DOKO Mustafa Ismail
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi në fshatin Taç të Kolonjës, më 1920. Në shtator 1943 u përfshi në forcat e Ballit Kombëtar për Korçën, drejtuar nga Safet Butka. Nga ndryshimi i rrethanave të luftës, në fund të nëntorit 1944, u bë thirrje nga U.N.Ç. që të gjithë ata nacionalistë që nuk kishin kryer ndonjë faj të dorëzoheshin, me premtimin e faljes, dhe të bashkoheshin me Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Pasi nuk kishte mundësi të arratisej, u bashkua me brigadat partizane. U inkuadrua në divizionin VI S. Divizioni arriti deri në Vishegrad në ndjekje të forcave gjermane. Bie në kontakt me zëvendëskomisarin e BR VIII (divizioni VI S), Hasan Selenicën. Më 11 maj 1945, në Ferizaj, zëvendëskomisari i divizionit, Njazi Islami, drejtoi një mbledhje-gjyq, ku e akuzojnë si agjitator kundër Luftës Nacional-çlirimtare. Hasan Selenica në rolin e prokurorit kërkoi dënimin e tij me vdekje. U arratis një natë para pushkatimit dhe pas një shtegtimi të mundimshëm prej dy javësh kaloi kufirin nga Kolonja në Greqi. Jetoi në Devon të Anglisë, në Greqi dhe në Gjermani, ku u përfshi në radhët e Vullnetarëve të lirisë (Mynih, Kompania 4000) duke kapërcyer disa herë kufirin e Shqipërisë në vitet ’50 me misionet antikomuniste. AQU, Divizioni VI S. Nr. 32 /1; gazeta “Metropol”, 14 tetor 2013, f. 18-19

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]