Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë dhe në Qafën e Agrit

Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë dhe në Qafën e Agrit

Në qershor ushtria osmane vijoi veprimet luftarake në zonën e Drenicës dhe përreth saj. Por paqësimi i Kosovës nuk qe i lehtë e u shoqërua me humbje të mëdha. Për këto humbje dëshmon edhe mbajtja e qindra ushtarëve të plagosur nëpër hekurudhën Mitrovicë-Selanik. Marshimi i forcave qeveritare në Kosovë, nën drejtimin e ministrit të Luftës, u shoqërua me terrorizimin e me poshtërimin publik të kryengritësve që nuk iu bindën autoriteteve osmane. Sheshet e qyteteve Prizren, Rahovec, Gjakovë, Pejë e të tjera u kthyen në arena të keqtrajtimeve të banorëve të Kosovës.Bastisja e shtëpive dhe arrestimet në masë u bënë në bazë të urdhrit për dorëzimin e armëve brenda 12 orëve. Burgjet u mbushën me të burgosur, që u nënshtroheshin torturave. Edhe krerët, si Shaban Binaku, që do t’i besonin faljes së shpallur nga autoritetet xhonturke, u ekzekutuan me varje.

Për të nënshtruar përfundimisht Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe sidomos qëndresën e armatosur të shqiptarëve, repartet osmane, të riorganizuara në dy divizione, vijuan, gjatë muajve qershor-korrik 1910, operacionet edhe në zona të tjera, në perëndim të Rrafshit të Dukagjinit për t’u hedhur më pas në Shkodër dhe drejt Lumës dhe Dibrës. Këto forca dolën nga Rugova në Plavë, bllokuan të gjitha shtigjet e kufirit malazez, për të penguar kalimin e kryengritësve në Mal të Zi. Nëntë batalione ushtarësh, pasi kaluan Qafën e Prushit, u hodhën në zonën e Hasit.
Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi në qëndresën e kryengritësve të kësaj treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth 2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha, Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit dhe asgjësimit.

Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin, në luginën e Shalës dhe të Thethit.
E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë, u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër përmes Pukës më 24 korrik 1910.

Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës së Madhe.
Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave, të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura, dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që i përfshinte detyrimi ushtarak.

Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative. Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza) krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije) të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi, në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme dhe të Poshtme etj.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]