Paraplegjia
(Term neurologjik – Mjekësia)

Paraliza e dy ekstremiteteve të poshtme mund të shfaqet te sëmundjet e medullës spinale, rrënjeve nervore dhe më rrallë të nervave periferik. Në sëmundjet akute të medullës spinale me përfshirje të rrugëve kortikospinale, paraliza ose dobësia përfshinë të gjithë muskujtë nën një nivel të caktuar, në qoftë se edhe substanca e bardhë dëmtohet shumë atëhere shoqërohet edhe me humbje të sensibilitetit (humbje e dhimbjës dhe temperaturës si pasojë e dëmtimit të rrugës spinotalamike, humbje e sensit për vibrim dhe pozitë të përfshirja e rrënjëve të pasme). Te sëmundjet bilaterale të medullës spinale afektohen edhe sfinkterët e vezikës urinare dhe anusit. Tek sëmundjet e nervave periferik humbja motorike zakonisht më shumë përfshinë muskujtë distal të këmbëve. Shkaktarët më të shpeshtë të paraplegjisë janë traumat e medullës spinale, zakonisht të asociuara me fraktura dhe dislokime të shtyllës kurrizore. Më rrallë përgjegjëse janë hematomyelia si pasojë e malformacionit vaskular, malformimet arteriovenoze të medullës që shkaktojnë iskemi me ndonjë mekanizëm të panjohur ose nga infarktimi i medullës spinale si pasojë e okluzionit të a.spinale anterior ose të degëve segmentale të aortës. Paraplegjia ose quadriplegjia si pasojë e myelitit postinfektioz, mielopatisë demielinizuese ose nekrotike, abceset epidurale ose tumoret zhvillohet më kadale. Hemorragjitë epidurale dhe subdurale shkaktojnë paraplegji akute ose subakute. Paraplegji subakute dhe kronike mund të shkaktojnë skleroza multiple, tumorët, disku i prolapsuar cervikal, spondiloza cervikale, abceset epidurale dhe infeksione tjera, meningomyeliti sifilitik, sëmundjet e sistemit motorik, deficienca e vitaminës B12, syringomyelia dhe sëmundjet degjenerative të rrënjëve laterale dhe të pasme me etiologji të panjohur.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]