Shtrirja e terrorit xhonturk në viset e tjera
Pas shtypjes së kryengritjes së Kosovës ekspedita ushtarake e komanduar nga Shefqet Turgut pasha u shtri edhe në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme. Synimi i qeverisë xhonturke dhe i qarqeve ushtarake më të larta të Perandorisë ishte të shtypte jo vetëm qëndresën e armatosur të shqiptarëve, por edhe vatrat e organizmat e lëvizjes kombëtare. Klubet e organizatat e tjera kombëtare shqiptare u fajësuan si nxitëse të lëvizjes së armatosur. Anëtarët e klubeve, mësuesit e gjuhës shqipe, madje edhe ata që ndiqnin kurset e gjuhës shqipe, u bënë objekt i një terrori të paparë, njëlloj si pjesëmarrësit e kryengritjes së armatosur të Kosovës.
Përgjithësisht terrorit iu nënshtruan gjithë veprimtarët e lëvizjes kulturore e arsimore kombëtare, edhe pse kjo ishte një veprimtari e ligjshme.
Pre e terrorit xhonturk u bënë edhe qytetet, si Shkodra, Tirana, Elbasani e vise të tjera, që nuk qenë përfshirë në kryengritje. Edhe në këto treva u arrestuan, u burgosën dhe u internuan nga gjyqet speciale qindra atdhetarë. Për t’i poshtëruar në sytë e popullit dhe për ta frikësuar atë, këta në fillim i rrihnin publikisht nën tingujt e bandës ushtarake. U gjykuan dhe u dënuan në mungesë shumë atdhetarë të arratisur, të akuzuar për veprimtari antishtetërore.
Me vendim të qeverisë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe, u ndalua nxjerrja e gazetave dhe botimi i librave në gjuhën shqipe. U pushuan nga puna mësuesit e gjuhës shqipe të shkollave shtetërore, si dhe nëpunësit shqiptarë që kishin marrë pjesë në lëvizjen kulturore e arsimore kombëtare. Ndjekjeve iu nënshtruan edhe elementët e moderuar. Deputetët shqiptarë u akuzuan si përkrahës të kryengritjes dhe për lidhje të fshehta me kryengritësit.
Veprimtaria e çetave të armatosura vijoi edhe pas kalimit të forcave osmane, të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, nga Kosova në Shqipërinë e Veriut e të Mesme, madje edhe kur në Kosovë u vendosën përsëri forca të shumta ushtarake. U bënë të shpeshta përleshjet ndërmjet çetave shqiptare dhe ushtrisë osmane. Përleshje të tilla të armatosura ndodhën më 15 shtator 1910 afër Mitrovicës dhe më 28 shtator afër Pejës. Më 15 tetor valiu i Manastirit njoftonte Stambollin për përpjekjet e ushtrisë me çetat kryengritëse të Dibrës. Po në tetor valiu i Shkodrës njoftonte qeverinë se ushtria ishte demoralizuar krejtësisht dhe se kishte rrezik të bashkohej me kryengritësit. Më 9 nëntor valiu i Kosovës informonte qeverinë për sulmet e shqiptarëve kundër postkomandave ushtarake në nahijen e Beranës.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ushtroi ndikim të fuqishëm në zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Jehona e saj u ndje edhe në lëvizjet çlirimtare të popujve të tjerë, të Maqedonisë dhe të Arabisë.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare