(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Veprimtar politik, nënkryetar i Frontit Nacionalçlirimtar, deputet i legjislaturës së parë (1945). Lindi në vitin 1914, në Durrës. Studimet e larta për ekonomi i kreu në Itali. Mori pjesë aktive në Frontin Nacionalçlirimtar. Është një nga nismëtarët për nxjerrjen e gazetës «Bashkimi», organ i Frontit Nacionalçlirimtar dhe nënkryetar i këtij fronti. Në legjislaturën e parë pas luftës (1945) u zgjodh deputet i qytetit të Durrësit. Kundërshtoi hapur vendosjen e diktaturës komuniste. Më 7 gusht 1947, në mbledhjen XI të Kuvendit Popullor, iu hoq mandati, njëherësh me atë të shtatë deputetëve të tjerë, si kryetar i «grupit të deputetëve» (opozita e dytë). U akuzua se kishte «formuar një organizatë klandestine në bashkëpunim me «armiqtë e popullit» Sami Qeribashi [shih], Suat Asllani[shih], Gjergj Kokoshi[shih], Riza Dani [shih] etj.». Me vendim të Gjykatës së Lartë nr. 187, datë 27 shtator 1947, u dënua me vdekje në litar. Vendimi u ekzekutua më 3 tetor 1947. Një muaj para ekzekutimit, më 29 shtator të po atij viti, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Prefekturës së Tiranës vendosi sekuestrimin e pasurisë së tundshme të tij. Arkivi i Kuvendit Popullor, f. 466; Gazeta Zyrtare, nr. 102, 9 dhjetor 1947, fq. 2.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit