(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Poet, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Tiranë, më 15 dhjetor të vitit 1922. Mësimet fillore i kreu në Vlorë, ndërsa të mesmet në Liceun e Tiranës. U regjistrua në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Letërsisë, por u detyrua t’i ndërpresë studimet. Me pseudonimin Liu i Cakut zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare e publicistike në revistat «Tomori», «Njeriu», «Bleta», «Kultura Islame», «Vatra», «Drini», «Revista Letrare» etj. Pas luftës punoi si redaktor i gazetës «Bashkimi» nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1946, kur u arrestua si «armik i popullit». Pas lirimit nga burgu punoi për disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete. Por shumë shpejt u quajt i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë, ndaj u hoq nga arsimi dhe u deturua të punojë si punëtor krahu deri në vitin 1974. Vepra: «Albumi i një bojaxhiu» (tregime, Tiranë, 1960; Prishtinë, 1971), «Shalli i kuq», «Gremina e dashunis» (Prishtinë, 1968), «Muhabet tirançe me Liun e Cakut» (Tiranë, 1997). Përkthime: «Një mijë e një net» (në tre vëllime, Tiranë 1998), Pirandelo «Jeta lakuriq» (novela), Eduardo de Filipo, «Filumena Marturano» (drama).
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit