Principata e Shkodrës në kohën e brezit të dytë të sunduesve Balshaj

Principata e Shkodrës në kohën e brezit të dytë të sunduesve Balshaj

Në çastin e fuqizimit dhe të shtrirjes së tij më të madhe, shtetit të Balshajve iu desh të ballafaqohej me mësymjen gjithnjë e më intensive të sulltanëve osmanë.Në vjeshtë të vitit 1385, një ushtri osmane, nën komandën e Hajredin Pashës, depërtoi në zotërimet jugore të Balshajve dhe iu drejtua Vlorës. Në Savër forcat e mbledhura me ngut nga Balsha II u ndeshën me osmanët, duke pësuar një humbje katastrofale. Vetë Balsha II ra në fushën e betejës. Nën goditjet e vazhdueshme të osmanëve dhe si rezultat i shkëputjes së zotërimeve të vogla të vasalëve të dikurshëm shteti i Balshajve u rrudh së tepërmi. Nipi i Balshës II, Gjergji II Strazimir Balsha (1385-1403), mundi të shpëtojë pjesërisht zotërimet e Gentës. Ato të Kosovës, në pjesën më të madhe, ranë në dorë të princërve sllavë, vasalë të sulltanit. Në Vlorë dhe në territorin e saj vazhdoi të sundojë e veja e Balshës II, Komnenë Muzaka – Balsha, e cila nuk kishte lidhje varësie me Gjergjin II Balsha. Durrësin e shtiu përsëri në dorë princi Karl Topia, por edhe ky, tashmë nën presionin e vazhdueshëm osman, e kishte humbur pushtetin e dikurshëm. Përpjekjet e Gjergjit II, në fillimet e sundimit të tij, për të shtrënguar lidhjet me Republikën e Venedikut ndeshën në ftohtësinë e kësaj të fundit. Për rrjedhojë, princi shqiptar u afrua me

Republikën fqinje të Raguzës, që i rikonfirmoi qytetarinë raguzane, dhe me princ Llazarin e Rashës. Vajza e këtij të fundit u bë gruaja e Gjergjit. Në betejën e Fushë-Dardanisë, më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve të tjerë shqiptarë e ballkanas. Tre vjet më vonë, më 1392, në një përpjekje me forcat osmane Gjergji II Balsha ra rob i tyre dhe, kundrejt lirimit të tij, u lëshoi Shkodrën. Një vit më vonë, më 1393, Radik Gjurashi (Cërnojeviçi) i mori Balshës Buduën. Tashmë Gjergjit II i mbetën vetëm Ulqini dhe Tivari. Psikoza e pushtimit të afërm osman shtyu në atë kohë masa të tëra njerëzish të braktisnin qytetet e Shkodrës, Lezhës, Tivarit e të Ulqinit dhe t’i drejtoheshin bregdetit dalmat.

Gjithnjë e më shumë i izoluar nga fuqitë e huaja dhe nga njerëzit e tij Gjergji II i propozoi Venedikut dorëzimin e Shkodrës. Republika që nuk deshi të implikohej hapur me këtë ndërmarrje, e inkurajoi Balshën në këtë drejtim, duke e bërë edhe qytetar të saj (maj 1395). Në fillim të shtatorit 1395 Shkodra u hoq nga duart e komandantit osman, Shahin, dhe kaloi përsëri nën sundimin e Gjergjit II Balshës. Këtë qytet, bashkë me kështjellat e afërta të Drishtit, Dejës e Shasit (Suaçit), si dhe territorin e tyre, Gjergji II i dorëzoi në duart e Venedikut (prill 1396). Pinjolli i Balshajve mbajti për vete viset e Tejbunës, me Ulqinin e Tivarin. Për viset e lëshuara ai do të merrte një provizion (shpërblim në para) vjetor nga Republika e Venedikut.

Heqja dorë nga territore të rëndësishme në dobi të Republikës së Venedikut, në një moment të vështirë për të, u duk se të paktën i siguroi Gjergjit II Balsha më në fund miqësinë e Republikës së detrave. Gjergji u pranua në gjirin e fisnikërisë veneciane dhe të Këshillit të Madh të Republikës. Me këmbënguljen e tij, atij iu lejua që të ngrinte flamurin venecian në zotërimet e mbetura Tejbunës, gjë që do të thoshte se ato viheshin nën mbrojtjen veneciane. Venediku gjithashtu hoqi dorë nga përkrahja që u kishte dhënë deri atëherë rivalëve të Gjergjit II, në radhë të parë Radik Gjurashit (Cërnojeviçit). Në këtë mënyrë, Cërnojeviçi u ndodh i vetëm përballë hakmarrjes së Balshës, i cili që në fund të muajit prill 1396 e sulmoi në zotërimet e tij, duke e lënë edhe atë vetë të vrarë. Po ashtu, ai vuri nën trysni edhe kundërshtarët e tjerë të rrezikshëm të tij, si Dukagjinët, Jonimët e Zahariajt, si dhe princin serb Vuk Lazareviç, që synonte t’i rrëmbente zotërimet Balshës. Të gjithë këta zotër, kush më shumë e kush më pak, ishin kthyer në vasalë të sulltan Bajazitit I.

Afrimi i Venedikut nuk e ndaloi Gjergjin II të vazhdonte lidhjet tradicionale me kundërshtarët e Republikës detare, me Raguzën dhe Mbretërinë e Hungarisë. Si njëra dhe tjetra vazhduan ta mbështesin princin shqiptar (princeps Albaniae), siç e quante atë mbreti Sigizmund i Hungarisë.
Nga ana tjetër, Gjergji II u mundua deri në fund të ruante një farë distance nga osmanët. Ndryshe nga mjaft fisnikë shqiptarë dhe shumë të tjerë ballkanikë, ai nuk shkoi të ndihmojë sulltan Bajazitin I në betejën e Ankarasë kundër mongolëve të Timurlengut. Gjergji II Balsha vdiq aty nga fillimi i vitit 1403 në qytetin e tij të Ulqinit.
Më i shquari nga brezi i dytë i Balshajve ishte pa dyshim djali i Gjergjit II, Balsha III (1403-1421). Një nga aktet e para të këtij, pasi mori frenat e pushtetit, ishte pikërisht rifitimi i Shkodrës dhe i qendrave të tjera të principatës, tashmë në dorë të Venedikut.

Në tetorin e vitit 1404 Shkodra dhe Drishti u morën me sulm nga Balsha. Republika e Venedikut u detyrua të mobilizonte flotën e saj dhe ta dërgonte urgjentisht në Shkodër. Njëherësh ajo joshi dhe shkëputi nga Balsha III aleatë e vasalë të tij, si Dukagjinët, Zahariajt, Jonimët, Gjurashët e Gentës së Sipërme. Në këtë mënyrë, kundërmësymja e Venedikut përfundoi në korrik 1405 me ripushtimin e Shkodrës e të Drishtit, si dhe të Ulqinit, Tivarit e të Buduës. Megjithatë, të ndërgjegjshëm për mbështetjen që kishte në të gjithë atë trevë Balsha III, i cili në shkurt-mars 1407 rifilloi sulmet kundër tyre, venecianët u treguan të gatshëm t’i ofronin atij një paqë. Me ndërmjetësinë e Niketë Topisë, vjehrrit të Balshës, paqja u nënshkrua në qershor 1408 në kishën e Shën Laurentit, jashtë mureve të Durrësit. Garantë të paqes ishin ndër të tjerë Niketë Topia, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Kastrioti e Merksha i Vlorës. Venediku pranoi t’i lëshonte Balshës Buduën me rrethina, si dhe viset e Tejbunës. Venediku pranoi t’i jepte Balshës III një provizion vjetor prej 1 500 dukatësh. Të dyja palët u morën vesh të bënin një amnisti të përgjithshme dhe të shkëmbenin robërit e luftës.

Por Venediku nuk vonoi t’i shkelte kushtet e paqës. Në vitin 1410 ai nënshkroi një paqe të shumëkërkuar me osmanët. Provizionin që i paguante si Gjergjit II Balshës, edhe Balshës III për qytetin e Shkodrës Venediku ua kaloi osmanëve. I mbështetur nga popullsia e pakënaqur e viseve të Shkodrës, të Ulqinit e të Tivarit dhe nga mjaft krerë shqiptarë, që u bashkuan me të, Balsha III rifilloi sulmet mbi zotërimet e Venedikut. Një flotë e tij arriti, madje, të depërtonte në Bunë dhe të futej në liqenin e Shkodrës në mars 1410. Megjithëse të mbështetur nga komandanti osman i Shkupit, Bajaziti, venecianët nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të Balshës, që mbështetej nga kryengritja që kishte përfshirë gjithë trevat veriperëndimore shqiptare. Me porosi të Senatit, kapiteni i flotës së Adriatikut, Pjetër Loredani, i ofroi Balshës kushtet e paqes të vitit 1408. Por ndërkohë pozitat e këtij të fundit ishin forcuar së tepërmi. Mjaft nga krerët shqiptarë të malësive të Buduës, të Tivarit e të Shkodrës qenë bashkuar me të.

Njëherësh, sundimtari i fuqishëm i Bosnjës, Sandali, që ishte bërë njerku i tij pas martesës me nënën e Balshës, Helenën (dhjetor 1411), filloi të bënte presion mbi Venedikun që t’i kthente zotërimet atërore thjeshtrit të tij. Si rrjedhim, brenda vitit 1412 Balsha mundi të shtinte në dorë qytetet e Tivarit e të Shkodrës. Venedikut s’i mbetej tjetër veçse të ulej në tryezën e bisedimeve me sundimtarin shqiptar. Në paqen e arritur midis tyre në nëntor 1412 Balshës i njihej e drejta e zotërimit të Buduës, të Ulqinit e të Tivarit (por duhej të linte Shkodrën) kundrejt dhënies së provizionit vjetor prej 1 000 dukatesh. Balsha, nga ana e tij, zotohej të hiqte dorë nga çdo pretendim tjetër territorial, të pushonte sulmet mbi kështjellat dhe njerëzit e Venedikut dhe të mos hakmerrej ndaj shtetasve të tij që kishin bashkëpunuar me këtë të fundit. Në fakt, Balsha II nuk iu përmbajt kësaj klauzole të fundit. Ai zuri, vrau, gjymtoi dhe torturoi mjaft burra nga bashkësitë e Hotëve, Tuzëve, Bitidosëve, Matagushëve. Nga ana tjetër, ai ndihej aq i fuqishëm sa të vazhdonte të sulmonte anijet, karvanet e deri forcat e kështjellat e Venedikut. Në fillim të vitit 1419 Balsha III rrethoi Drishtin dhe qyteti, veç kështjellës së sipërme, u mor prej tij në qershor të po atij viti. Ndihma që osmanët i dërguan sakaq garnizonit venecian të Drishtit (rreth 8 mijë ushtarë) nuk luajti rol. Më 25 gusht 1419 garnizoni venecian i qytetit me podestan Korrer në krye iu dorëzua sundimtarit shqiptar, i cili e vazhdoi paskëtaj mësymjen në Shkodër, duke shtënë në dorë territorin jashtë qytetit. Oferta që ai i bëri Republikës për të nënshkruar një paqe kundrejt lëshimit të Shkodrës nuk u pranua nga kjo e fundit. Në fund të vitit 1420 Balsha III sulmoi Kotorrin, rival i përhershëm i Balshajve, që po atë vit kishte pranuar sundimin e Venedikut. Ndihma që Balsha priste t’i vinte nga veriu prej njerkut të tij, Sandalit të Bosnjës, nuk u duk dhe, në betejën e ashpër që u zhvillua në janarin e vitit 1421 jashtë mureve të qytetit, ushtria e Balshës u thye keqas. Disa muaj më vonë pinjolli i fundit i Balshëve vdiq (26 prill 1421) pa mundur të rikrijonte zotërimin e pavarur të paraardhësve të tij të mëdhenj.

Historia shqiptare

 

[cite]