(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Ushtarak i lartë, Ministër i Mbrojtjes, zv. kryetar i Këshillit të Ministrave, deputet. Lindi në Tiranë, më 14 shkurt të vitit 1917. Pasi kreu shkollën fillore, filloi shkollën teknike, por i shtrënguar nga gjendja e vështirë ekonomike e familjes, e la atë dhe, deri më 1939, ushtroi profesionin e hidraulikut e më pas atë të hekurpunuesit. Në vitin 1940, thirret nën armë në repartet e fanterisë dhe aty shërbeu deri në vitin 1942, kur u lirua nga ushtria. Në prill të vitit 1942 u pranua në Partinë Komuniste, kurse në mars 1943 u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Tiranën. Më 28 janar 1948, me urdhër të Enver Hoxhës, u emërua Kryetar i Shtatmadhërisë së Ushtrisë Kombëtare. Në Kongresin I-rë të PKSH-së u zgjodh anëtar i KQ të PKSH-së dhe i Byrosë Politike. Beqir Balluku është i dyti ushtarak i lartë shqiptar, që do të qëndronte më gjatë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. U zgjodh deputet në thuajse në të gjitha legjislaturat. U arrestua në vitin 1974 dhe u ekzekutua një vit më vonë, si pjesëmarrës në të ashtuquajturin «Puç ushtarak», bashkë me Petrit Dumen [shih] e Hito Çakon [shih]. Dr. Gjergj P. Titani, Profdr. Proletar Hasani, Personalitete ushtarake shqiptare në vite: 1912- dhjetor 1997, Vëll. I, f. 165-173.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit