(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Publicist, botues, Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, veprimtar i Ballit Kombëtar. Lindi në vitin 1888, në Gjirokastër. U shkollua në vendlindje dhe në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore «Mülkiye-i-Sehahané» në Stamboll, për Shkenca Politike-Administrative. Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër andartëve grekë në Shqipërinë e Jugut. Më 1915 vajti në SHBA, ku u zgjodh drejtor i gazetës «Dielli» të shoqatës pan-shqiptare «Vatra». Më 1919 u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, më 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, «Shekulli». Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit, u vendos në Bari, ku qëndroi deri më 1939, kur u kthye në Tiranë. Më 1942 u bë anëtar i organizatës Balli Kombëtar. Një vit më vonë u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës (5 nëntor 1943-16 qershor 1944). U arrestua në vitin 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me vdekje si «kriminel lufte». U ekzekutua të nesërmen në një hendek te Kodra e Priftit në Tiranë. E. Merlika, Mustafa Kruja në historinë shqiptare, OMSCA-1, 2012; 3. Ligjvënësit Shqiptarë 1920- 2005, përgatiti Diana Estrefi, Republika e Shqipërisë, Kuvendi, Tiranë 2005; R. Vandeleur, Albanian treason trials – (known as war criminal trials): March-April 1945; D. Kaloçi, Rrëfimi i ish-zv. ministrit Nexhmi Ballka, në «Gazeta Shqiptare»; D. Kaloçi, Burgu i Tiranës: Ja misteret e tij në vitin 1945: Dëshmia e Xhemal Alihmehmetit, në «Gazeta Shqiptare», 19 prill, 2001, f. 12-13.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit