Regjistrimet kadastrale osmane të viteve 50
Angazhimi gjatë viteve 1448 dhe 1450 kundër Skënderbeut i të gjithë potencialit ushtarak të Perandorisë Osmane nën drejtimin e vetë sulltan Muratit II bashkë me të birin e tij, sulltanin e ardhshëm Mehmetin II, synonte nënshtrimin me çdo kusht të viseve të lira shqiptare. Në këto rrethana ai ngriti mbi lumin Vardar urën e gurtë të Shkupit. Masa energjike ndërmori në këtë drejtim, pas ardhjes në pushtet, sulltani i ri, Mehmeti II.
Ekspeditat ushtarake kundër viseve të lira shqiptare gjatë viteve 1452-1455, ky sulltan i bashkëshoqëroi edhe me regjistrimet kadastrale të rajoneve të gjera shqiptare. Madje në luftën për nënshtrimin e viseve shqiptare gjatë vitit 1455 u angazhua edhe vetë sulltan Mehmeti II, kampi i të cilit, në mesin e muajit qershor 1455, ishte vendosur në fshatin Reçan të Prizrenit, por këtë qytet nuk e mori dot. Në fillim të vitit 1456 osmanët pushtuan përkohësisht Medunin.
Për të mbajtur viset e lira shqiptare nën goditje ushtarake të pandërprerë, sulltan Mehmeti II krijoi një njësi administrative të veçantë në një pjesë të konsiderueshme të tyre me afro 240 hase e timare përgjithësisht të mëdha dhe i shënoi në një regjistër kadastral të veçantë. Në të u përfshinë rajonet e Gostivarit e të Tetovës, të Kaçanikut bashkë me një pjesë të rajonit të Shkupit, të Rrafshit të Dukagjinit (pa qytetet e Prizrenit e të Pejës, sepse osmanët nuk kishin mundur t’i pushtonin), të Zveçanit (Mitrovicës), të Plavës e Gucisë, të Jeliçes (Sanxhaku) etj., duke përfshirë edhe një pjesë të Bosnjës Jugore. Me këtë organizim të veçantë, që nuk pati jetë të gjatë, synohej të shkëputeshin e nënshtroheshin rajonet lindore e veriore të viseve të lira shqiptare, duke ia dhënë ato nën zotërim Isa Beut, që ky të vepronte energjikisht për zotërimin e tyre.
Zeameti i Isa Beut prej rreth 150 fshatrave shtrihej në të gjitha krahinat e njësisë administrative të drejtuar prej tij, që duhej t`i jepnin afro 800 000 akçe. Me zeamete të tjera u pajisën familjarët e tij, madje edhe gruaja. Pjesa dërrmuese e timareve iu shpërnda personave të afërm me Isa Beun dhe që i shërbenin atij. Ky ishte apogjeu zyrtar i fuqisë ekonomike, politike e ushtarake të Isa Beut si funksionar i lartë osman.
Faktikisht pushteti i tij nuk u shtri mbi viset e sipërpërmendura, madje as në vilajetin e Kalkandelenit (Tetovës) që ishte më afër Shkupit dhe më i begati nga rajonet e tjera, popullsia e të cilit i paguante afro 500 000 akçe tatime Isa Beut e njerëzve të tij. Në këtë vilajet, ndër të tjerë, kishin haset e tyre gruaja e tij dhe djali i tyre, Mehmet Çelebiu, si dhe përfaqësues të famijeve të njohura fisnike shqiptare, si Hasan bej Zenebishi, që ishte subash i vilajetit të Kalkandelenit, Jusuf çelebi Muzaka (të cilit për pak kohë iu dha në zotërim hasi i djalit të Isa Beut), Kasem Dukagjini etj.
Megjithëkëtë detyrat e tyre si funksionarë osmanë ata nuk i ushtruan dot për ndonjë kohë të gjatë, sepse ai rajon mbeti thuajse vazhdimisht nën kontrollin e Skënderbeut. Banorët e rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar kanë ruajtur në kujtesë faktin se osmanët i pushtuan këto vise pas shumë luftimesh që zgjatën vite të tëra. Mbrojtësit e kështjellës së Sobrit, që kontrollonte rrugën Shkup-Tetovë, përmenden vazhdimisht si të vrarë. Si rrjedhojë, edhe numri i familjeve myslimane të qytetit të Tetovës erdhi duke u pakësuar, ndërkohë që rritej numri i tyre në Shkup, i cili mbeti nën pushtimin e pandërprerë osman. Në këtë kohë në Shkup u bënë shumë ndërtime, midis të cilave u dalluan mjaft vepra të rëndësishme arkitekturore dhe artistike. Gjatë shek. XV u ndërtuan vepra monumentale të gjinive të ndryshme, si ndërtime mbrojtëse dhe inxhinierike, ndërtimet e kultit dhe ndërtime të arkitekturës popullore si çarshi, hane, banesa etj. Midis këtyre veprave shquhen Ura e gurtë në lumin Vardar (Shkup), xhamitë e sulltan Muratit II, të Isa Beut, Mustafa Pashës etj., banjat publike të Isa Beut e të Daut Pashës, ujësjellësi i Mustafa Pashës, hanet e Sulës e të Kapanit etj.
Për të kompensuar pozitën administrative, politike dhe ekonomike të projektuar për Isa Beun, por që nuk pati sukses, ai u emërua subash i vilajetit të Shkupit, siç e tregon një shënim i shkruar në muajin qershor të vitit 1457 në regjistrin kadastral përkatës. Ndërsa subashi i mëparshëm i Shkupit kishte një has që i jepte më pak se 100 000 akçe të ardhura vjetore, Isa Beut iu dha një has që i siguronte afro 240 000 akçe në vit, të ardhura këto shumë më të vogla nga ato të postit të mëparshëm.
Krahas njësisë administrative në zotërim të Isa Beut, sulltani krijoi gjatë vitit 1455 në rajonin e Fushë-Dardanisë e më gjerë një njësi administrative të dytë, të emërtuar “Vilajeti i Vukut”, sipas emrit të ish-sundimtarit, Vuk Brankoviçit. Ky vilajet kishte 8 nahije dhe afro 180 timare. Nahijet më të mëdha për nga numri i fshatrave ishin Labi (Llapi) me 229 fshatra, Vuçiterni me 137, Morava me 128, Topolnica me 81, Klopotniku me 42 dhe Prishtina me 40 fshatra. Gjatë vitit 1455 u ndërmorën regjistrime kadastrale osmane edhe në rajone të tjera, si në Sanxhakun Shqiptar etj.
Regjistrimet e mësipërme mbetën për shumë vjet akte formale. Prandaj më 1458, 1459 dhe 1463 u angazhua sërish vetë sulltan Mehmeti II për nënshtrimin e rajoneve të mësipërme, duke pushtuar, ndoshta përkohësisht, Prizrenin në vitin 1458, më pas Lipjanin, Vuçiternin dhe në vitin 1463 Pejën.
Gjatë viteve 1454-1456 pushtohet thuajse krejtësisht Despotati serb i Gjergj Brankoviçit, i cili ishte lidhur ngushtësisht me oborrin osman, si nëpërmjet vasalitetit ashtu edhe lidhjeve martesore. Në dhjetor të vitit 1456 vdiq si i mërguar në Hungari Gj. Brankoviçi dhe pas dy vjetësh, në janar të vitit 1458, vdiq edhe djali e trashëgimtari i tij Llazari. Në mars të vitit 1458 osmanët pushtuan kryeqytetin e Rashës, Smederevën, por po atë muaj banorët i dëbuan pushtuesit nga qyteti i tyre. Djali i mbretit Thoma Tomasheviq të Bosnjës, Stefani, u martua me vajzën e Llazar Brankoviçit dhe, me ndihmën e oborrit hungarez e si vasal i tij, u shpall despot i Rashës në mars të vitit 1459. Kundërveprimi osman qe i menjëhershëm dhe despoti Stefan në qershor të atij viti e braktisi përfundimisht shtetin serb të Rashës dhe në vitin 1461 u bë mbret i Bosnjës.
Gjatë vitit 1463 sulltan Mehmeti II ndërmori fushata ushtarake shumë të fuqishme për nënshtrimin e Ballkanit; pushtoi Bosnjën, Morenë (Peloponezin) dhe emëroi masivisht timarlinj të rinj në viset shqiptare për t`i rivendosur ato nën pushtetin e tij. Për të mbajtur të nënshtruar Bosnjën, sulltani u përpoq të vendoste nën kontrollin e tij kështjellat pranë rrugëve kryesore që të çonin në Bosnjë, si Zveçanin, Jeliçën (Pazarin e Ri) etj. Edhe pse për ruajtjen e këtyre kështjellave sulltan Mehmeti II caktoi spahinj të rinj, ai realisht nuk arriti t`i fuste nën kontroll të plotë rajonet e ish-njësisë administrative, që në vitet 50 ia kishte dhënë Isa Beut për t`i administruar.
Skënderbeu vazhdoi të përkujdesej për viset veriore shqiptare. Në fillim të muajit shtator të vitit 1464, ai i nisi trupat e veta në drejtim të Sjenicës, në viset e ish-Despotatit të Rashës, dhe u ndesh me trupat osmane, të cilat i shpartalloi përfundimisht. Ky aksion ushtarak i suksesshëm i Skënderbeut u ndërmor në kuadrin e rigjallërimit të bashkëpunimit të tij me Hungarinë. Nga fundi i vitit 1463 deri më 1465 mbreti Matia Korvini i Hungarisë ndërmori një varg aksionesh luftarake kundër osmanëve në Bosnjë dhe arriti të çlironte Bosnjën Veriore