Qëndresa antiosmane e shqiptarëve të Moresë në shek. XV

Qëndresa antiosmane e shqiptarëve të Moresë në shek. XV

Si rezultat i emigrimeve masive, që vazhduan gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XV, Morea (Peleponezi) kishte në këtë kohë një popullsi shqiptare mjaft të dendur. Ngulimet shqiptare qenë të shpërndara në të gjitha hapësirat e Moresë, në Akne, Korint, Argi, Arkadi, Meseni, Bardhuni, Majnë e në Lakoni. Dokumentet veneciane dhe regjistrat osmanë të kësaj kohe japin të dhëna mjaft interesante për shpërndarjen e ngulimeve shqiptare në More, për organizimin e bashkësive shqiptare, veprimtarinë prodhuese të tyre, për marrëdhëniet e tyre me autoritetet vendase etj. Sipas tyre në mjaft zona shqiptarët përbënin popullsinë dërrmuese. Kështu, sipas një regjistri osman të gjysmës së dytë të shek. XV, del se 155 qendërbanime ndër 198 që kishin nahijet e Kallandricës, Sandamerit, Grebenesë e të Hllamucit, në Morenë veriore e të mesme, ishin të banuara nga shqiptarë. Raporte të ngjashme demografike ndeshen edhe në zona të tjera, në Korint, Arkadi, Majnë, Meseni, Lakoni etj. Mbi bazën e një pranie të tillë masive të banorëve shqiptarë, zona të tëra në More cilësohen shpesh nga burimet e kohës si vende të arbërve.
Qendërbanimet e shqiptarëve të Moresë kishin në shumicën e tyre emra karakteristikë shqiptarë që pasqyronin ose emrin e origjinës së banorëve ose emrin e familjes kryesore të bashkësisë. Ndër emrat më tipikë të këtyre qendërbanimeve përmenden të tilla si: Lëndina, Mali, Lumi, Ripësi, Balta, Buzë-Mazi, Golemi, Kryekuqi, Zoga, Lalushi, Mansi, Voriboba, Floka, Këmbëthekra, Matringa, Muzaka, Belushi etj.

Qendërbanimet shqiptare të Moresë ishin të karakterit bujqësor dhe blegtoral. Ato përbëheshin nga territori i banuar dhe nga sipërfaqja e arave, ullishteve, kullotave, pyjeve etj. Për shfrytëzimin e tyre, ashtu si banorët e tjerë, shqiptarët duhej t`u paguanin detyrimet përkatëse zotërve ligjorë të tokës, që ishin sipas rastit Perandoria Bizantine, despotët e Moresë, princët latinë të Akesë apo të Athinës, Republika e Venedikut ose, në fund, edhe sulltani osman. Gjithsesi detyrimi kryesor që shqiptarët duhej t’u ofronin sundimtarëve të vendit, ishte shërbimi ushtarak, që kryhej nga burrat e aftë për luftë, kryesisht në mbrojtjen e kështjellave në rast rreziku. Nga shek. XV fillojnë të bëhen gjithnjë më të shpeshta në More repartet e luftëtarëve profesionistë shqiptarë (stratiotët). Këto ishin njësi të kalorësisë së lehtë që ndonjëherë përfshinin disa mijëra luftëtarë. Nën komandën e një kreu stratiotët shqiptarë siguruan për një kohë të gjatë mbrojtjen e kështjellave nga sulmet osmane. Repartet e stratiotëve ngriheshin mbi bazën e përkatësisë së njëjtë etnike, por në to luanin rol edhe lidhjet familjare. Pjesëtarët e tyre ishin shpeshherë anëtarë të një ose më shumë grupeve familjare. Një gjë e tillë i bënte repartet e stratiotëve njësi vërtet të qëndrueshme dhe koherente. Moment i rëndësishëm i këtij kohezioni qe figura e komandantit të stratiotëve (capo stratioti). Ky gëzonte një autoritet të padiskutueshëm, që rridhte si nga prejardhja ashtu dhe nga virtytet dhe lavdia e tij luftarake.

Stratiotët shqiptarë u bënë kështu protagonistët e qëndresës kundër invazionit osman në More.
Në fillim të shek. XV Peloponezi vazhdonte të ishte i copëtuar politikisht midis sundimtarëve të ndryshëm. Pjesa veriore e tij ndahej ndërmjet princit gjenovez Asani II Açajuoli, kurse pjesa jugore qeverisej nga despotët bizantinë të familjes perandorake të Paleologëve. Nga ana e vet, Republika e Venedikut kontrollonte një numër kështjellash strategjike të shpërndara gjatë bregdetit, siç ishin ato të Koronës, Modonit, Nauplionit etj. Burimet e kohës njoftojnë se në zona të gjera të Peloponezit, si në Arkadi, Bardhuni, Mainë etj., kishte bashkësi të tëra shqiptare që qëndronin më vete e qeveriseshin nga krerët e tyre. Një numër akoma më i madh fshatrash shqiptare ishin nën juridiksionin e sundimtarëve të huaj të Peloponezit. Shqiptarët përbënin gjithsesi forcën kryesore ushtarake të këtyre sundimtarëve. Kjo është arsyeja që shqiptarët e Peloponezit, pavarësisht nga statusi i tyre, u bënë këtu faktori kryesor i qëndresës antiosmane.

Ballafaqimi i parë i shqiptarëve të Peloponezit me osmanët u bë në vitin 1432. Komandanti turk i Thesalisë, Turhan Pasha, kreu atë vit një inkursion që preku deri viset qendrore të Peloponezit. Ndërkohë që despotët bizantinë dhe sundimtarët e tjerë të Peloponezit nxituan të binin në ujdi me Turhan Pashën, shqiptarët i bënë këtij një qëndresë të ashpër. Qendra e saj u bë Davi, lokaliteti i Arkadisë së banuar nga popullsi e dendur shqiptare. Pas betejash të përgjakshme, forcat osmane mundën të fitojnë epërsi e t’i thyejnë shqiptarët në një sulm vendimtar. Shumë prej këtyre mbetën të vrarë. Turhan Pasha urdhëroi të thereshin deri tek i fundit kryengritësit shqiptarë, që u zunë rob e që ishin rreth 800 veta, dhe me kokat e prera të tyre u ngritën pirgje.

Në vitin 1444 shënohet një tjetër moment i rëndësishëm i qëndresës antiosmane të shqiptarëve të Moresë. Kësaj radhe kundër osmanëve u ngrit edhe despoti Konstantin Paleologu, i cili shpresonte të shfrytëzonte rastin për të shtrirë sundimin e tij në krejt Peloponezin, madje edhe përtej tij. Në fakt tentativa e tij gjeti përkrahje jo vetëm te shqiptarët e Peloponezit, por edhe tek ata të Beocisë, Atikës e Thesalisë. Autoriteti i sulltanit në këto vende u godit rëndë dhe në fund të vjeshtës vetë sulltan Murati II u nis me një ushtri të madhe kundër kryengritësve. Pasi shkatërruan murin mbrojtës të istmit të Korintit (Eksamilin) që ndante Peloponezin nga kontinenti, ushtritë osmane u derdhën duke e shtruar vendin në zjarr e hekur. Despoti Konstandin i trembur nga reagimi i egër i Sulltanit nxitoi të kërkojë ujdi me të, duke pranuar të bëhej vasal i tij si dhe duke dhënë një tribut tepër të rëndë. Sidoqoftë edhe pas kësaj fushate, osmanët ende nuk vendosën të instalonin garnizone ushtarake në Peloponez, në Atikë e në Beoci, siç kishin bërë në Thesali e Maqedoni.
Ballafaqimi me osmanët nxori në pah edhe kontradiktat midis shqiptarëve dhe sundimtarëve greko-bizantinë të Peloponezit. Ndërsa të parët i tërhiqte në qëndresën antiosmane dëshira për të ruajtur lirinë dhe pronat e veta, të dytët bashkoheshin me të për të ruajtur e zgjeruar privilegjet e zotërimet e tyre. Qëllimet egoiste i shtrëngonin këta të kërkonin me rastin më të parë kompromis me pushtuesin.

Kundërshtia e motiveve dhe e interesave çoi pashmangërisht në konflikt të hapur midis despotëve greko-bizantinë dhe shtetasve të tyre shqiptarë. Në vitin 1453 shqiptarët e Peloponezit të udhëhequr nga Pjetër Bua dhe Teodor Buhali, ngritën krye kundër despotëve Dhimitër e Thoma Paleologu. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua dhe princi i Akesë, Centurion Zakaria. Shqiptarët i ofruan shërbim Venedikut nëpërmjet qeveritarit venecian të Koron-Madonës. Senati e urdhëroi këtë që “t’i mbante arbërit me shpresë, duke i nxitur e dhënë kurajo për të luftuar trimërisht”. Por vetë nuk u angazhua, përkundrazi. Në korrik 1454 Venediku dërgoi një legat në More, i cili kishte për detyrë që të paqëtonte shqiptarët me despotët. Megjithatë, shqiptarët nuk dëgjuan të merreshin vesh me despotët Paleologë. Ata vendosën të njihnin si sundimtar të vendit Manuel Kantakuzenin, rival i të parëve. Burimet duan të thonë se Manueli dhe gruaja e tij për të vendosur këtë aleancë u detyruan të merrnin emrat shqiptarë Gjin e Kuqe. Pavarësisht se Buhali u zu rob gjatë një beteje, kryengritësit shqiptarë e rrezikuan rëndë pushtetin e despotëve Paleologë. Të dëbuar nga një pjesë e mirë e zotërimeve të tyre, këta iu drejtuan për ndihmë Turhan Pashës, i cili dërgoi menjëherë trupat e tij në Peloponez. Forcat e bashkuara osmano-greke u drejtuan më së pari në kështjellën e Bardhunies, ku shqiptarët ishin strehuar bashkë me familjet e tyre. Pas disa ditë luftimesh, këta u përpoqën të çajnë rrethimin, por pa sukses. Sipas historianit Halkokondili, turqit zunë rob rreth 10 mijë veta, më të shumtët ishin gra e fëmijë. Në Leondari, në luftë me forcat osmane, ra komandanti shqiptar Petro Buziqi. Paskëtaj forcat greko-osmane morën edhe fortesat e Itonit e të Aetosit, duke shtypur edhe kësaj here shqiptarët kryengritës. Një pjesë e mirë e këtyre u detyruan të pranojnë përsëri sundimtarët e vjetër.

Pas kësaj fushate u pa qartë se pengesa kryesore që u kundërvihej osmanëve në Peloponez ishin popullsitë e atjeshme shqiptare. Despotët bizantinë, në grindje me njëri-tjetrin e me sundimtarët e tjerë, ranë përfundimisht në gjendjen e vasalit të sulltanit. Ky i la ata akoma për ca kohë në krye të zotërimeve të tyre me kusht që të paguanin një haraç të rëndë dhe të mbanin nën fre shqiptarët e pabindur. Dhimitër e Thoma Paleologu nuk ishin në gjendje të plotësonin as njërin e as tjetrin nga këto kushte. Në prill të vitit 1458 vetë sulltan Mehmeti II u vu në krye të një ushtrie që në 15 maj kaloi fortifikimet e Heksamilit, të cilat mbronin kalimin e istmit të Korintit e u derdhën në Peloponez. Despotët Paleologë nisën me ngut një ambasadë për te sulltani, për t’i dorëzuar një pjesë të haraçit e për t’i dhënë provë të besnikërisë së tyre. Por kësaj radhe Mehmeti II kishte vendosur ta nënshtronte përfundimisht Peloponezin e t’i jepte fund sundimit të despotëve bizantinë. Prej Korintit, ushtria osmane depërtoi drejt jugut dhe u ndal nga shqiptarë vendas të prirë nga kreu i tyre, Dhoksi. Pas një qëndrese të ashpër, mbrojtësit shqiptarë pranuan ta dorëzojnë kështjellën kundrejt premtimit se ata dhe familjet e tyre nuk do të pësonin gjë. Megjithatë sulltani vuri një garnizon osman në kështjellë dhe mori me vete 300 fëmijë si pengje.

Prej Tarsit ekspedita osmane iu drejtua kështjellës së Fliundit, ku ishin grumbulluar shqiptarët dhe grekët e rrethinave. Përballë qëndresës së pamposhtur të të rrethuarve, osmanët tentuan t’i bindin ata të dorëzohen duke u prerë burimet e ujit. Historiani Halkokondili tregon se gjendja e të rrethuarve u bë aq e rëndë, saqë ata u detyruan të therin kafshët në mënyrë që me gjakun e tyre të shuanin etjen dhe të gatuanin bukën. Ndërkohë trupat jeniçere zbuluan një shteg të mureve të paruajtur, u derdhën nëpër të dhe dogjën e plaçkitën qytetin. Pothuaj krejt popullsia vendase u masakrua.
Paskëtaj osmanët iu drejtuan kështjellave Akriv dhe Rupel; dy ditë me radhë mbrojtësit e Rupelit, që ishin gjithashtu shqiptarë, u mbrojtën me vendosmëri. Por më në fund, përballë epërsisë absolute të forcave osmane ata vendosën të dorëzohen. Gjithë popullsia e Rupelit, me gra e fëmijë, u shpërngulën me forcë në Stamboll. Vetëm 20 shqiptarë që kishin luftuar më parë në Tars kundër sulltanit e që me të njëjtin qëllim kishin ardhur edhe në Rupel, iu nënshtruan hakmarrjes së Mehmetit II. Ky urdhëroi që t’u thyheshin gjymtyrët me gjyle hekuri.

Prej këndej trupat osmane vazhduan marshimin e tyre drejt jugut dhe rrethuan fortesën malore të Pazenikit. Fillimisht ata u përpoqën ta marrin me forcë këtë fortesë, por mbrojtësit shqiptarë të saj i thyen sulmet e njëpasnjëshme të osmanëve. Paskëtaj sulltani mendoi t’i bindë shqiptarët ta dorëzojnë me dëshirë fortesën e për këtë qëllim përdori si ndërmjetës Manuel Kantakuzenin, që gjatë kryengritjes së vitit 1454 ishte njohur nga shqiptarët si despot, në vend të Thomait e Dhimitrit. Por shqiptarët deklaruan se nuk kishin ndërmend t’i venin pas ish-prijësit të tyre në rrugën e bashkëpunimit me sulltanin. Përfundimisht, Mehmeti II u shtrëngua të hiqte rrethimin e Pazenikit e të merrte rrugën e kthimit drejt veriut. Përpara se të kapërcente istmin, Mehmeti II vendosi të pushtonte me çdo kusht fortesën e Korintit, të cilën trupat e tij e mbanin të rrethuar që nga fillimi i fushatës. Mbrojtësit e kështjellës, ndër të cilët shumë shqiptarë, u rezistuan trimërisht bombardimeve e sulmeve të pafund të osmanëve. Kur sulltani u bë gati të ngrinte rrethimin e të kthehej në Stamboll, disa fisnikë të qytetit me peshkopin grek në krye i çuan atij fjalë se mbrojtësit ishin në pikën e fundit të qëndresës, duke qenë se tashmë u ishin mbaruar të gjitha rezevat ushqimore. Ky lajm e bëri sulltanin të kthejë mendje e të sulmojë më me egërsi kështjellën e rrethuar. Më 6 gusht 1458 komandanti i kështjellës Mateo Asanes ua dorëzoi atë osmanëve, pasi u këshillua me zotërit e tij, despotët Thoma e Dhimitër Paleologu. Bashkë me Korintin këta u detyruan t’i lëshojnë sulltanit pjesën më të madhe të zotërimeve të tyre, Patrasin, Voshticën, Kalavriten etj., si dhe t’i japin atij një tribut vjetor prej 3 mijë dukatësh. Ndërkohë Mehmetit II i ishte dorëzuar edhe qyteti i Athinës. Gjatë kthimit për në Stamboll, sulltani bëri një vizitë në qytetin e famshëm, i pritur me nderim nga kleri që i dorëzoi në mënyrë solemne çelësat e qytetit.

