Mërgimet masive të shqiptarëve gjatë shek. XIV-XV
Lëvizjet migruese nga tokat shqiptare drejt vendeve të tjera, janë një dukuri që ndeshet gjatë gjithë mesjetës.
Në grupe apo si individë, shqiptarët dëshmohen të kenë lëvizur të paktën qysh në shek. XI. Kryesisht si ushtarakë ose si funksionarë të administratës bizantine, shqiptarë të veçantë apo grupe shqiptarësh ndeshen në atë kohë në viset më të ndryshme të Perandorisë, sa në Italinë e Jugut, në Dalmaci e në Bullgari, aq dhe në Peloponez e në vetë Konstandinopojë, ku dhe shumë prej tyre me kalimin e kohës u integruan.
Por, në krahasim me këto mërgime të para, për shkak të jetës politike të trazuar emigrimet shqiptare të shek. XIV-XV morën përmasat e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë të thella si në vendin e origjinës, ashtu dhe në vendbanimet e reja. Valët e emigracionit shqiptar të shek. XIV-XV ndoqën dy drejtime kryesore: atë verior, që preku Raguzën (Dubrovnikun) dhe qytetet e tjera të Dalmacisë, Venedikun dhe qytetet e fshatrat e provincës italiane të Markës, si dhe drejtimin e krahut perëndimor të Adriatikut (Fano, Ankona, Rimini, Pezaro). Vendi nga vinin emigrantët shqiptarë drejt veriut të Ballkanit Perendimor e të Italisë Lindore ishin përgjithësisht viset veriore dhe qytetet e atyshme të Ulqinit, Tivarit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës e deri të Durrësit. Ata u përkisnin shtresave nga më të ndryshme: bujq, zejtarë, marinarë, punëtorë, tregtarë të vegjël, mjeshtër, artistë etj.
Klerikë të shumtë nga Ulqini, Lezha e sidomos nga Durrësi e nga Drishti dëshmohen në kishat e manastiret e Raguzës, ku shpesh shërbenin edhe si shkrues, sekretarë e noterë. Në Raguzë dhe në qytetet e tjera dalmatine, mjaft emigrantë shqiptarë mundën të sistemohen dhe të fitojnë statusin e banorit të përhershëm (habitator), ndonjë syresh edhe atë të qytetarit me të drejta të plota (civis). Në Raguzë, Venedik ose në Rimini e Rekanati (Markë) shqiptarët organizoheshin në shoqëri fetaro-kulturore, të quajtura shkolla ose vëllazëri (scuola, confraternitas). Autoritetet e vendit jo gjithnjë i shihnin me sy të mirë këto shoqëri me bazë etnike, që gjithsesi pengonin integrimin e emigrantëve. Megjithatë, emigracioni shqiptar në Dalmaci e në qendrat italiane të Adriatikut verior nuk arriti të krijojë ngulmime kompakte masive, e në krye të 2-3 shekujve bashkësitë shqiptare të atjeshme u tretën në popullsinë vendase.
Mërgimet shqiptare në krahun tjetër, atë jugor, qenë shumë më intensive se ato veriore. Vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin, veçanërisht trevat e Vlorës, Beratit, Korçës dhe sidomos të Epirit e të Moresë. Këto shtegtime prekën fillimisht viset e Greqisë. Prej këndej, një pjesë e tyre kaloi në Sicili e në Italinë e Jugut.
Një valë e parë e emigracionit shqiptar dëshmohet në Thesalinë Lindore, në vitet 20-30 të shek. XIV. Ajo mori shkas nga shtypja e kryengritjeve shqiptare në zonën e Vlorës, të Devollit e të Thesalisë veriperëndimore nga ana e Perandorit bizantin Androniku III. Fluksin e popullatave shqiptare drejt jugut e ushqeu në atë kohë edhe rritja e presionit të shtetit serb në trevat shqiptare. Si rezultat, viset e Thesalisë lindore, në jug të rrjedhës së Peneut, u kolonizuan dendur nga shqiptarët. Të joshura nga qeveritarët vendas, mjaft bashkësi shqiptare e vazhduan shtegtimin e tyre dhe u vendosën në ishullin e Eubesë, si dhe në krahinat e Beotisë, të Atikës e të Korintit. Nëpërmjet istmit të Korintit, valë shtegtarësh që vinin sa nga Thesalia aq edhe nga Epiri invaduan në fillim të shek. XV krahinat e Peloponezit. Në vitin 1405, një dëshmitar okular shkruan se vetëm në një valë, 10 mijë mërgimtarë shqiptarë, me familjet, me pasuritë e me bagëtitë e tyre kaluan Istmin dhe me leje të despotit Teodor Paleolog u sistemuan në krahinën e Akesë. Këtë valë e pasuan në vitet e mëvonshme flukse të tjera që vinin nga Atika, Beotia, Thesalia ose drejtpërdrejt nga trevat shqiptare, të kërcënuara nga invazioni osman. Me shterimin e këtyre prurjeve emigruese, aty nga mesi i shek. XV, krahina të tëra të Peloponezit (Moresë), si Korinti, Akea, Elida, Arkadia, Argolida, Mesenia e Lakonia, ishin kolonizuar në mënyrë mjaft intensive nga popullsi shqiptare. Një defter osman i vitit 1458, që bën regjistrimin e popullsisë së Peloponezit qendror, ndër 198 fshatrat e regjistruara 155 i cilëson shprehimisht si fshatra shqiptare. Një tjetër regjistër i vitit 1461 veçon si shqiptare 16 ndër 20 qendërbanime që kishte zona e Korintit. Akoma në vitin 1668, udhëtari turk Evlija Çelebi konstatonte se “banorët e krahinave që shtrihen nga Kalavrita, Voshtica e Tripolica deri në Korint janë arbër që flasin arbërisht”. Prej Peloponezit, shumë kolonë shqiptarë u hodhën në ishujt e afërt të Egjeut, në Salaminë (Kullur), Hidra, Poros, Specia etj.
Vendosja e kolonëve shqiptarë u inkurajua në shumë raste nga qeveritarët e krahinave greke, që u premtonin atyre toka, kullota dhe përjashtimin nga taksat. Vendosja e kolonëve shqiptarë ndihmoi në ripopullimin dhe në rigjallërimin e trevave të tëra greke të braktisura e të lëna djerrë. “Arbërit”, shkruan një autor i shek. XV, “u vendosën në zona të shkreta; ata i shpyllëzuan ato dhe i bënë të banueshme. Shumë vende të egra, që deri atëherë kishin qenë strehë banditësh, u pastruan dhe dora e këtyre bujqve me përvojë i mbolli dhe i kultivoi ato”.
Dhënia e lejes së vendosjes për ardhësit shqiptarë, akordimi i tokave të bukës dhe i kullotave, thuajse gjithmonë u kushtëzua nga qeveritarët vendas me detyrimin e shërbimit ushtarak. Në shek. XIV-XV, luftëtarët shqiptarë mbushnin repartet ushtarake sa të dukëve katalanë të Athinës, aq edhe të despotëve bizantinë të Moresë apo të kështjellarëve venecianë të Eubesë, të Koronit, Modonit e Nauplionit (Peloponez). Të inkuadruar ose jo në trupat e sundimtarëve të huaj, shqiptarët u bënë protagonistë të qëndresës kundër invadimit të këtyre viseve nga pushtuesit osmanë. Kronistët bizantinë të shek. XV, Kritobuli, Dukas dhe Halkokondili vënë në dukje se në atë kohë, përveç Shqipërisë, një tjetër kështjellë e qëndresës shqiptare qe ngritur në Peloponez. Në luftërat e shqiptarëve të Peloponezit kundër osmanëve u shquan kapedanët Pjetër Bua, Teodor Buhali, Primo Koka, Krokodejl Klada, Manuel Bokali etj.
Invazioni osman i Ballkanit jugperëndimor, që hyri në një fazë vendimtare pas mesit të shek. XV, shkaktoi valë të papara mërgimesh shqiptare, që konvergonin drejt Italisë. Këtu popullsitë e ikura shqiptare iu shtuan ngulimeve të mëparshme shqiptare, duke e forcuar elementin shqiptar në Italinë e Jugut dhe në Sicili. Ngulimet shqiptare të kësaj kohe u vendosën kryesisht në provincat Abruco, Molize, Kampanie, Bazilikatë, Kapitanatë, Pulje, Kalabri. Ngulimet kryesore shqiptare të Sicilisë u bënë Piana deli Albanezi, San Kristina Xhela, Mexojuso, Kontesa Entelina, Palaco Adriano.
Kolonët shqiptarë erdhën drejtpërsëdrejti nga Shqipëria, por shumë syresh erdhën nga kolonitë shqiptare të Greqisë, veçanërisht nga Moreja. Vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës dhe paqes veneto-osmane, që e pasoi atë, shumë luftëtarë shqiptarë, sa në Shqipëri aq dhe në More, u detyruan të largohen për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane. Midis tyre ishin pinjollë të shquar të familjeve Kastrioti, Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Arianiti, Muzaka, Bua etj. Mbreti Ferdinand i Napolit u dha këtyre feude e poste zyrtare në mbretërinë e tij, kurse masave të të ikurve u caktoi për banim vende kryesisht të pabanuara. Valët e emigracionit shqiptar, ndonëse me intensitet më të vogël, vazhduan edhe në vitet e mëvonshme. E fundit njihet ajo e vitit 1744, kur u themelua Vila Badesa në Abrucie. Numri i fshatrave arbëreshe arrin sot në rreth 100 me një popullsi afër 150 000 banorë.
Për shumë nga ngulimet shqiptare ekzistojnë aktet e themelimit (capitula) të nënshkruara me autoritetet civile dhe kishtare të vendit. Në to fiksohen detyrimet por dhe të drejtat dhe privilegjet e banorëve të rinj, midis të cilave figuron shpesh dhe e drejta për të pasur drejtues dhe priftërinj (papas) të tyre, jo katolikë. Ruajtja e ritit ortodokso-bizantin luajti një rol mjaft të rëndësishëm për konservimin e kolonive arbëreshe të Italisë. Këtu luajtën rolin e tyre edhe kompaktësia e këtyre ngulimeve si dhe klima e tolerancës që, ndryshe nga ç’ndodhi me ngulimet arbëreshe të Greqisë, karakterizuan marrëdhëniet e ardhësve shqiptarë me popullsinë dhe me autoritetet civile e kishtare vendase. Edhe sot, arbëreshët e Italisë ruajnë gjuhën si dhe traditat, këngët e zakonet e hershme shqiptare.