Qëllimi kryesor i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë përforcimi i pushtetit romak, me anë të të cilit do të kalohej në një administrim e shfrytëzim më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo ka ndodhur në periudhën e fundit të Republikës së Romës dhe në mënyrë të veçantë me krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i shërbyen masa të tilla si konfiskimi i tokave dhe ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi i disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një popullsie italike e orientale, zhvillimi i teknikës dhe i prodhimit, shfrytëzimi i minierave dhe ndërtimi e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi situata e rëndë që iu imponua ilirëve, veçanërisht duke filluar nga shek. I pas Krishtit. Bashkë me këtë politikë Roma bëri përpjekje të mëdha për asimilimin, “romanizimin” e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të dukshme.
– ILIRIA NË PERIUDHËN E RËNIES SË PERANDORISË ROMAKE –
Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI pas Krishtit, një periudhë që ka të bëjë me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien e Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve të parë pas Krishtit ka mbetur më pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë periudhë e kanë tërhequr sulmet e “barbarëve” dhe luftërat që Perandoria Romake dhe më pas perandoria e hershme bizantine kanë bërë për mbrojtjen e kufijve veriorë. Nuk ka munguar interesimi i historiografisë së huaj edhe për “perandorët ilirë”, të cilët bënë përpjekje për t’ia zgjatur jetën Perandorisë Romake dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie e sipër. Kjo është, në historinë e ilirëve, një periudhë plot me ngjarje të rëndësishme, në të cilën ndodhën invazione e dyndje popujsh të ndryshëm, që u shoqëruan me ndryshime në përbërjen etnike të popullsive ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha e përballimit me sukses të invazioneve barbare, por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim që shfaqet në shumë aspekte të jetës e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut, popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe invazioneve “barbare” duke ruajtur fizionominë e vet etnike. Kjo me të drejtë është njohur si një premisë themelore historike e etnogjenezës së popullit shqiptar, sepse në këtë trevë, në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia shqiptare.