Ngjarjet e vitit 1458 e prishën përfundimisht aleancën e shqiptarëve me despotët e paqëndrueshëm të Peloponezit, të cilët këtej e tutje sundonin si vasalë të thjeshtë të sulltanit në zotërimet e pakta që ky u la në Peloponez. Madje shumë shpejt dy vëllezërit Paleologë hynë në luftë me njëri-tjetrin për shkak të këtyre zotërimeve. Në këtë luftë civile Dhimitri kërkoi bashkëpunim me krerët shqiptarë me ndihmën e të cilëve mori kështjellat e Karitanicës, Bardhunies, Kastricës, Kallamatës, Zarnatës, si dhe gjithë krahinën e Mainës, në ekstremin jugor të gadishullit. Mehmeti II dërgoi qeveritarët e Thesalisë dhe të Peloponezit për të shuar kryengritjen, por këta s’mundën përveçse arritën disa fitore të pjesshme e të paqëndrueshme. Edhe paskëtaj krerët shqiptarë të kështjellave vazhduan të mos t’i bindeshin as sulltanit e as despotëve bizantinë. Ndaj në prill 1460 Mehmeti II iu drejtua përsëri Peloponezit me një ushtri të madhe. I shoqëruar nga trupat e komandantit osman të vendit, shqiptarit Hamza Zenebishi, në maj të atij viti ai pushtoi kryeqytetin e saj, Mistran. Despoti Dhimitër Paleologu u dorëzua te sulltani. Prej këndej sulltani pushtoi me sulm kështjellat e Bardhunies e të Kastricës, ku humbi shumë jeniçerë. Mbrojtësit e Kastricës, 300 shqiptarë, u zunë e u therën deri tek i fundit, ndërsa komandanti i tyre, Primo Koka, u sharrua dy copësh.

Përballë barbarisë së ekspeditës osmane, banorët e Leondarit dhe të viseve të tjera të Lakonisë u grumbulluan në fortesën e papushtueshme të Gardhiqit. Gardhiqi ishte feud i familjes shqiptare Bakali. Nën udhëheqjen e Manuel Bakalit, shqiptarët i hodhën poshtë ofertat e Mehmetit II për të dorëzuar pa luftë kështjellën. Por mungesa e ushqimeve dhe e ujit në kushtet e një popullsie të mbingarkuar e të një vape rraskapitëse i detyroi mbrojtësit e kështjellës t’u dorëzohen osmanëve. Sulltani i përsëriti edhe këtu në Gardhiq skenat e tmerrit të Kastricës. 6 mijë veta të lidhur këmbë e duar u therën në sheshin e kështjellës. Kësaj radhe nuk u kursyen as gratë e fëmijët. Vetë kështjella u rrafshua me tokën. Historiani bizantin Kritobuli pohon se me këtë ndëshkim makabër, Mehmeti II synonte t’i trembte shqiptarët e Peloponezit në mënyrë që të mos ngriheshin më kundër tij. Manuel Bakali, Krokodejl Klada e disa krerë të tjerë të qëndresës mundën t’i shpëtojnë masakrës e të strehohen gjetkë. Ndërkaq në dorë të osmanëve ranë edhe kështjella të tjera, si Kiparisia, Karytaina, Andrusa e Itome. Ekspedita osmane përshkoi gjithë pjesën jugore të Peloponezit, duke kursyer vetëm zotërimet e Venedikut, me të cilin sulltani kishte nënshkruar atë kohë paqe. Përfaqësuesi i fundit i pushtetit të vjetër në More, despoti Thoma Paleologu e braktisi vendin dhe u strehua në Korfuz.

Paskëtaj ekspedita osmane iu drejtua viseve veriperëndimore të Moresë, ku mori fortesën Klumacion dhe rrethoi kështjellën e Kalavrites. Komandant i kësaj ishte shqiptari Doksja, i cili sipas kronistit Sfrance “nuk pyeste as për despotin, as për sulltanin e as për vetë Zotin”. Por në fund edhe kjo kështjellë u mor dhe mbrojtësit e saj shqiptarë me Doksjen në krye u masakruan mizorisht. Pas përleshjesh të përgjakshme Mehmeti II pushtoi dhe kështjellat Grevenon, Kastrimenon, Salmenikion e së fundi dhe Korintin, ku ndërkohë kishin gjetur strehim shumë shqiptarë të ikur nga zonat e tjera të Peloponezit. Këta u mashtruan nga premtimi i sulltanit se do t’u falte jetën e pasurinë dhe ia dorëzuan atij kështjellën. Po ashtu si dhe më parë, Mehmeti II e shkeli fjalën e dhënë dhe urdhëroi të ekzekutohen të gjithë luftëtarët shqiptarë.

Në përfundim të kësaj fushate Mehmeti II e ktheu Peloponezin në një tokë të pushtuar. Turqit proceduan në regjistrimin e tokave dhe në vendosjen e sistemit të timarit. I kësaj kohe është një regjistër osman i Peloponezit, që pasqyron regjistrimin e një sërë zonave të Peloponezit verior e qendror, si Kallandrica, Sandemiri, Grebenea, Hlumca e Vomiro. Në regjistër figurojnë listat e 198 qendërbanimeve, nga të cilat 155 janë përcaktuar shprehimisht si shqiptare. Regjistri në fjalë është i pari i natyrës së tij që dëshmon intensitetin e ngulimeve shqiptare në Peloponez.

Për të shuar çdo tentativë kryengritjeje, ata bënë rrafsh me tokën një numër fortesash dhe detyruan të vendoseshin në fushë mjaft bashkësi shqiptare që jetonin në vise malore. Megjithatë, në Peloponez vazhduan të qëndrojnë edhe paskëtaj të ndezura vatrat e qëndresës antiosmane, sidomos në krahinat e mbrojtura malore, si qe ajo e Manit.
Sidoqoftë, në pikëpamje të sovranitetit shtetëror, pas shkatërrimit të Despotatit bizantin pothuajse gjithë Moreja hyri nën sundimin osman. Mbeteshin vetëm një numër kështjellash, të cilat vazhdonin të ishin zotërim venecian. Midis Venedikut e sulltanit ishte akoma në fuqi paqja e vitit 1454. Por ndryshimi i situatës luftarake në More ashtu si dhe gjetkë i vuri zotërimet e Venedikut nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të invazionit osman. Ndaj Republika e Lagunave filloi të merrte masa serioze për mbrojtjen e zotërimeve të saj moreate. Një numër i madh stratiotësh shqiptarë u pajtuan në shërbim të Venedikut, duke iu shtuar atyre që ishin rekrutuar nga komandantët venecianë qysh më parë. Atyre iu besua mbrojtja e kështjellave të Koronit, Modonit, Argosit, Nauplionit etj. Të tillë qenë Krokodejl Klada dhe Pjetër Bua, të cilët ishin dalluar në betejat e mëparshme kundër osmanëve. Përveç tyre në shërbim të Venedikut hynë formacionet e stratiotëve shqiptarë të komanduara nga krerët e familjeve Bakali, Menalja, Rali, Buziqi, Manasi. Familjeve të stratiotëve shqiptarë Venediku u dha toka e kullota në afërsi të kështjellave, ku ata mund të strehoheshin në rast rreziku. Atyre iu krijuan edhe lehtësira fiskale.

Akti i parë i konfrontimit midis osmanëve dhe venecianëve në More filloi me sulmin kundër zotërimit venecian të Argosit në prill 1463. Osmanët e morën thuajse pa luftë kështjellën falë tradhtisë së një prifti grek. Pas luhatjeve të gjata, më 28 korrik 1463 Venediku i shpalli luftë Portës. Trupat veneciane ripushtuan Argosin e rrethuan Korintin, por shumë shpejt sulltani dërgoi në More një ushtri të madhe nën vezirin e madh Mahmud Pashën. Ky ripushtoi një numër kështjellash që kishin kaluar nën venecianët. Inkursionet osmane u shtrinë deri në kështjellën e Koronit e Modonit, por këto mundën të rezistojnë. Mahmud Pasha me anë të premtimeve arriti të tërheqë me vete edhe një pjesë të shqiptarëve të Lakonisë e të Mainës në jug të vendit e t’i bindë të vendoseshin në zonën osmane. Në Nauplion ndeshën gjithashtu në një qëndresë të ashpër të garnizonit të kështjellës, bërthamën e të cilit e përbënin stratiotët shqiptarë të udhëhequr nga Pjetër Bua. Por edhe këtej osmanët u detyruan më në fund të tërhiqeshin pa mundur ta pushtojnë.
Angazhimi i Venedikut në luftë me sulltanin bëri që shqiptarët e Peloponezit të afroheshin në masë e të luftonin nën flamurin e tij.
Në zotërimet e Venedikut erdhën shqiptarë nga zonat e tjera të Moresë që ishin nën pushtimin osman. Kështu, në mars 1466, fisniku shqiptar i myslimanizuar Hamza Bua Shpata, nga fisi i njohur i Shpatajve, kaloi në anën e Venedikut, duke u rikthyer në fenë e krishterë e duke dorëzuar kështjellën e Oksivunit dhe territoret përreth. Bashkë me të kaluan në anë të Venedikut edhe 50 familje të tjera shqiptare.

Gatishmëria e shqiptarëve të Moresë për të luftuar për mbrojtjen e lirisë kundër osmanëve, dëshmohet më së miri nga një raport i proveditorit venecian për Morenë, Xhakomo Barbarigo, i shkruar në muajin korrik 1465: “… Së fundi u takova me të nderuarin Mihal Rali Trimin (djalin) e me fjalë të zgjedhura i bëra të ditur se nëse do të vinte të shërbente me njerëzit e tij te ne, do t’i jepeshin 80 dukatë në vit si provizion. Por ai m`u përgjigj se babai i tij ishte ndër fisnikët kryesorë të Moresë dhe se ai, i biri, nuk binte më poshtë të atit nga karakteri. Ndaj, edhe pse ishte në ngushticë ekonomike, kishte vendosur t’i shërbente Sinjorisë me shpenzimet e veta pa shpërblim derisa kjo luftë të merrte fund”.

Stratiotët shqiptarë të Moresë u angazhuan në veprimet luftarake kundër osmanëve edhe jashtë Moresë. Kështu, në verën e vitit 1477, nën komandën e Dhimitër Bokalit, 300 stratiotë shqiptarë nga viset e Koronës, u dërguan në Shqipëri për mbrojtjen e Krujës. Një tjetër stratiot i shquar shqiptar nga Morea, Krokodejl Klada, mori pjesë më 1481 në kryengritjen e fuqishme antiosmane të Himarës dhe u shqua si një ndër krerët kryesorë të saj në krah të Gjon Kastriotit.

Paqja e 25 janarit 1479 midis Venedikut e Portës së Lartë ndikoi në keqësimin e gjendjes së shqiptarëve në përgjithësi dhe të marrëdhënieve të tyre me Republikën e Venedikut. Kjo, nga njëra anë, nuk përfshiu në paqe edhe gjithë ata fisnikë shqiptarë që gjatë konfliktit veneto-osman kishin mbajtur barrën kryesore të luftës. Nga ana tjetër, pa pyetur fare vendasit, ajo u dorëzoi osmanëve një numër zotërimesh si në Shqipëri, ashtu dhe në More. Në këtë të fundit, në bazë të Traktatit të Paqes, osmanët duhet të merrnin krahinën malore të Mainës, që kishte qenë një nga vatrat kryesore të qëndresës shqiptare.

Në kushtet e reja, Venediku nuk ngurroi t`i braktiste luftëtarët shqiptarë e të miqësohej me osmanët. Në verën e vitit 1480 komandanti osman i Moresë i propozonte Venedikut hapur të përzinte stratiotët shqiptarë në shërbim të tij: “Nëse ju i dëboni arbërit nga ky vend, midis nesh nuk do të ketë më grindje”, i shkruante ai proveditorit venecian. Edhe pse një gjë të tillë Venediku s’mund ta bënte për shkakun se që të gjitha kështjellat e tij në More mbroheshin nga stratiotë shqiptarë, ai i udhëzoi vazhdimisht proveditorët e vet në More që të shmangnin çdo lloj konfrontimi të stratiotëve shqiptarë me forcat osmane.

