(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi më 3 qeshor të vitit 1932, në fshatin Golem të rrethit të Shkodrës. Me arsim të mesëm të pambaruar. Më 1960 u dënua me vdekje për tradhti të lartë me akuzën bashkëpunim me diversantët. Por diversanti nuk ishte veçse vëllai i nënës së tij, Haxhi Hajdari [shih], deputet i Kuvendit Popullor, i cili pasi u prish me komunistët, doli në mal, i shoqëruar nga i nipi, Muhoja. Kur i rrethuan në një shpellë, Haxhi Hajdari vrau veten, kurse Muho Bala u arrestua dhe u dënua me vdekje. Por Presidiumi i Kuvendit Popullor i fali jetën. Një pjesë të dënimit e vuajti në kampin e Spaçit. Në krye të 18 viteve burg, më 21 shkurt të vitit 1979 (në dosjen hetimore 20, në dosjen gjyqësore 23 shkurt) u riarrestua bashkë me Fatos Lubonjën [shih], Thoma Bejon [shih], Dhimitër Stefën [shih] dhe Eduard Vatën [shih], në kohën që ende po vuante dënim në kampin e Spaçit, si anëtar i një organizate të paqenë, që u pagëzua «Revizioniste e majtë». U akuzua se ka «marrë pjesë në një organizatë kundërrevolucionare, antisocialiste të krijuar nga të arrestuarit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho për të kryer krime kundër shtetit, si dhe kanë agjituar e propaganduar kundër shtetit…». Më 19 prill 1979, Gjykata e Lartë e dënoi me 22 vjet heqje lirie. Fatos Lubonja, Ridënimi, Tiranë, 2007, I, VII, f. 33, 38-39; II, IX, f. 50; II, XVI, f. 97-99; II, XIX, f. 120; III, XXVI, f. 173-174; III, XXXIII, f. 235; III, XXXV, f. 265.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit