E drejta dhe simbolet shtetërore të Skënderbeut

E drejta dhe simbolet shtetërore të Skënderbeut

Shteti shqiptar mbështetej mbi të drejtën feudale, që ishte një e drejtë privilegji, laike e kishtare, e një shoqërie të shtresëzuar e të diferencuar nga ana ekonomike, politike e kulturore. E drejta në Shqipëri ishte një trashëgimi historike që kishte individualitetin e vet kombëtar. Korpusi i legjislacionit të saj nuk ka ardhur i plotë deri në ditët tona. Janë ruajtur fragmente nga statutet e qyteteve shqiptare dhe kohët e fundit është zbuluar i plotë Statuti i Shkodrës. I shkruar gjatë shek. XV, ky statut na njeh me normat që rregullonin jetën e brendshme të qyteteve dhe më gjerë me organizimin e shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut.E drejta që vepronte në Shqipëri gjatë periudhës së Skënderbeut ishte e zhvilluar dhe përfshinte një varg normash në fusha të ndryshme të jetës së asaj shoqërie. Sipas tyre prona, veçanërisht ajo mbi tokën, trashëgohej në vijën mashkullore dhe, në mungesë të djemve, në vijën femërore. Kur vajza martohej, asaj i jepej si prikë një pjesë e pasurisë atërore, në para ose si prona, të cilat noterizoheshin në emër të saj. Krahas kësaj trashëgimie ligjore, njihej edhe trashëgimia me testament. Në fushën e pronësisë mbi tokën, nëpërmjet akteve normative e kontratave përcaktoheshin llojshmëria dhe sasia e detyrimeve në të holla, në prodhime në natyrë dhe në punë angari që kishin fshatarët pa tokë ndaj pronarëve, pronarët ndaj zotërve të tyre si dhe ndaj shtetit etj. Po kështu, me punëtorët dhe specialistët e mjeshtërive të ndryshme, të ndërtimit, të armëve etj., bëheshin kontrata sipërmarrjeje, ku përcaktoheshin afatet kohore të shërbimeve dhe pagesat e tyre.

Normat e së drejtës në kohën e Skënderbeut parashikonin edhe masa shtrënguese ndaj veprave penale kundër jetës, shëndetit, pasurisë dhe interesave të individëve të veçantë, të bashkësive shoqërore dhe të institucioneve shtetërore. Masat ndëshkimore ndaj veprave penale ishin të larmishme e të shkallëzuara. Personat që drejtpërdrejt ose tërthorazi dëmtonin pronën e të tjerëve, që nuk përmbushnin detyrimet ndaj zotërve të tyre dhe që braktisnin pronat e këtyre, detyroheshin të zhdëmtonin, ndryshe ndëshkoheshin edhe më rëndë.

Në kushtet e jetës së trazuar politike dhe ushtarake të Shqipërisë gjatë shek. XV parashikoheshin dënime të rënda, si shpronësime, burgime dhe dënime me vdekje ndaj personave që braktisnin luftën apo që kalonin në anën e kundërshtarëve të zotërve të tyre. Mbartësit e qëndrimeve të tilla Skënderbeu, i cili si Kryetar shteti ishte njëherazi edhe gjykatësi më i lartë i vendit, i ndëshkoi rëndë edhe kur ato u shfaqën në gjirin e familjarëve të tij. Kështu, p.sh., një nipin e vet, që u bashkua me osmanët, e burgosi, kurse një të dytë e ekzekutoi. Krahas masave ndëshkimore, njihej edhe falja e dënimit. Kur Moisi Golemi (Arianiti) u kthye i penduar pranë Skënderbeut, ky i riktheu pronat që i kishte konfiskuar Moisiut, kur u bashkua me osmanët.

Shtresëzime të legjislacionit mesjetar gjenden edhe në të drejtën dokesore shqiptare, që është një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita e vetorganizimit shoqëror lokal, në shkallë fshati e më gjerë, me legjislacionin shtetëror të kohës, i cili mbarte norma të trashëguara edhe nga e drejta romake dhe ajo bizantine. Prandaj e drejta dokesore njihet me emërtimin osman kanun, që do të thotë ligj. Edhe në vendet e tjera ballkanike, siç e dëshmon kodi i Stefan Dushanit, e drejta dokesore e popujve të tyre ka qenë në themel të Korpusit legjislativ shtetëror të shkruar, që sanksiononte marrëdhëniet juridike ekonomike e politike të nënshtetasve me shtetin dhe kryetarin e tij.

Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare. E drejta dokesore gjithnjë ka qëndruar si bosht për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo qëndronte e vepronte në moralin dhe në jetën e shqiptarëve mbi dallimet shoqërore, mbi besimet e ndryshme fetare që ata kishin, kurse elementin jo shqiptar e drejta dokesore e përjashtonte nga një barazi e tillë. Në të nuk mungonin edhe elementë lokalë dallues, por ishin dytësorë në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të së drejtës dokesore. Kësaj i nënshtrohej kushdo në Shqipëri, madje edhe e drejta kishtare (kanonike), që njihej mirë për konservatorizmin e saj dhe për masat e ashpra ndëshkimore, të cilat i kërkonte të merreshin ndaj personave që shmangeshin nga normat kishtare. Nuk mungojnë dokumentet mesjetare dhe të periudhave më të vonshme që përmendin raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë çështjeve të tilla, zgjidhja e të cilave nuk përputhej me normat e të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë kanë respektuar e vepruar sipas së drejtës dokesore, duke shkelur atë kishtare.

Në rajone të gjera të Shqipërisë, që gjatë shek. XV kanë qenë pjesë e viseve të lira shqiptare, e drejta dokesore jo rastësisht ka arritur të njihet deri në ditët tona me emërtimet “kanuni i Skënderbeut”, “kanuni i Lekë Dukagjinit” etj. Kjo dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek. XV. Prandaj, edhe për këtë arsye, veprimtaria politike dhe legjislative e Skënderbeut gjeti mbështetje të gjerë shoqërore, përpos faktit që pushtimi osman u rrezikonte interesat ekonomikë e pronësorë, fetarë e kulturorë, politikë etj., të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare.

Vend të veçantë në të drejtën dokesore shqiptare kishte institucioni i besës. Besa ishte kult kombëtar aq sa ka zënë vend edhe në korrespondencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja dhe fjala shqipe “besë” e këtij institucioni është huazuar edhe nga gjuhët e popujve fqinjë. Në një letër të vitit 1420 drejtuar Republikës së Raguzës, në vend të emrave Zot e Krisht që përdoreshin si formulë përbetimi, Gjon Kastrioti ka vënë fjalën besë: “Besa ime, e zotit Gjon, dhe e bijve të mi për çdo tregtar … i kam dhënë besën kujtdo që vjen në tokën time në Shufada se, në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe, … do të paguaj unë, zoti Gjon, ose bijtë e mi”. I biri i tij, Skënderbeu, ka shkruar në vitin 1460 : “Të mbajmë besën, për mbrojtjen e së cilës kemi përballuar rreziqe të mëdha, edhe pse gjithnjë kam qenë përpara një vdekjeje të sigurt”.

Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve të mëparshëm të mesjetës ka qenë ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat, sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë të shkruara. Këto dëshmojnë më së miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar.

Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, që te osmanët ishte Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleci, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të lashtë (sinonim i emrit “arbër” gjatë mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej në traditën vendase për t’i dhënë një frymë sa më kombëtare shtetit të tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare. Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar në vulën e në shkresat zyrtare të tij, si dhe në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar.
Shkresat zyrtare të Skënderbeut, që njihen deri tani dhe që kanë dyllin me gjurmën e vulosjes së tyre, tregojnë se kryetari i shtetit shqiptar ka pasur dy vula zyrtare, që kishin madhësi e simbole të ndryshme.

Vula e madhe zyrtare e Skënderbeut ishte në formë rrethore me diametër 41 mm dhe perimetër afro 125 mm. Në qendër ajo kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash vula kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Në krye të rrethit të vulës ishte shenja e diellit me tetë rreze, që ndante fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Shenja e diellit me tetë rreze ka qenë simbol shtetëror i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj kishte inicialet D AL të fjalëve Dominus Albaniae. Këto iniciale të fjalëve Dominus Albaniae, që përbënin titullin zyrtar të Skënderbeut, tregonin pozitën juridike të tij (Dominus) si kryetar shteti, si dhe emrin e shtetit (Albania), ku ai ushtronte pushtetin e tij.
Vula e vogël e Skënderbeut ishte skalitur në gurin e çmuar të unazës personale të tij. Ajo kishte formë tetëkëndëshe me përmasa maksimale 9 mm gjatësi dhe 7 mm gjerësi. Simbolet e saj ishin marrë nga mitologjia e lashtë pellazgjike. Në gurin e vulës së vogël ishin skalitur dy figura të mitologjisë pellazgjike: mbretëresha Leda dhe Zeusi i Dodonës i shndërruar në mjellmë.

Si simbole më përfaqësuese për shtetin shqiptar Skënderbeu përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa, simbole këto që ishin mjaft të njohura në mjedisin shqiptar. Këto simbole ishin edhe në stemën dhe në flamurin shtetëror. Në një katolog venecian stemash është vizatuar në mes të viteve 60 të shek. XV stema e Kastriotëve, kur djali i Skënderbeut, Gjoni, mori titullin “fisnik venecian”. Gjithashtu stema ruhet e gdhendur në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Shqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleci, ka qenë e vendosur edhe në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe.

Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve, që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt. Ylli me gjashtë cepa duhe të ketë qenë vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.

Vula me shqiponjë, si simbol shtetëror i Skënderbeut, del se është përdorur për herë të parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve 50 dhe ndoshta jo rastësisht. Në të njëjtën kohë me vulën duhet të jetë përdorur edhe flamuri me fushë të kuqe dhe shqiponjën dykrenore në mes, që e ka patur Perandoria Bizantine. Nëpërmjet këtyre simboleve synohej që të shprehej uniteti i viseve të lira shqiptare dhe të tregohej se pas pushtimit të Konstandinopojës prej turqve më 1453, shqiptarët ishin forca kryesore antiosmane që luftonte në ish zotërimet e Perandorisë Bizantine. Këto simbole të reja pushteti të përdorura nga Skënderbeu pasqyrojnë procesin e krijimit të një shteti të vetëm në tokat e lira shqiptare.

Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar u bë Kruja. Ndonëse në hapësirat e këtij shteti kishte qytete të tjera më të mëdha e më të rëndësishme si qendra ekonomike, si Prizreni e Ohri, për shkak të pozicionit të vet gjeografik shumë të favorshëm Kruja u bë kryeqendra administrative e viseve të lira shqiptare. Nëpërmjet rrugëve të shumta tokësore e detare që kryqëzoheshin pranë saj, Kruja, si qendër administrative, kishte komunikimin më optimal me të gjitha viset shqiptare dhe me shtetet e huaja.

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]