LULI s. j. Atë Anton

LULI s. j. Atë Anton
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. Lindi më 15 qershor (a 17 korrik) të vitit 1910, në Lohe të Shkodrës. Më 1924 filloi Seminarin Papnor në Shkodër. Më 26 shtator 1929 hyri në Shoqërinë e Jezuit. Dy vitet e rishtarisë i kreu në Goricje. Aty kreu dhe liceun e studimet filozofike (1936). U kthye në Shkodër dhe në Seminar dha gjuhë italiane, gjuhë shqipe, histori e gjeografi. Pas tri vitesh mësuesie, njërin prej të cilëve në Tiranë, eprorët e dërguan për të kryer teologjinë në Shtëpinë e Shën Antonit në Kieri, afër Torinos, ku dhe u shugurua meshtar më 13 maj 1942. Për arsye shëndetësore, vitin e fundit të teologjisë e kreu në Goricje. Në gusht 1943 u kthye përfundimisht në Shkodër. U emërua zëvendës-rektor i Kolegjit të Shën Françesk Saverit në vend të Xhulio Andreinit, i cili qe fshehur në mal, sepse kishte qenë kapelan ushtarak i trupave italiane në Shkodër. Në janar 1946, Imzot Frano Gjini [shih] e emëroi rektor të Kolegjit Saverian dhe të Seminarit Papnor. Pas mbylljes së tyre, u caktua famullitar në famullinë e Shkrelit. U arrestua më 19 dhjetor 1947 për agjitacion e propagandë. Në pritje të procesit gjyqësor, u mbajt për tetë muaj e gjysmë në burgun e Koplikut. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në nëntor të vitit 1948 në Shkodër, u dënua me shtatë vjet punë të detyruar. Pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në kampin e punës në Beden të Kavajës. Prej këtu, pas gjashtë vitesh u transferua në burgun e Burrelit, prej nga u lirua më 20 tetor 1954. Iu lejua të shërbente sërish, ndaj më 15 maj 1955 u caktua në Shënkoll të Lezhës, ku shërbeu deri më 6 dhjetor 1966, kur kisha u mbyll e u përdor si «sallë kulture». Kisha e tij ishte e para që mbyllej në Shqipëri. Për dhjetë muaj ndenji tek i vëllai në Lohe, ku punoi në koperativë me bashkëfshatarët e tij. Më 30 prill 1979 u arrestua për të dytën herë. Në pritje të gjyqit, u mbajt për nëntë muaj në burgun e sigurimit në Shkodër. Më 6 nëntor 1979 u dënua me vdekje, me pushkatim, por pas dy ditësh dënimi iu kthye në njëzetë e pesë vjet heqje lirie e pesë vjet internim. Dënimin e filloi në kampin e Ballshit, ku qëndroi për katër vjet. Pas Ballshit, u transferua në kampin e Shënkollit në Lezhë e prej këtu, pas katër muajsh, në Përparim të Sarandës, ku u mbajt për dy vjet. U lirua më 15 prill 1989. Meshën e parë e tha në varrezat e Bushatit, më 25 nëntor 1990. Pastaj u kthye vullnetarisht në famullinë ku kish shërbyer herën e fundit, pra në Shënkoll të Lezhës. Vdiq më 9 mars 1998, në Romë. Cesare Giraudo, Atë Anton Lulin S.J. ne e dinim martir…, “Gjergj Fishta”, Lezhë, pa datë botimi.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]