Fitorja e ushtrisë shqiptare në Ujëbardhë (1457)
Pas betejës së Beratit të vitit 1455, gjendja e brendshme politike e Shqipërisë u keqësua përkohësisht. Asgjësimi i forcave të Muzak Topisë në Berat shkaktoi lëkundje e frikë te disa fisnikë shqiptarë, ndonjë prej të cilëve kaloi edhe në anën osmane, siç ishte rasti i Moisi Golemit (Arianitit) dhe i Hamza Kastriotit.
Moisi Golemi (Arianiti) i kishte zotërimet në Dibrën e Sipërme dhe kufitare me viset e pushtuara. I trembur nga disfata e Beratit dhe i bindur se bashkëpunimi me pushtuesin nuk do të mbështetej prej banorëve të zotërimeve të veta, ai iku fshehurazi në oborrin osman. Për këtë akt Moisiu u shpronësua dhe zotërimet e pasuria e tij kaluan në duart e Skënderbeut. Sulltan Mehmeti II i ngarkoi atij drejtimin e një ushtrie për t`i dhënë Skënderbeut goditjen përfundimtare pas ngjarjeve të Beratit, të cilat ishin dobësuar fuqinë ushtarake të shqiptarëve. Në fund të pranverës së vitit 1456, ushtria osmane e drejtuar nga Moisiu arriti në fushën e Oronikut pranë Ohrit dhe në betejën që u zhvillua aty, u thye keqas prej forcave të Skënderbeut. Pa kaluar shumë kohë, i penduar për bashkëpunimin me osmanët, Moisiu u kthye në Shqipëri për të luftuar besnikërisht deri në vdekje përkrah Skënderbeut, i cili e fali dhe i riktheu menjëherë pronat e pasuritë e konfiskuara.
Lëkundje të tilla u shfaqën edhe tek anëtarë të rrethit familjar të Skënderbeut, të cilët ky i ndëshkoi ashpër. Ai shpronësoi Gjergj Stres Balshën, djalë i motrës së tij, i akuzuar për bashkëpunim me osmanët. Kulmin kjo veprimtari e arriti me bashkëpunëtorin e ngushtë e nipin e Skënderbeut, Hamza Kastriotin. Me sa duket, në këtë qëndrim ndikoi edhe humbja e shpresave prej tij për të qenë trashëgimtari i Kastriotëve, meqenëse Skënderbeut i lindi djalë. Hamzai kaloi në anën e osmanëve në një nga vitet më kritike të periudhës së luftërave të Skënderbeut.
Me vdekjen e J. Huniadit në vitin 1456 u shua qëndresa e hungarezëve, një nga vatrat më të fuqishme të luftës antiosmane në Ballkan. I çliruar nga presioni hungarez, sulltan Mehmeti II e përqendroi vëmendjen kundër Shqipërisë, i nxitur edhe nga premtimi i Hamza Kastriotit se me një ushtri të fuqishme mund t’i jepte grushtin përfundimtar Skënderbeut.
Në korrik të vitit 1457 u fut në tokat shqiptare një ushtri e fuqishme osmane (për të cilën burimet e kohës japin një numër të ekzagjeruar prej 80 mijë vetash) nën komandën e Isa bej Evrenozit, i cili sapo kishte fituar një pozitë krejt të veçantë administrative për kontrollin e drejtpërdrejtë të rajoneve periferike lindore e veriore të viseve që ishin nën kontrollin e Skënderbeut dhe të fisnikëve të tjerë shqiptarë. Në këtë fushatë atë e shoqëronte Hamza Kastrioti, që ishte një njohës shumë i mirë i ushtrisë shqiptare dhe i artit të saj luftarak. Prandaj Heroi shqiptar ndoqi kësaj here një taktikë krejt të re.
Skënderbeu me luftëtarët e vet si zakonisht zuri shtigjet në trevat lindore të Dibrës, ku priti afrimin e ushtrisë osmane. Pas disa ndeshjeve të parëndësishme me të, ai e shpërndau përkohësisht masën kryesore të luftëtarëve shqiptarë dhe u tërhoq në mënyrë të tillë që armiqtë të bindeshin se i kishin shpartalluar shqiptarët dhe se Skënderbeu ishte braktisur prej luftëtarëve të vet. Kjo manovër e tij pati sukses të plotë aq sa, më 31 korrik 1457, qeveritari venecian i Durrësit e njoftonte dukën e Republikës se: “i madhërishmi Skënderbe ka marrë malet për të shpëtuar kokën dhe e kanë braktisur të gjithë”.
Trupat osmane u futën në thellësi të vendit, zbritën në zonën e Matit dhe nuk ranë në gjurmët e luftëtarëve shqiptarë, gjë që i bindi se ushtria shqiptare vërtet ishte shpartalluar. Më 2 shtator të vitit 1457, kur ushtarët osmanë po pushonin të shkujdesur në fushën e Ujëbardhës, pranë Mamurasit, Skënderbeu, pasi grumbulloi dhe organizoi me shpejtësi forcat e veta, e goditi befasisht ushtrinë armike në disa drejtime. Të ndodhura në gjumin e mesditës, pa armë e me kuaj të pashaluar, trupat osmane pësuan një katastrofë të plotë. Shumica e tyre u vranë e ranë robër në duart e shqiptarëve.
Fitorja i befasoi bashkëkohësit, të cilët shkruanin ato ditë se “Skënderbeu me një grusht ushtarësh theu, mposhti dhe dërrmoi një ushtri të pamasë turqish”, “thuhet se më tepër se 30 mijë turq u vranë ose u zunë rob prej tij” etj., etj. Midis robërve të shumtë ishte edhe Hamza Kastrioti, të cilin Skënderbeu e futi në burgjet e Italisë dhe më vonë e lejoi që të shkonte për të banuar në Turqi.
Fitorja në betejën e Ujëbardhës pati rrjedhime pozitive të shumanshme politike dhe ushtarake në Shqipëri. Ajo ishte një goditje vendimtare kundër lëkundjeve në gjirin e aristokracisë shqiptare dhe ndikoi në forcimin e pushtetit politik të Skënderbeut mbi gjithë viset e lira shqiptare. Pas disfatës së rëndë të vitit 1457 në betejën e Ujëbardhës, sulltan Mehmeti II ndërpreu përkohësisht sulmet kundër Shqipërisë dhe vetëm në vitet 60 do të dërgonte kundër saj ushtri të fuqishme.