Mandarina Mandarina është agrumi i fundit që hyri në Evropë. Filloi të kultivohet në këtë kontinent aty nga viti 1805. Megjithatë ajo është sot një nga agrumet më të përhapura dhe mbillet në të gjitha zonat në të cilat kultivohen edhe agrumet e tjera. Për nga prodhimi, ajo zë vendin e dytë ndërmjet agrumeve. d.m.th. vjen pas portokallit. Në vendin tonë mandarina kultivohet kryesisht në Jug, në rrethin e Sarandës e të Himarës, por rritet mirë edhe në rrethin e Vlorës e të Elbasanit. Fruta e mandarinës vjen më e vogël se e portokallit; është më e brishtë, ka lëkurë më të hollë e më të lëmuar dhe një aromë më delikate. Ashtu si dhe agrumet e tjera, fruta e mandarinës është e pasur me lëndë sheqerore, provitaminë A e vitaminë B1. Nga fruta e mandarinës nxirren disa esenca që përdoren në përgatitjen e pijeve freskuese e të parfumeve.