Nervi olfaktor I
(Term neurologjik – Mjekësia)

Receptorët periferik olfaktor mund të ekscitohen vetëm nga substancat e tretura në fluide. Receptorët e mukozës olfaktore projektojnë axonet e tyre përmes pllakës cribriforme tek bulbusi olfaktor, i cili shtrihet në fossa crani anterior afer lobit frontal. Pas një sinapse në neuronin e dytë të rrugës në bulbusin olfaktor, fibrat olfaktore vazhdojnë përmes striae laterale olfaktore në amygdalë dhe fusha tjera të lobit temporal. Fibrat olfaktore gjithashtu kalojnë përmes rrugës së striae mediale olfaktore në fushën subcallosale dhe sistemin limbik. Nuhatja ekzaminohet përmes substancave aromatike (vanillë, kafe dhe katran) dhe substancave ekscituese të trigeminusit (formalin, mentol). Tek dëmtimet e rrugëve olfaktore nuk mund të nuhaten substancat aromatike, ndërsa te ndonjë lezion i mukozës nazale nuk mund të nuhaten as substancat ekscituese të trigeminusit. Një reduktim i sensit të nuhatjës quhet hyposmi, ndërsa shuarja e plotë quhet anosmi. Si hyposmia ashtu edhe anosmia vijnë si pasojë e ndonjë lezioni periferik të rrugës olfaktore nga bulbus olfactorius deri tek nn. olfactorii. Hallucinacionet e nuhatjës si p.sh. kakosmia që paraqet një ndjenjë të nuhatjës së ndonjë ere të keqe e cila nuk është prezente, shpesh janë pjesë e ndonjë epilepsie fokale te lezionet centrale në regjionin temporal (aura olfaktore, sulmet uncinatus), rrallë tek migrena apo si simptomë i ndonjë sëmundjeje psiqike. Shkaqet më të shpeshta të dëmtimit të nuhatjës janë infeksionet virale dhe traumat e kokës dhe trurit. Në 8% të traumave të rënda ose mesatarisht të rënda vjen deri te paraqitja e përkohshme ose permanente e dëmtimeve të nuhatjës. Arsyeja për këtë është një shkolitje/shkëputje e fila olfactoria ose një kontuzion i bulbusit olfaktor. Tek lezionet bilaterale kemi edhe çrregullim të shijës ageusia. Një hyposmi ose anosmi mund të shkaktojnë edhe meningeomat olfaktore, tumorët nazofaringeal dhe suprasellar. Një numër i medikamenteve mund të shpie tek dëmtimet e nuhatjës si anestetikët lokal, antibiotikët (tetraciklinet, ampicilina), imunosupresorët, diuretikët (Captopril), antikonvulzivët (Carbamazepine, Phenytoin) dhe Metronidazoli.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]