Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor 1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve osmanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë, spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër pushtuesve osmanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror të të dy kishave nën supremacinë e Papatit. Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të copëtuara e të përçara, në luftën kundër armikut të përbashkët, pushtuesve osmanë, luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht arritën të ndalnin përparimin e osmanëve drejt Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme, të përbërë prej hungarezësh, polakësh, rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës për zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët kundër osmanëve sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan të përshtatshme për fillimin e luftës. Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave osmane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat osmane në lindje të zotërimeve të tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin e luftës kundër osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e tij, sipas porosisë që kishin bërë në Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që t’u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t’i shiste bombarda, armë këto që i duheshin për çlirimin e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë” që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po “rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë”.
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve osmane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë, ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha “nga Dibra dhe Mati”, që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si “zotër të Dibrës dhe të Matit”.
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër” dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë.
Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit. Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë përdorën një emërtim osman (vilajeti ose nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle. Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut. Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet osmane, që gjendeshin të shpërndara në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh, u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleci, “të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë”. Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: “Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja”.
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme. “Turqit, – shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, – i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen”. Por, me gjithë situatën shumë të favorshme, për mungesë organizimi të qëndresës antiosmane nga fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën në duart e osmanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në viset e çliruara, të cilat i shndërruan në baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte ngjarjen më të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.