BARDHI Haxhi Dede Reshat

BARDHI Haxhi Dede Reshat
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë bektashian, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve (1993-2011). Lindi më 4 mars të vitit 1935, në fshatin Lusën të Kukësit. Më 1954 u dorëzua dervish tek Dede Ahmet Myftar Ahmataj [shih]. Pas largimit të Dede Ahmetit nga Kryesia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, pranoi të internohej bashkë me të në fshatin Drizar të Mallakastrës, ku qëndroi deri më 1967, kur në Shqipëri u ndalua ushtrimi i fesë. Pas kësaj, për 22 vjet, punoi si punëtor i thjeshtë në fermën «Gjergj Dimitrov» në Tiranë. Më 1991, bashkë me një grup besimtarësh, hapi Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, dhe iu vu punës për riorganizimin e jetës fetare të komunitetit bektashian, duke ringritur objektet e kultit dhe duke përgatitur një brez të ri klerikësh. Po këtë vit bëri peligrinazhin tradicional islam në qytetin e shenjtë të Mekës dhe mori titullin Haxhi. Më 20 korrik 1993 organizoi dhe drejtoi Kongresin e Gjashtë Bektashian, ku u shpall Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Vdiq në moshën 76 vjerçare, më 2 prill të vitit 2011 në Tiranë. Me dekret nr. 1218, datë 26. 09. 1995 të Kuvendit të Shqipërisë, Haxhi Dede Reshat Bardhi u nderua me titullin «Pishtar i Demokracisë», me motivacionin: «I pa përkulur dhe me besim ndaj Zotit, duroi burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare e demokratike.» Është dekoruar dhe me Urdhrin «Naim Frashëri i artë». Kujtim Ahmataj, Loti i vrarë, Tiranë, 2012, f. 86; Kujtim Ahmataj, bardhi Haxhi Dede Reshat, në «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 180- 181.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]