Institucionet qeverisëse në qytetet shqiptare në Mesjetë
Në pikëpamje të strukturës shoqërore e të organizimit politik, në Shqipërinë mesjetare ndesheshin dy lloje qytetesh: qytetet e llojit italo-dalmatin dhe ato të tipit bizantin. Që të dyja këto gëzonin një traditë të gjatë vetëqeverisëse, bartëse e së cilës ishin fillimisht një grup familjesh, që shquheshin për pasuri, prona e pushtet. Të tilla qenë në Durrës gjatë shek. X-XIII familjet Krisili e Kabasilla (Kabashi), pinjollë të të cilave shfaqen herë pas here si “të parë” të vendit (proteuon) dhe si mbajtës titujsh e dinjitetesh të larta bizantine, përfshirë ato të arkondit e të patricit. Fuqia ekonomike e këtyre familjeve mbështetej në ndërtesat, dyqanet, depot e në anijet që ato zotëronin në qytet, e sidomos në sipërfaqet e mëdha të tokave që kishin sa në rrethet e Durrësit, aq edhe në Lezhë, Mat, Myzeqe e deri në Dibrën e në Kolonjën e largët. Në Vlorë e në krahinën e saj, prej shek. XI e deri vonë në shek. XVII, familja Frëngu është vazhdimisht protagoniste në qeverisjen dhe në ngjarjet që lidhen me atë zonë.Gjatë gjithë periudhës së sundimit bizantin apo të sundimeve të tjera të huaja, të drejtat sovrane mbi qytetet i përkisnin kryezotit, që sipas rastit mund të ishte perandori bizantin, mbreti serb, mbreti i Napolit apo Republika e Venedikut. Këta e ushtronin sovranitetin nëpërmjet zyrtarëve të caktuar enkas prej tyre dhe që ishin njëherësh komandantë të ushtrisë dhe gjykatës. Në vitin 1166 në Krujë funksione të tilla kryeshin nga një prior, kurse në Durrës nga një proteuon (të dyja fjalët, njëra latine e tjetra bizantine, përkthehen “i pari”). Në shek. XIII Ulqini dhe Tivari kishin në krye një kont. Në periudhën e fundit bizantine dhe gjatë sundimit serb të Stefan Dushanit (1332-1355) mjaft qytete kishin në krye sebastin ose qefalinë, që u korrespondojnë ofiqeve napolitane e veneciane të kontit e të kapitenit (shek. XIII-XIV). Në kohën e sundimit të despotëve serbë Llazareviçë (1421-1443), në Drisht, në Tivar e në Novobërdë kryezoti përfaqësohej nga vojvoda. Funksioni i tij, kryekëput ushtarak, flet për një kufizim të të drejtave tradicionale vetëqeverisëse të këtyre qyteteve.
Me shembjen e Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355), mjaft nga qytetet ranë në dorë të krerëve feudalë shqiptarë: Balsha (Shkodra, Drishti, Tivari, Vlora), Zaharia (Deja), Dukagjini (Lezha), Topia (Durrësi, Kruja), Gropa (Ohri, Dibra), Muzaka (Berati, Kosturi), Zenebishi (Gjirokastra, Parga), Shpata (Arta) etj. Në ndonjë qytet, si në Drisht, në Shas e diçka më përpara në Prizren, pushteti laik ushtrohej në mënyrë të pazakontë nga peshkopi i qytetit. Shenja për një përfshirje të klerit në qeverisjen e qytetit ekzistojnë edhe në Tivar, ku më 1372 përmendet “burgu i kryepeshkopit”.
Venediku solli një nomenklaturë të re në qeverisjen e qyteteve shqiptare pas vitit 1392, kur ai u bë zot i tyre. Në Durrës u vu të qeveriste bail-kapiteni, në Shkodër kont-kapiteni, kurse në Tivar e në Drisht qeveritari venecian quhej podesta. Në Lezhë pushteti venecian përfaqësohej nga kështjellari (castellanus) i qytetit.
Gjithsesi, edhe në kohën e sundimeve të huaja, posti i qeveritarit u besohej në ndonjë rast edhe vendasve. Kështu, më 1251 konti i Drishtit ishte një fisnik vendas; po përfaqësues i parisë lokale ishte më 1266 edhe kapiteni i Durrësit, Andre Vrana, që ishte caktuar në atë post nga kryezoti i radhës, mbreti Manfred Hohenshtaufen i Sicilisë.
Përgjithësisht, sundimtarët e huaj përpiqeshin të fitonin simpatitë e parisë dhe të popullsisë së qyteteve, duke u përpjekur të harmonizonin interesat e veta me interesat dhe ndjeshmëritë e vendasve. Megjithatë, që një harmonizim i tillë ishte i pamundur, këtë e tregojnë ankesat e vazhdueshme të përfaqësive qytetare ndaj shkeljeve dhe abuzimeve që qeveritarët e huaj bënin gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Kështu, në shek. XV, banorët e Tivarit ishin aq shumë të zemëruar nga përvetësimet e paligjshme, nga detyrimet e angaritë arbitrare si dhe në përgjithësi nga sjelljet e vrazhda të podestasë venecian Xhakomo Delfin, saqë e kishin bërë zakon ta quanin atë me emrin “Neron”.
Një nga lëshimet themelore, që kryezotët e ndryshëm u detyruan t’u bënin qyteteve shqiptare, ishte njohja deri në një farë shkalle e kuadrit juridik e institucional, që përbënte thelbin e autonomisë tradicionale të tyre. Në çastin e vënies në zotërim të Durrësit, përkatësisht në 1272 e 1392, Karli I Anzhu dhe Republika e Venedikut nxituan të deklaronin qëllimin e tyre për të respektuar pronat, privilegjet si dhe statutet e “doket e mira” (bonos usus) të durrsakëve. Një pjesë e të ardhurave, që merreshin nga doganat komunale (në Shkodër dogana e peshkut, në
Drisht ajo e mishit dhe e barit), edhe paskëtaj vazhduan të shkonin në dobi të bashkisë. Mbi të gjitha, u ruajtën deri diku institucionet tradicionale vendase, që vazhduan të funksiononin krahas pushtetit të kryezotit të përfaqësuar nga qeveritarët e tij. Në Durrës, Vlorë e gjetkë dëshmohet mbijetesa e bashkësisë së qytetarëve (universitas, communitas), që ishte forma më e gjerë e organizimit qytetar. Ishin pikërisht banorët e qytetit me status të qytetarit, që në një ditë të caktuar të vitit mblidheshin dhe zgjidhnin nëpunësit komunalë. Në Shkodër mbledhja e qytetarëve bëhej ditën e Shën Markut, më 25 prill. Atë ditë kambanat e Shën Stefanit ftonin popullin të grumbullohej në sheshin para katedrales, ku në praninë e peshkopit dhe të parisë së qytetit bëhej përzgjedhja e gjyqtarëve (tre), e këshilltarëve (tetë) dhe e financierëve (dy) të komunës. Mandati i tyre ishte për një vit. Gjykatësit, këshilltarët, financierët bashkë me më të shquarit e qytetarëve (boni homines) ishin anëtarët e një asambleje më të ngushtë,
Këshillit komunal. Ky mblidhej nën drejtimin e gjykatësit të parë, që në Durrës e në Vlorë quhej me emrin bizantin prokathemen, dhe trajtonte çështje që kishin të bënin me besnikërinë dhe me integritetin moral të qytetarëve e të nëpunësve komunalë. Veç kësaj, Këshilli komunal kishte detyrë të zgjidhte një radhë tjetër nëpunësish, mes të cilëve noterët dhe sekretarët e gjyqit (cancellarius). Noterët në mjaft raste parapëlqeheshin me kombësi të huaj, për të shtuar shkallën e besueshmërisë së tyre. Për këtë qëllim, noterët rekrutoheshin jo rrallë edhe nga radhët e klerit. Në Durrës dualizmi kulturor-fetar pasqyrohej edhe në ekzistencën paralele të dy noteriateve: noterë që i përpunonin aktet e tyre në latinisht dhe ata që i përpunonin në greqishten bizantine.
Në Vlorë, si nën sundimin bizantin e serb, ashtu edhe në kohën e sundimit të Balshajve (1371-1418), ndër postet më të rëndësishme komunale ishte ai i admiralit, që tradicionalisht mbulohej nga një fisnik vendas. E njëjta gjë ndodhte në Durrës me postin e protontinit. Si admirali, ashtu edhe protontini, ishin komandantë të flotës së qytetit.
Caktimi i vulës së qytetit, i njësive të matjes e të peshave ishin disa nga prerogativat kryesore të organeve bashkiake. Ato ishin të patjetërsueshme. Çdo qytet kishte vulën, masat e peshat e veta. Një nëpunës i posaçëm ishte caktuar për të verifikuar çdo muaj saktësinë e tyre. Në Durrës masat dhe peshat e autorizuara mbanin vulën e qytetit. Statutet e Shkodrës parashikonin dënime të rënda për ata që përdornin masa e pesha të falsifikuara. Në Durrës vula e qytetit vihej edhe mbi thasët e kripës, prodhimi i së cilës ishte monopol i bashkisë. Në Shkodër letrat që mbanin vulën e qytetit (charta sigillata) kishin vlerën e dokumentit autentik, njëlloj si aktet noterike.
Statutet ishin shprehja më e lartë e organizimit komunal të qyteteve shqiptare në mesjetë. Ato përmblidhnin aktet normative që rregullonin në tërësinë e tyre organizimin e funksionimin e qytetit, si dhe marrëdhëniet midis qytetarëve, midis tyre dhe shtetit, midis vetë qytetit dhe ambientit rrethues. Nga të dhënat e deritanishme del se me statute ishin pajisur Durrësi, Shkodra, Drishti, Tivari e Ulqini. Statutet e Durrësit u nxorën jashtë përdorimit dhe humbën gjatë sundimit të Topiajve në qytet (1368-1392). Disa vite pas kalimit të qytetit nën sundimin e Venedikut, më 1398, u gjetën 35 kapituj të këtyre statuteve, që ruheshin në kuvendin françeskan të qytetit. Statutet e Drishtit, të quajtura “Statutet dhe urdhëresat e kapitullit të kishës katedrale të Drishtit”, pasqyrojnë jetën e një qyteti që identifikohej me fenë dhe ku kleri, posaçërisht peshkopi i qytetit, kishin një rol mbizotërues. Ato që ruhen të plota janë pikërisht “Statutet e Shkodrës”, një kopje e të cilave u zbulua së fundi në fondet e Muzeut Korrer në Venedik. “Statutet e Shkodrës”, siç thuhet në Kreun IV të tyre, ruheshin në dy kopje autentike, njëra në dhomën e thesarit dhe tjetra pranë gjykatës së qytetit. Ato përbëhen nga 279 kapituj shkruar në venecianishten e shek. XV. Edhe pse të ngjashme me statutet e qyteteve italo-dalmatine, statutet e Shkodrës përmbajnë mjaft elementë origjinalë, që i referohen ambientit specifik shqiptar. Mjafton të përmenden në këtë suazë referencat ndaj institucionit të “besës” dhe të “hakmarrjes”, që nuk gjenden në statute të tjera.