Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë

Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë

Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).

Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës, në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare.

Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët, u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella. Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në Diokle.

Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si “ilirë” ose “barbarofonë”, pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret termi “arbëreshë” (arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si “Panegjiriku i Manuel Paleologut” apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen e Epirit.

Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si “bërthamën e trojeve shqiptare”.

Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.

Historia shqiptare

 

[cite]