(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Veprimtar politik. Lindi në Korçë, më 20 mars të vitit 1899. Studimet e mesme i kreu në liceun francez të Selanikut, kurse të lartat për jurisprudencë në Paris. Në vitin 1924 drejtoi periodiken «Bashkimi». Pas Revolucionit të Qershorit, qe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Fan Nolit. Me rrëzimin e Qeverisë Noli, u largua në Bashkimin Sovjetik, ku u anëtarësua në seksionin shqiptar të Kominternit. Mes viteve 1924-1939 shkroi artikuj të ndryshëm për gazetën «Çlirimi nacional», të drejtuar prej tij, Fan Nolit, Halim Xhelos etj. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, u kthye në Korçë, ku iu përkushtua propagandës antifashiste. Por shumë shpejt u arrestua nga kuestura italiane e Tiranës dhe u deportua në Ventotene, si një kundërshtar i rrezikshëm. Pas kapitullimit të Italisë, u kthye në Shqipëri. Por në shtator të vitit 1944 u kap nga partizanët në Kolosian të Kukësit dhe, pasi u torturua mizorisht, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës si “trockist” e «renegat». Më 20 maj 1994, me vendimin nr. 918, Gjykata e Rrethit të Korçës vendosi njohjen e faktit të pushkatimit të tij pa gjyq nga forcat komuniste, më 30 shtator të vitit 1944. F. 1, Viti 2013, D. 9, F. 199.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit