Zhvillimi urbanistik dhe popullsia në Mesjetë

Zhvillimi urbanistik dhe popullsia në Mesjetë

Qytetet qenë ato që pësuan më shumë gjatë periudhës kalimtare të kapërcimit nga lashtësia në mesjetë. Si rezultat i shthurjes së plotë të sistemeve të vjetra të qeverisjes, të ekonomisë, të komunikimit qytetet shqiptare shënuan një dobësim e tkurrje në funksionet e tyre. Nga ana e tyre, sulmet “barbare” që u përsëritën rregullisht në shek. V-VII, i dhanë dhe ato një goditje të pandreqshme pjesës më të madhe të qyteteve të Ilirikut Perëndimor. Nishi, Doklea, Skampa, Amantia, Onkezmi, Euroia nuk i mbijetuan dot kësaj periudhe të trazuar. Qytete të tjera, si Apolonia, Butrinti, Adrianopoli, Bylisi (Glavinica) humbën shkëlqimin e dikurshëm dhe mbijetuan vetëm si qendra të thjeshta peshkopale e ushtarako-administrative. Në fakt, edhe burimet e kohës i emërtojnë pjesën më të madhe të qyteteve të hershme, jo më si qytete (polis), por si kështjella (kastellia, polismata), duke nënvizuar me këtë rënien e funksionit ekonomik e shoqëror të tyre. Shkodra, Lezha, Ulqini, Liknidi (Ohri) arritën të mbeten qendra të banuara, ndonëse dhe ato u goditën rëndë. Në mjaft raste, qytetet e dikurshme u shpërngulën në lartësitë e afërta, ku popullsia ndihej më e sigurt brenda mureve të rindërtuara ose të ndërtuara rishtas. I tillë qe rasti i Krujës, i Kaninës, i Petrelës. Edhe në Lezhë, qendra e gravitetit u zhvendos nga qyteti i poshtëm i zhvilluar rreth portit (Lissus), në pikën e afërt mbizotëruese, ku ndodhej kështjella e vjetër.

Një rast të përveçëm përbën qyteti i Durrësit, i cili edhe në shekujt e mesjetës së hershme vazhdoi të jetë “metropoli i Ilirikut” (Niqifor Brieni). Qyteti-port, pikënisje e rrugës Egnatia, ishte nyja kryesore që lidhte Perandorinë Bizantine me zotërimet e saj në Itali dhe, në përgjithësi, me Perëndimin. Në shek. V perandor Anastasi I, me origjinë nga ky qytet, e qarkoi atë me mure solide që u qëndruan të gjitha kohërave. Rëndësi e veçantë iu kushtua fortifikimit të Durrësit nga krahu i veriut (Kepi i Pallës), ku një istëm me gjerësi 7 km e bashkonte qytetin me pjesën tjetër të kontinentit. Në këtë krah, ku priteshin goditjet kryesore kundër qytetit, gjendej e ashtuquajtuara “Porta e Kalorësit”, e përmendur më 1246 dhe që e mori emrin nga statuja e bronztë e kalorësit, e vendosur s’dihet kur mbi traun e portës. Po në këtë krah ngrihej një kullë e fuqishme, e restauruar më 1225 nga despoti Teodor Engjëlli i Artës. Rreth vitit 1280 anzhuinët ndërtuan në mbrojtje të portit një kullë të re në krahun jugor, buzë detit, që u lidh me kështjellën bizantine me anë të një muri. Në këtë anë të kështjellës ekzistonte qysh në shek. XI një lagje e banuar prej tregtarësh nga Venediku dhe Amalfi. Në pjesën më të lartë të qytetit ndodhej fortesa (castrum, praetorium), ku qëndronte garnizoni i qytetit.

Në shek. XIII edhe qendra të tjera shqiptare, si Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Lezha, Kruja, Berati, Kanina etj., bënë një hap të rëndësishëm drejt kthimit të tyre nga kështjella me fizionomi kryesisht ushtarake, në qendra urbane të zhvilluara. Në pamundësi për t’u zhvilluar brenda rrethit të mureve të trashëguara nga e kaluara, qytetet në fjalë u shtrinë jashtë tyre. U formuan kështu lagjet e jashtme (proastion, suburbium), të cilat shumë shpejt u kthyen në qendra të jetës ekonomike të qytetit. Këtu zhvilloheshin tregjet dhe ishin përqendruar dyqanet e punishtet. Në mjaft raste, si p.sh. në Berat, këto lagje u rrethuan edhe ato me mure për t’u mbrojtur në rast rreziku. Për të siguruar furnizimin me ujë të qytetit, përveç burimeve natyrore, shfrytëzoheshin ujërat e mbledhura në cisterna të posaçme të hapura në vendin më të sigurt të qytetit. Në raste të veçanta, si p.sh. gjatë rrethimit të gjatë të Beratit nga anzhuinët, më 1280-1281, shfrytëzohej edhe uji i lumit, me të cilin kështjella lidhej me sisteme të fshehta e të mbrojtura vendkalimesh.

Duke filluar nga shek. XIII, qendra të reja, me drejtim kryesisht tregtar e doganor, lindën në grykëderdhjet e disa prej lumenjve kryesorë të Shqipërisë. Të tilla qendra ishin: Shirgji (Bunë), Shufadaja (Mat), Bregu (Shkumbin), Pirgu (Seman), Spinarica (Vjosë) etj.
Zakonisht qytetet kishin nën jurisdiksionin e tyre edhe një territor pak a shumë të shtrirë, që përfshinte fshatra, toka buke, vreshta, ullishte, pyje, kullota si dhe kripore apo peshkore. Kështu, më 1274, në juridiksionin e Vlorës ishin dy distrikte (arkondi) me një numër fshatrash (casalia). Në vitin 1343 rreth 17 fshatra përreth Krujës, mes të cilëve Zalli, Shën Vlashi, Vilëza, Çerkeza, Kallmeti, ishin pronë e banorëve të qytetit dhe figuronin si pjesë e territorit të tij.

Situatë e ngjashme dëshmohet edhe në Shkodër e në Durrës. Për shfrytëzimin e pronave e të pasurive në territoret përreth, banorët e qyteteve punonin vetë ose pajtonin vendas me pagesë (villici, villani). Kufijtë e juridiksionit ishin të përcaktuara historikisht dhe çdo përpjekje për ndryshimin e tyre bëhej shkak për konflikte, shpeshherë edhe të armatosura, me qytetin fqinjë. Probleme të tilla juridiksioni pati qyteti i Ulqinit me atë të Shasit (Suatium), Shkodra me Sardën (Shurdhahun). Grindja për disa fshatra, që dikur kishin qenë nën juridiksionin e Drishtit, u bë shkak për marrëdhënie të acaruara midis tij e Shkodrës, që më 1399 degjeneruan në një përplasje të armatosur.

Në gjysmën e parë të shek. XIV, popullsia e qyteteve u rrit mjaft. Durrësi llogaritej të kishte atëherë rreth 25 mijë banorë. Qyteti u bë një qendër që thithte vazhdimisht banorë të rinj nga zonat fshatare. Durrësi dhe Shkodra në shek. XIV njohën një dyndje të madhe banorësh të rinj të ardhur nga fshatrat përreth. Në shek. XV, një pjesë e mirë e popullsisë së Pargës përbëhej nga të ardhur prej fshatrave fqinje Aja e Rapëzi. Në mjaft raste, autoritetet e mirëprisnin këtë imigracion të brendshëm. Përveçse sillnin gjak e fuqi të reja, të porsaardhurit paraqitnin edhe leverdi të tjera; në shumë raste, si në Durrës, bujqit e vendosur në qytet detyroheshin të derdhnin një shumë të caktuar parash ose ta shlyenin këtë shumë me punë angari në tokat e komunës. Por krahas masave fshatare, popullsisë së qyteteve i shtoheshin edhe fisnikë të rrethinave që për një arsye apo tjetrën vendosnin të shpërnguleshin përfundimisht ose ta kalonin aty një pjesë të mirë të kohës për të ndjekur interesat e tyre ekonomikë, ose për të shijuar kënaqësitë që jepte jeta qytetare (pro factis suis vel pro placere). Shumë prej tyre kishin prona, magazina dhe kishin blerë edhe shtëpi të tyre në qytet. Në shek. XIV urbanizimi i zotërve të tokës u bë një dukuri normale. Me kohë, këta përfaqësues të aristokracisë së tokës u integruan në jetën e qytetit, morën në dorë veprimtari të ndryshme ekonomike, fituan statusin e “qytetarit” (civis) dhe shpeshherë u përfshinë në organet drejtuese bashkiake.

Nëse rryma e banorëve të ardhur prej fshatit jepte ndihmesë në rritjen e popullsisë së qyteteve, faktorë të tjerë shkaktonin bjerrjen e saj. Këtu vijnë në vështrim të parë luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Rrethanat e shekujve të parë të mesjetës, kur mjaft qytete u rrënuan për të mos u rimëkëmbur më, u përsëritën herë pas here edhe në mesjetën e mesme dhe në atë të vonë, duke çuar drejt rrënimit dhe zhdukjes së plotë qytete të tëra. Kështu, nga sulmet e tartarëve, në vitin 1242, e pësoi keq qyteti i Shasit (Suatium), i cili paskëtaj mbulohet nga heshtja. Në vitin 1356, si rrjedhim i sulmeve të serbëve, qyteti i Drishtit dhe ai i Ballecit përshkruhen si “tërësisht të rrënuara” (totaliter dissipatum). Po atë vit një ushtri serbe sulmoi Beratin, duke djegur e shkatërruar me themel lagjet e jashtme të qytetit. Duke filluar nga çereku i fundit të shek. XIV, shumë nga qytetet shqiptare u bënë pre e inkursioneve osmane, me pasoja të rënda për to.

Përballë sulmeve të ushtrive të huaja, forcimi i sistemit të mbrojtjes përbënte një shqetësim kryesor të autoriteteve dhe të popullsisë së qyteteve. Meremetimi i mureve dhe i kullave mbrojtëse përbënte në këtë kuptim një veprimtari të rëndomtë. Ndërkohë, në momente të jashtëzakonshme rreziku, siç qe ai që u shfaq nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV me inkursionet osmane, u ndërmorën masa të pashembullta mbrojtëse. Kështu, për të penguar inkursionet osmane drejt Butrintit, pak kilometra në veri të tij, u ngrit një mur, i quajturi Heksamil, sipas shembullit të murit që, po për të njëjtën qëllim, ishte ngritur në istmin e Korintit. Për të shmangur goditjet e ushtrive osmane në vitet e para të shek. XV, në Durrës u konceptua një projekt madhështor, që parashikonte hapjen e një kanali në krahun lindor të qytetit dhe kthimin e tij në një ishull. Rrallimi i popullsisë së qyteteve për shkak të luftërave dhe epidemive të ndryshme i detyronte autoritetet e ndonjë qyteti të urdhëronin ripërkufizimin e zonës urbane, duke ngritur mure të reja rrethuese brenda perimetrit të mureve të dikurshme.

Përpos luftërave, dukuri të tjera të zakonshme për kohën, si zia e bukës, epidemitë dhe fatkeqësitë natyrore, ndikonin në uljen e numrit të banorëve të qyteteve. Epidemitë, si ajo e murtajës, bënin kërdinë posaçërisht në qytete, ku kishte një dendësi të madhe popullsie dhe kushte të papërshtatshme sanitare. Qyteti i Durrësit përjetoi epidemi vdekjeprurëse më 1362, 1401 e 1481. Murtaja e vitit 1481 goditi rëndë edhe Vlorën, e cila, siç thonë burimet, u braktis krejtësisht nga banorët që kërkuan shpëtim në fshatrat përreth. Murtaja e vitit 1348, e ashtuquajtura vdekja e zezë, që u përhap në të gjithë Evropën, shkaktoi viktima të shumta edhe në Shqipëri. Përveç murtajës, edhe epidemi të tjera, si kolera e malarja, mbillnin vdekjen në qytetet shqiptare.

Pasoja të rënda për qytetin kishin fatkeqësitë e ndyshme natyrore. Përmbytjet, zjarret dhe tërmetet goditnin herë pas here, duke shkaktuar pasoja të rënda e duke ndryshuar deri edhe fizionominë e tyre. Tërmeti i vitit 1269 e shkatërroi thuajse krejtësisht qytetin e Durrësit dhe, me atë rast, një pjesë e mirë e banorëve që mbijetuan gjetën strehë në qytete fqinjë, si në Berat, ose emigruan në Itali. Një tërmet shkatërrues goditi, më 1356, edhe qytetin e Beratit, kurse më 1452 ishin rrufetë ato që dogjën e shkretuan qytetin e Dejës.

Për të shmangur rrezikun e rënies së zjarreve e të epidemive, autoritetet bashkiake në qytete, si Durrësi, Shkodra, Tivari etj., nxirrnin urdhëresa që disiplinonin ndërtimin e shtëpive, hedhjen e plehrave në vende të caktuara dhe derdhjen e ujërave të zeza në kanale e gropa të posaçme. Problemet e higjienës qytetare gjenin pasqyrim edhe në Statutet e qyteteve, siç provojnë Statutet e qytetit të Shkodrës. Megjithatë kushtet e jetesës, veçanërisht në lagjet popullore mbeteshin shumë të rënda dhe shtëpitë e ulta me dërrasë e kashtë të ngjitura njëra pas tjetrës, rrugët e ngushta e të errëta, që ktheheshin në depozita plehrash e ujërash të zeza, bëheshin vatra zjarri e epidemish vdekjeprurëse.

Problemi i sigurisë ishte gjithashtu një shqetësim i vazhdueshëm dhe që nuk lidhej vetëm me situatat e jashtëzakonshme të konflikteve të jashtme. Rastet e sulmeve dhe të plaçkitjeve ndaj qytetarëve dhe pronës së tyre ishin të shpeshta, veçanërisht në orët e vona. Statutet e Shkodrës i detyronin qytetarët që lëviznin natën të mbanin pishtarë të ndezur, për t’u identifikuar nga rojet e qytetit. Nëse ndokush kapej duke lëvizur pa pishtar “pas rënies së kambanës së tretë”, atij i viheshin në ngarkim vjedhjet që rastësisht ndodhnin atë natë në qytet.
Edhe më e rrezikshme ishte dalja jashtë qytetit. Punëtorët e kriporeve të Durrësit shkonin në punë të armatosur me shkopinj, çekiçë e shpata nga frika e plaçkitësve (1436).

Banorët e qyteteve, që kishin statusin e qytetarit (civis), ndaheshin në fisnikë (nobiles) e popullorë (popolares). Fisnikët përfshinin sipërmarrësit e mëdhenj, pronarët e anijeve, tregtarët, nëpunësit e lartë komunalë, si dhe pronarët e mëdhenj të tokave që jetonin në qytet. Zakonisht shtëpitë e tyre ndodheshin në pjesën më të lartë e më të mbrojtur të qytetit (castrum), që izolohej nga pjesa tjetër me mure dytësore. Në aktet mesjetare përfaqësuesit e fisnikërisë qytetare dallohen nga titulli “zot” (kyr, ser) që shoqëron emrin e tyre. Në shtresën e popullorëve përfshiheshin zejtarët e tregtarët e zakonshëm, çirakët, kallfët, marinarët, punëtorët e krahut në përgjithësi. Në qytete kishte edhe një masë të madhe banorësh, kryesisht të ardhurit rishtas nga fshatrat, që ende nuk e kishin fituar të drejtën e qytetarisë. Këta ishin të përjashtuar nga një sërë të drejtash dhe nga pjesëmarrja në jetën politike e shoqërore të qytetit.

Banorët e qyteteve kishin një sërë detyrimesh ndaj kryezotit ose komunës. Si dëshmi të njohjes së sovranitetit mbi tokën, ata u paguanin atyre një shumë të prerë për sokun e obrokun apo siç quhej ndryshe akrostiku. Detyrime të tjera paguheshin për masat e peshat, për tregun, për therrjen e bagëtisë, për peshkimin, për mirëmbajtjen e mureve të qytetit (maldenar). Në raste të veçanta, qytetarët detyroheshin të kryenin edhe shërbim roje në muret e qytetit ose të merrnin pjesë në punime mbrojtëse.

Dallimet ekonomike dhe pakënaqësitë shoqërore, marrëdhëniet shpeshherë problematike me rrethinën bujqësore dhe me aristokracinë e saj, ndërhyrjet e ndikimet e huaja, ishin disa nga faktorët që ushqenin konfliktualitetin në qytetet shqiptare në mesjetë. Shprehja më e lartë e tyre ishin revoltat popullore, si ato të kapërcimit të shek. XIV-XV në Shkodër e në Drisht, revolta që bashkuan masa të gjera të qytetit e të fshatit kundër “kryezotit” të huaj dhe fisnikëve vendas të lidhur me të. Por edhe kur shumë nga qytetet ranë nën sundimin e fisnikëve vendas, në gjysmën e dytë të shek. XIV, konfliktet me ta nuk munguan. Me të tilla u shoqërua hyrja e Balshajve në Shkodër, në Tivar apo në Vlorë, sundimi i Topiajve në Durrës apo i Dukagjinëve në Lezhë. Konfliktet në fjalë ishin shprehje e një dukurie të përgjithshme për Ballkanin e mbarë Evropën feudale. Qytetet detyroheshin t’u paguanin kryezotërve ose fisnikëve një shumë të caktuar (akrostik, census, dacium, tributum). Në vitin 1363, Durrësi u detyrua të rrisë doganat e portit, për të siguruar tributin për fisnikët fqinjë. Komuna e Tivarit duhej t’i paguante Balshës 2 000 dukate në vit.
Pavarësisht nga lidhjet e ngushta dhe nga fakti që marrëdhëniet qytet-fshat rregulloheshin nga tradita, doket e deri te normat statutore, nuk mungojnë rastet e konflikteve të ashpra deri të përgjakshme mes banorëve të qytetit dhe të fshatit. Domethënës për shkallën e armiqësisë që ndizej herë pas here është rasti i vitit 1438, kur qytetarët e egërsuar të Tivarit sulmuan një fshat në rrethin e Ulqinit, duke djegur shtëpi e duke vrarë e masakruar banorë.

Krahas qytetarëve me të drejta të plota (cives), që merrnin pjesë pa kufizim në jetën ekonomike, shoqërore e politike të qytetit, në qytetet tona përmenden shpesh edhe banorët me qëndrim e status të përkohshëm (habitantes, morantes), të cilët jo rrallë herë ishin artizanë, tregtarë e sipërmarrës të huaj. Në shek. XI në Durrës dëshmohen dy koloni me qytetarë nga Venediku e nga Amalfi, që kishin lagjet si dhe kishat e tyre, përkatësisht kishën e Shën Andresë dhe kishën e Shën Mërisë së amalfitanëve. Venecianët e Durrësit, sipas kronistit italian Malaterra, ishin “nga familje fisnike” (de nobili genere). Ashtu si venecianët në Durrës, edhe raguzanët kishin në Shkodër, në Tivar e në Vlorë kolonitë e tyre tregtare me lagje e kisha të veçanta. Në Durrës, në vitin 1401, dëshmohen edhe disa banorë hebrenj, të varfër e të paktë në numër. Ata merreshin kryesisht me tregtinë e vogël, dhe, siç del, ishin të detyruar të paguanin një taksë shtesë. Një prani e vogël hebrenjsh dëshmohet edhe në Vlorë, në fund të shek. XIV.

Të huajt nuk kishin të drejtë të zgjidhnin e të zgjidheshin në organet bashkiake, porse gëzonin mbrojtje të veçantë për jetën e pasurinë e tyre. Venediku e Raguza kishin konsujt e tyre në qytete, si Durrësi, Vlora, Spinarica, që mbronin interesat e qytetarëve të tyre. Ndonëse midis masës së qytetarëve dhe këtyre banorëve të huaj të qytetit lindnin herë pas here keqkuptime, këto nuk dëshmohet të jenë shndërruar ndonjëherë në pogrome e raprezalje kundër tyre. Marrëveshje të rregullta dypalëshe garantonin jetën e pasurinë e qytetarëve venecianë apo raguzanë në Durrës ose në Vlorë. Megjithatë, ndodhte që në kohën e krizave politike midis qyteteve shqiptare dhe shteteve të Venedikut, Raguzës, Napolit etj., tregtarët e sipërmarrësit e ndryshëm me origjinë nga këto shtete, të bëheshin objekt i armiqësisë dhe i sulmeve të popullsisë vendase. Në raste të tilla, Republika e Venedikut ose ajo e Raguzës, kanë hyrë në traktativa të gjata me perandorin bizantin apo me princërit e zotërit shqiptarë, për të siguruar dëmshpërblime për qytetarët e vet.

Në qytetet e zhvilluara të bregdetit, veçanërisht në Durrës, kishte një rreth tregtarësh e sipërmarrësish vendas të lidhur ngushtësisht me interesa ekonomikë me Raguzën e sidomos me Venedikun. Ata eksportonin dhe importonin prej andej mallra të ndryshme dhe shpeshherë kishin aty magazina, dyqane, madje dhe shtëpi të tyre. Sipas burimeve të kohës, për shkak të interesave ekonomikë, por edhe të një formimi kulturor kozmopolit, kjo kategori njerëzish në marrëdhëniet e përditshme shpeshherë “hiqej sikur të ishte me origjinë veneciane” (pro Venetis expediantur). Kjo shtresë kishte mbështetjen e Venedikut. Në fakt, në momentin e kalimit të Durrësit në duart e Venedikut, më 1392, u duk qartë roli vendimtar i këtij krahu “filo-venecian”, ku bënte pjesë edhe kryepeshkopi durrsak Dhimitër Nesha, si dhe ndonjë feudal i fuqishëm i rrethinave.

Historia shqiptare

 

[cite]