Organizimi shtetëror
Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të, sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare u përfshinë kështu në një administratë të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një monarkie feudale.
Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.
Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore. Për pushtetin e tij do të flitet më poshtë.
Kuvendi i Fisnikëve shqiptarë ishte institucioni më i lartë vendimmarrës i shtetit shqiptar. Si organ pushteti ai mblidhej herë pas here për çështje shumë të rëndësishme dhe që kishin të bënin kryesisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë përkrah apo kundër vendeve të tjera dhe me nënshkrimin me to të traktateve të paqes. Kuvendi i Fisnikëve qëndroi si institucion deri në fund të jetës së Skënderbeut dhe nëpërmjet tij ruhej bashkimi i shqiptarëve.
Këshilli i Lartë ishte organ i përhershëm këshillimor pranë kryetarit të shtetit, që shprehte interesat e fisnikëve shqiptarë. Anëtarët e tij ishin bashkëpuntorët më të ngushtë të Skënderbeut, si Pal Engjëlli, Kont Urani, Tanush Topia, Moisi Golemi (Arianiti) etj. Këshilli i Lartë shqyrtonte çështje të rëndësishme të jetës së brendshme të shtetit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet e tjera.
Këshilli i Luftës kishte një veprimtari të kufizuar dhe mblidhej kryesisht gjatë aksioneve luftarake për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Skënderbeun. Në të bënin pjesë komandantët e reparteve ushtarake.
Krahas organeve të mësipërme, që formonin pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore, që merreshin më çështje organizative, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat, si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje krahinore e kishtare.
Emërtesat e funksionarëve e të nëpunësve të administratës shtetërore përgjithësisht ishin trashëguar prej terminologjisë së administratave shtetërore lindore (bizantine e sllave) dhe perëndimore (anzhuine e veneciane), që kishin vepruar më parë në Shqipëri. Po kështu ndodhte edhe me hierarkinë kishtare dhe aparatin administrativ të saj në Shqipëri, ku ushtronin veprimtarinë e tyre kisha katolike dhe ajo ortodokse bizantine e sllave.
Në shtetin e bashkuar shqiptar fisnikët i ruajtën deri në një farë mase të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e tyre dhe kryenin detyrën e logothetëve të dikurshëm të administratës shtetërore bizantine, duke vepruar si mëkëmbës të kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ata kishin nën varësinë e tyre aparatin administrativ e ushtark të krahinave që ishin përfshirë nën juridiksionin e tyre. Aparati administrativ i një krahine zakonisht kishte në krye një vojvodë. Nën varësinë e tij ishin: qefalitë, që ishin komandantët e garnizoneve të kështjellave, psarët, që ishin nëpunës të administratës, si dhe proniarët e krerët, të cilët si feudalë të vegjël, kishin për detyrë të vilnin taksat për vete e për pushtetin qendror dhe të shkonin në luftë.
Pranë kryetarit të shtetit, Skënderbeut, ishte edhe një aparat ekonomiko-financiar për administrimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit, që drejtohej nga protovestiari dhe ndihmësi i tij, ruajtësi i thesarit (thesaureri).
Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët). Kancelarët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që do të nënshkruanin me vende të tjera, akte përfaqësimi për personat e ngarkuar me misione të ndryshme, diploma dhe akte publike etj. Shkresat e dala nga administrata e shtetit shqiptar, disa prej të cilave janë ruajtur në arkivat evropiane deri në ditët tona, dëshmojnë për kulturën e lartë humaniste të Skënderbeut dhe të oborrtarëve të tij. Ambasadorët dhe oratorët e tij Skënderbeu i pajiste me autorizime të veçanta dhe kështu ata kishin të drejtë ta përfaqësonin atë dhe të përfundonin e të nënshkruanin në emër të tij, si kryetar shteti, traktate të rëndësishme me mbretërit e kryetarët e shteteve të huaja. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinishten, italishten, turqishten, greqishten etj.
Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu do të kurorëzohej mbret prej papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo e kreut të kishës. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë papa Piut II në krye të ushtrive evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu.
Të drejtat e një monarku si kryetar shteti Skënderbeu i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Ai ishte në krye të të gjitha strukturave të aparatit shtetëror, të cilat zbatonin urdhrat e tij. Ashtu si monarkët e tjerë të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete, si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore e të pasurive të tjera personave që dalloheshin në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor, regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.
Po ashtu si organet e mësipërme shtetërore vendimore, këshillimore, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera, edhe aparati gjyqësor ishte nën varësinë e kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ai ushtronte të drejtën e dënimit me burgim, me konfiskim pasurie, me gjoba etj., si dhe të faljes së nënshtetasve të vet për fajet dhe shkeljet e ligjeve.
Si një monark pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm. Kur ai largohej nga atdheu dhe shkonte me misione të rëndësishme në vendet e tjera, meqenëse djalin e kishte të mitur, të drejtat e tij si kryetar shteti i ushtronte e shoqja, Donika. Ajo ndihmohej në kryerjen e detyrave shtetërore prej këshilltarëve të oborrit. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut dhe emigrimit në Itali të pasardhësve të tij, atyre iu ruajt e drejta e trashëgimisë për shumë kohë në Shqipëri. Kur djali i Skënderbeut, Gjoni, dhe më pas i nipi, Gjergji, arritën moshën madhore, u mirëpritën nga bashkëkombasit e tyre, si trashëgimtarë të ligjshëm, kur u rikthyen në Shqipëri dhe nisën luftën për rimëkëmbjen e shtetit të Skënderbeut. Gruaja dhe pasardhës të tij u trajtuan si familje mbretërore në oborret italiane dhe në atë spanjoll pas emigrimit nga Shqipëria.