Kjo politikë e re e Venedikut ndaj Portës së Lartë nuk u pranua nga mjaft krerë shqiptarë, që ishin rekrutuar në trupat e Sinjorisë pikërisht për të luftuar kundër invadorëve osmanë. Pavarësisht nga paqja e re midis Venedikut e Portës, ata vazhduan të luftojnë kundër forcave osmane. Pati ndër ta që e braktisën shërbimin për llogari të Venedikut. Kështu veproi p.sh. kreu stratiot Teodor Bua, që braktisi kështjellën e Nauplionit e në krye të stratiotëve të tij, sulmoi osmanët në afërsi të Argosit. Paskëtaj ai i bashkoi forcat e tij me ato të stratiotëve të njohur Krokodejl Kladës në Mainë. Së bashku, ata formuan një forcë të madhe goditëse që i shqetësoi si venecianët, ashtu dhe osmanët. “Ata po turbullojnë paqen që kemi me sulltanin”, i relatonte atë kohë qendrës qeveritari venecian i Moresë.
Venecianët u angazhuan përpara qeveritarit osman të Moresë se do të bënin çmos për të kapur “rebelët”. Dy krerët shqiptarë u dënuan me vdekje në mungesë. Qeveritari venecian dërgoi për këtë qëllim reparte me stratiotë të tjerë shqiptarë. Por në fund ai i raportoi Senatit në Venedik se shqiptarët rebelë qe e pamundur të kapeshin, qoftë sepse ata gjenin strehim të sigurtë ndër fshatrat shqiptare, qoftë se stratiotët e tjerë, që ai dërgoi në ndjekje të rebelëve, refuzuan të ndesheshin me ta, pasi siç thoshin “qenë të një kombi”.

Sidoqoftë, shumë stratiotë shqiptarë, ndër ta dhe Krokodejl Klada, pas paqes veneto-osmane të vitit 1479 u detyruan ta braktisnin Morenë. Një pjesë e të ikurve u vendos në ishujt Hidra, Specia, Poros, Kulluri (Salamina) etj., ku ende sot flitet gjuha shqipe. Të tjerë u vendosën së bashku me familjet e tyre në Mbretërinë e Napolit. Kujtimi i këtij eksodi drejt Italisë, që përkoi dhe me eksodin masiv nga Shqipëria të po kësaj kohe, ruhet akoma sot në vargjet e këngës së hershme të arbëreshëve të Italisë: “O e bukura More”. Të tjerë stratiotë të zotërimeve të Venedikut në More u tërhoqën prej këndej dhe u përdorën prej saj në frontet e tjera, sidomos në Italinë e Veriut. Në betejat e atjeshme, stratiotët shqiptarë shkëlqyen për virtytet e tyre luftarake. Kronisti frëng Filip de Komini, që shoqëroi mbretin Karl VIII gjatë fushatës në Itali, më 1495, pati rast të njohë në fushën e betejës stratiotët shqiptarë që luftonin në anën e Venedikut. “Ata janë luftëtarë të guximshëm, që u hapin punë ushtrive armike”, – shkruan ai në kujtimet e tij.

Mjaft stratiotë shqiptarë hynë në shërbim të komunave të ndryshme italiane e të sovranëve të ndryshëm të Evropës, duke kontribuar kështu në përforcimin e një imazhi heroik të luftëtarit shqiptar të krijuar në Evropë falë luftërave të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Figura të tilla stratiotësh, si ajo e Merkur Buas apo e Manol Bleshit u kënduan edhe në epikën historike.
Me gjithë eksodin e madh të shqiptarëve nga Morea e nga viset e tjera greke gjatë fazave të ndryshme të pushtimit osman, dokumentet e mëvonshme të shek. XVI-XVIII dëshmojnë, se popullsia shqiptare në More mbeti mjaft e dendur. Ende në fund të shek. XVIII, një autor e quan Morenë “Arbëria greke” (Albania Greca).

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]