Rrethimi III i Krujës (1467). Vdekja e Skënderbeut (17 janar 1468)

Rrethimi III i Krujës (1467). Vdekja e Skënderbeut (17 janar 1468)

Në mars të vitit 1467, kur Skënderbeu gjendej në Itali, nëpunësit osmanë kryen regjistrimin e popullsisë e të tokave në një rajon të kufizuar të viseve të shkelura prej tyre për të vendosur në to sistemin feudal ushtarak të timareve. Ky regjistrim dëshmon mirë për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në luftë. Sipas tij, dhjetëra fshatra ishin shkatërruar dhe braktisur nga popullsia, kurse shumica e fshatrave të tjera kishin mbetur me pak banorë dhe kishin nga një familje deri në dhjetë. Kjo pamje e shkretuar e vendit ishte shkaktuar nga rrënimet e luftës dhe masakrat e pushtuesve. Ajo lidhej edhe me largimin e popullsisë shqiptare, të paaftë për luftë, në vende të sigurta e të paarritshme për armiqtë, ndërkohë që të tjerë gjendeshin në radhët e njësive luftarake të Skënderbeut. Për më tej dhuna e pushtuesit dhe uria detyroi të emigronin nga Shqipëria në vendet e tjera, kryesisht në Itali, me mijëra e mijëra shqiptarë.Regjistri tregon se osmanët kishin arritur përkohësisht të shtinin në dorë një numër kështjellash të Skënderbeut, që kontrollonin rrugët e komunikimit të Krujës me viset që shtriheshin në lindje të saj, si Stelushin, Gurin e Bardhë, Koxhaxhikun e Rahovnikun (Dibrën). Gjithashtu ai dëshmon se, në atë kohë, ndërmjet shqiptarëve dhe osmanëve ishin zhvilluar luftime të ashpra në tri rajone kryesore: në atë të Krujës, të Koxhaxhikut (në luginën e Drinit të Zi dhe në juglindje të Dibrës) dhe të Rekës (në verilindje të Dibrës). Në këto rajone shumë fshatra ishin braktisur tërësisht nga banorët për shkak të luftimeve të ashpra që ishin zhvilluar pranë tyre. Ndërkohë osmanët u përpoqën të vinin nën kontrollin e plotë të tyre edhe rajone të tjera, prandaj vijuan riregjistrimin kadastral të tyre, në rajonet e Tetovës, të Kërçovës etj. Krahas premtimit për postin e dizdarit të Krujës, në tetor të vitit 1466 sulltani i kishte dhënë në zotërim Ballaban Beut një timar të madh në rajonin e Tetovës, me qëllim që të luftonte sa më energjikisht për nënshtrimin e atyre viseve.
Në ditët e para të prillit të vitit 1467, Skënderbeu u kthye në atdhe nga Italia. Në gjirin e popullit të vet, si gjithnjë, ai gjeti besimin e patundur, dashurinë e pakufishme dhe gatishmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur lirinë e vendit të tyre. Skënderbeu organizoi menjëherë një ushtri të fuqishme prej 16 mijë luftëtarësh. Rradhët e saj vazhdimisht shtoheshin, sepse, siç tregonte një raguzan, “arbërit vërshonin drejt Skënderbeut”.

Me këto forca, më 19 prill 1467, Skënderbeu sulmoi papritur dhe shpartalloi krejtësisht një ushtri që shkonte në përforcim të trupave osmane që mbanin të rrethuar Krujën. Komandanti i saj, i cili ishte vëllai i Ballabanit, Jonima, bashkë me të birin, ranë rob në duart e shqiptarëve. Pas katër ditësh, më 23 prill, luftëtarët e Skënderbeut marshuan me shpejtësi në drejtim të Krujës. Këta, duke bashkërenduar veprimet e tyre me kundërsulmet e garnizonit të kështjellës, e futën ushtrinë osmane ndërmjet dy zjarreve dhe e shpartalluan keqas. Gjatë betejës Ballaban Beu u vra nga një mbrojtës krutan i kështjellës, Gjergj Aleksi. Ai u varros në Petrelë.
Trupat osmane u tërhoqën të shpartalluara dhe shqiptarët çliruan kështjellat që u pushtuan gjatë rrethimit të dytë të Krujës. Skënderbeu rrethoi edhe kështjellën e Elbasanit, por, duke mos pasur artileri, nuk e mori dot.
Me këto fitore shqiptarët i dhanë fund rrethimit të dytë të Krujës, duke u shkaktuar humbje të rënda forcave ushtarake të Perandorisë Osmane. Megjithëkëtë sulltan Mehmeti II nuk hoqi dorë nga synimi i tij për ta mposhtur sa më shpejt qëndresën shqiptare.

Pa kaluar një muaj nga shpartallimi i trupave të Ballabanit, në fund të majit të vitit 1467, sulltan Mehmeti II erdhi përsëri në Shqipërinë me të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Kur u futën në luginën e Shkumbinit, trupat armike u goditën prej luftëtarëve shqiptarë. Duke përshkruar zhvillimin e kësaj beteje, historiani osman Ibn Kemal shkruante se pranë Bushekut (në juglindje të Elbasanit) “arbërit e ndezën zjarrin e luftës, morën në duart e tyre ushtat, të cilat u ngjajnë gjarpërinjve helmues dhe qëndruan në grykat e shpellave. Ata luftuan deri kur erdhi koha e mbrëmjes … Kur lufta pushoi, u grumbulluan të gjithë në një vend dhe në mëngjes dolën si një lumë nga lugina dhe u vërsulën menjëherë mbi ushtrinë e Anadollit”. Beteja ishte e ashpër. Asnjëra palë nuk mundi të sigurojë fitoren. Lidhur me këtë ngjarje kronisti bizantin Kritobuli vinte në dukje se “sulltani pasi urdhëroi ushtarët që të grabisnin e të plaçkisnin … la maleve pjesën më të madhe dhe më luftarake të ushtrisë … kurse ai duke qëndruar bashkë me pjesën tjetër të ushtrisë, plaçkiste vise të tjera të vendit, duke marshuar me ndalesa dhe duke ngritur fushime”. Pas këtyre veprimeve, sulltani me pjesën kryesore të ushtrisë rrethoi Krujën duke menduar se mbrojtësit e saj, të lodhur nga rrethimi i mëparshëm njëvjeçar, nuk do t’u bënin dot ballë goditjeve të reja. Trupat osmane sulmuan gjithashtu Durrësin dhe qendra të tjera të fortifikuara.

Ashtu si në rrethimet e mëparshme të Krujës, Skënderbeu me pjesën kryesore të trupave shqiptare qëndroi në rrethinat e saj dhe prej andej organizoi vazhdimisht sulme mbi forcat osmane, që mbanin të rrethuar kështjellën, e cila mbrohej si edhe më parë nga garnizoni i saj nën komandën e Tanush Topisë.
Përballë vendosmërisë së patundur të shqiptarëve për të mbrojtur me çdo kusht lirinë e vendit, i bindur plotësisht se me forcën e armëve nuk mund të mposhtej qëndresa shqiptare, sulltan Mehmeti II vendosi të përdorte tani, me përmasa shumë më të gjera se më parë, mjetin më ekstrem: shfarosjen në masë të popullsisë.

Jo vetëm te kronistët bizantinë e osmanë, si bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, por edhe në letërkëmbimin e atyre ditëve dhe në dokumente të tjera të kohës, përmenden në mënyrë të veçantë masakrat e ushtrive osmane gjatë vitit 1467 në Shqipëri. Në to vihen në dukje “mizoritë e pashembullta të sulltanit, i cili as për siguri e as për dhimbje nuk të fal dhe nuk ka mëshirë”, që “po bën në Arbëri një mijë dhunime, vrasje e mizori dhe po djeg e shkatërron një popull të tërë”. Këto veprime shtazarake shfarosën me mijëra e mijëra njerëz, mijëra e mijëra të tjerë u detyruan të linin trojet e tyre e të merrnin rrugët e mërgimit, por, megjithëkëtë, ai nuk arriti të thyente vullnetin dhe qëndresën e një populli të tërë, që luftonte për të mbrojtur lirinë e vendit të vet.

Në mbarim të verës, trupat osmane me sulltan “fitimtarin” në krye, të rraskapitura dhe pa asnjë shpresë fitoreje, morën rrugën e kthimit të ndjekura këmba-këmbës prej luftëtarëve shqiptarë. Si rrjedhojë e humbjeve të rënda, që pësuan trupat osmane gjatë viteve 1466-1467, sulltan Mehmeti II u detyrua të hiqte dorë për disa vjet nga plani i tij për pushtimin e Shqipërisë nëpërmjet fushatave të mëdha ushtarake.

Pas largimit të trupave osmane, si detyrë e ngutshme përpara vendit qëndronte përballimi i rrënimeve dhe vështirësive të shumta të shkaktuara nga lufta. Për masat që duheshin marrë në këtë drejtim, në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë Kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit të Kirit. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur. Pas disa ditësh, më 17 janar 1468, në Lezhë, pushoi së rrahuri zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. “Me vdekjen e tij, – theksohej ato ditë në Senatin e Venedikut, – arbërit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe”.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi Besëlidhjen Shqiptare.

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]