Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit II (1466). Kërkesat e Skënderbeut ndaj shteteve italiane
Në gjysmën e parë të viteve 60 kufijtë e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u zgjeruan. Brenda saj u përfshinë Bosnja Jugore dhe Peloponezi. I ndodhur në kushte të favorshme si asnjëherë tjetër, sulltan Mehmeti II, i mbiquajtur “Pushtuesi” (Fatihu), kërkoi të mposhtej me çdo kusht qëndresa heroike shqiptare dhe të dilte në detin Adriatik. Ai parashikoi ta bënte atë nëpërmjet një fushate ushtarake të tillë, që do të ishte më e fuqishmja nga të gjitha ato që ishin organizuar deri atëherë kundër shqiptarëve.
Me kohë erdhën në Shqipëri njoftimet për përgatitjen që po bënte oborri osman për organizimin e një fushate ushtarake shumë të fuqishme kundër Shqipërisë. Ndërkohë shqiptarët ndërmorën masa energjike për fuqizimin e mbrojtjes së vendit, përforcuan kështjellat, fortesat etj. Kujdes të veçantë ata i kushtuan mbrojtjes së qytetit të Krujës. Garnizoni i kështjellës u vu nën komandën e Tanush Topisë dhe u pajis me mjete të shumta luftarake dhe me ushqimet e nevojshme për të përballuar një rrethim sa më të gjatë. Popullsia e paaftë për luftë, bagëtitë, pasuritë e ndryshme u vendosën nëpër malësi e vende të sigurta.
Në pranverë të vitit 1466, në krye të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, sulltan Mehmeti II mori rrugët në drejtim të Krujës. Pasi arriti në fillim të muajit maj në Manastir, iu drejtua viseve të lira shqiptare, duke marshuar nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Kur ushtria osmane hyri në viset e lira u gjend nën sulmet e pandërprera të çetave të shumta shqiptare, të cilat kishin zënë grykat dhe shtigjet. Me vështirësi të mëdha e me humbje të ndjeshme, ajo arriti të vendosej në fushën pranë Krujës.
Përballë taktikës së Skënderbeut, sulltani e ndau ushtrinë e vet në dy pjesë. Njëra e pajisur me të gjitha mjetet luftarake të kohës, duke përfshirë edhe topa, rrethoi Krujën. Tjetra mori urdhër të ndiqte e të asgjësonte ushtrinë shqiptare që vepronte jashtë kështjellës nën komandën e Skënderbeut, si dhe çetat e shumta që sulmonin karvanet e furnizimit.
Sulltan Mehmeti II u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së Krujës dorëzimin e menjëhershëm dhe, pas kundërshtimit të tyre, ai urdhëroi marrjen e saj me luftë. Sulmet e furishme që ndërmorën trupat osmane, mbrojtësit e Krujës i përballuan me sukses. Detyrën atyre ua lehtësonin goditjet e furishme dhe shpartalluese të luftëtarëve që vepronin jashtë kështjellës nën komandën e Skënderbeut. Ata i bashkërendonin veprimet e tyre me kundërsulmet e mbrojtësve të Krujës. Duke përshkruar këto luftime, M. Barleci shkruante se “Skënderbeu me forca e ushtri të fuqishme e sulmonte çdo ditë fushimin e Mehmetit II dhe nuk i linte për asnjë çast të qetë… lëshohej pa pushim mbi të dhe, si një përrua që zbret nga malet pas shirave të mëdha mbyt dhe rrëmben çdo gjë me vete, po ashtu edhe Skënderbeu lëshohej pa pushim mbi fushimin turk, herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër, e trondiste atë kudo, i shkaktonte armikut vrasje, dëme dhe humbje shumë të mëdha”.
Kudo që vepronin luftëtarët shqiptarë, si sulmues nën drejtimin e Skënderbeut, nëpër çetat, apo si mbrojtës të kështjellave, treguan trimëri të papërshkruar, që la gjurmë të pashlyeshme edhe te armiqtë dhe u përjetësua në veprat e historianëve të vjetër osmanë. Njëri prej këtyre, Idriz Bitlisiu vinte në dukje me këtë rast se shqiptarët “janë nga natyra trima e guximtarë sa nuk ka ku të vejë më. Në sulm e në qëndresë janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e shiut të vuajtjeve e të fatkeqësive ata i presin me kraharorët e tyre të hapur dhe nuk vënë kurrë para armikut mburojën e dobësisë e të përuljes”. Kurse Qemal pasha Zade ka shkruar për këto ngjarje se edhe “luftëtari më i dobët i arbërve është nga më trimat e fushës së luftës, tamam sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë, as mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima, ka ushta maja e të cilave është plot helm si thumbi i grerëzave, ka edhe një hark prej druri e bashkë me të disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri”.
Pas më se dy muaj luftimesh të ashpra, sulltan Mehmeti II u bind edhe këtë herë se Kruja nuk mund të pushtohej me forcën e armëve. Prandaj ai mendoi nënshtrimin e saj nëpërmjet një rrethimi të vazhdueshëm derisa uria t’i detyronte mbrojtësit e Krujës të dorëzoheshin. Këtë detyrë ia ngarkoi Ballaban Beut, duke i lënë nën komandë një pjesë të ushtrisë. Krahas rrethimit të kështjellës së Krujës, ata do të ushtronin një presion të pandërprerë mbi të gjitha viset e lira shqiptare. Për të mbështetur veprimtarinë luftarake të trupave të Ballabanit, furnizimin e tyre me mjete lufte dhe me ushqime, si dhe për të shkëputur nga trungu i shtetit shqiptar një pjesë të tij, Mehmeti II vendosi që të rindërtohej plotësisht e të fuqizohej fortesa e lashtë e Valmit në luginën e lumit Shkumbin. Punimet u bënë në prani të sulltanit dhe vazhduan me vrull një muaj të tërë. Ato përfunduan në korrik të vitit 1466. Për të shprehur rëndësinë e veçantë që kishte kjo fortesë për zhvillimin e mëtejshëm të luftës, sulltani i vuri emrin Ilbasan (Elbasan) d.m.th. “vend që sundon”.
Në korrik të vitit 1466 sulltan Mehmeti II bashkë me pjesën më të madhe të ushtrisë mori rrugën e largimit nga Shqipëria. Në fund të korrikut ata ishin në Manastir dhe vijuan rrugën në drejtim të Përlepit, Shtipit e Plovdivit për të arritur në Stamboll. Pas largimit nga Elbasani ushtria osmane pushtoi përfundimisht qytetin e Ohrit. Banorët e tij luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre, prandaj sulltan Mehmeti II arrestoi dhe i internoi në Stamboll kryepeshkopin e Ohrit, Dorotheun, bashkë me shumë fisnikë e klerikë të tjerë të qytetit. Me premtimin se nuk do t’i trazonte, sulltan Mehmeti II arriti të shtinte në dorë me mijëra e mijëra njerëz që ishin strehuar në një rajon malor të quajtur Kidna. Gjithnjë sipas rrëfimit të M. Barlecit, si hakmarrje për disfatën e pësuar, sulltani masakroi barbarisht afro 8 mijë veta të strehuar në atë rajon malor. Por edhe masakra të tilla nuk i ligështuan shqiptarët. Këta i vazhduan luftimet edhe pas largimit të sulltanit, duke mbrojtur Krujën dhe u përpoqën të shtinin në dorë kështjellën e Elbasanit, e cila bashkë me Ohrin u krijoi mundësi osmanëve të kontrollonin lëvizjet nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjendja ekonomike e vendit ishte përkeqësuar dhe uria po i kërcënonte shqiptarët. Duheshin siguruar ndihma në ushqime, në armë etj.
Luftimet e vitit 1466 në Shqipëri, ishin të përmasave të mëdha dhe të një rëndësie të veçantë edhe për fatin e Italisë e të vendeve të tjera evropiane. Prandaj ato tërhoqën vëmendjen e tyre, sepse, siç thuhej ato ditë, trupat osmane “ishin në dyert e Italisë” dhe po të binte qëndresa shqiptare, ajo do të ishte viktimë e tyre.
Në këto rrethana, në fund të majit 1466 u mblodhën në Romë ambasadorët e shumë shteteve italiane. Me këtë rast Papa u kërkoi që të bashkoheshin jo vetëm forcat e shteteve italiane, por edhe të vendeve të tjera evropiane, për të përballuar sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane mbi Italinë. Kjo situatë e rrezikshme për shtetet evropiane duhej t’i nxiste ato që t’u dërgonin shqiptarëve ndihma ekonomike dhe ushtarake.
Për të përballuar gjendjen shumë të rëndë të vendit të vet, Skënderbeu iu drejtua për ndihmë shteteve italiane. Ai dërgoi në Venedik të birin, Gjonin, ndërsa në nëntor të vitit 1466 u nis vetë për në Napoli e në Romë. Ai qëndroi në Itali deri në fund të marsit të vitit 1467, ndërkohë që trupat osmane mbanin të rrethuar Krujën.
Misioni i djalit të Skënderbeut në Venedik nuk dha përfundimet që priteshin, sepse ndihmat për shqiptarët shiheshin atje si shpenzime të shumta e të paleverdisshme. Megjithëkëtë, për të ndihmuar Skënderbeun Republika e Shën Markut kishte dërguar pranë tij një numër ushtarësh, ndërkohë përpiqej të rifillonte bisedimet për paqe me osmanët.
Komandanti i trupave osmane në Shqipëri, Ballaban Beu, ndoqi me vëmendje veprimtarinë diplomatike të Skënderbeut në Itali dhe u përpoq që ky të dështonte në misionin e vet. Osmanët i kërcënuan vendet e tjera dhe e detyruan Senatin e Raguzës të ndalonte ardhjen e Skënderbeut në këtë qytet gjatë udhëtimit për në Itali. Ndërkohë përfaqësues të Ballaban Beut shkuan në oborrin napolitan për të penguar ndihmat për shqiptarët. Me sa duket Ballabani deri diku ia arriti këtij qëllimi, sepse gjatë muajve nëntor-dhjetor 1466, kur Skënderbeu ishte në Napoli, nuk siguroi ndonjë ndihmë të rëndësishme prej oborrit napolitan.
Pas Napolit, i shoqëruar me pak kalorës, Skënderbeu shkoi në Romë. Banorët e saj i rezervuan atij një pritje aq masive, madhështore e triumfale, saqë nuk ishte parë ndonjëherë në atë qytet. Kjo pritje ishte shprehja më e qartë dhe e sinqertë e ndjenjave të vërteta të popullit italian për luftën e popullit shqiptar dhe udhëheqësin e tij. Papa organizoi për Skënderbeun ceremoni zyrtare, por ndihma materiale e tij qe e vogël për nevojat e ngutshme të shqiptarëve, gjë që e bëri të pakënaqur komandantin shqiptar. Në çastet e largimit të tij nga Roma, shkruanin ato ditë bashkëkohësit, Skënderbeu u shpreh plot sarkazëm se “më parë do të donte të bënte luftë me kishën sesa me turkun”, dhe “nuk besonte se mund të gjendej shpirtvogëlsi më e madhe në botë sesa te këta priftërinj”. Pas një qëndrimi dymujor Skënderbeu u largua nga Roma dhe u kthye sërish në Napoli, ku qëndroi gjatë, por nuk siguroi ndonjë ndihmë efektive. Edhe mbreti Ferdinand i Napolit, ashtu si Venediku, përpiqej të shmangte rrezikun osman mbi shtetin e tij, jo aq me veprime efektive ushtarake sesa me anën e bisedimeve sekrete për paqe me sulltan Mehmetin II.