PRISHTA (pagria) Shenjtëria e Tij Dede Kamber Ali

PRISHTA (pagria) Shenjtëria e Tij Dede Kamber Ali
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë bektashian, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Lindi në vitin 1879, në fshatin Pagri të nënprefekturës së Përmetit. Në moshën 18 vjeçare mori dorë në teqenë e famshme të Frashërit, ku shërbeu për 29 vjet. Më 1911 vajti në qendrën bektashiane, në Haxhi Bektash, në Anadoll. U kthye sërish në teqenë e Frashërit, dhe më 1914 u dërgua si përfaqësues i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi një aktivitet të dendur patriotik. Pesë vjet më vonë, më 1919, u kthye në Shqipëri, duke i dorëzuar Teqesë së Frashërit, të djegur nga grekët, të gjitha dhuratat që i kishin dhënë në SHBA besnikët bektashianë. I graduar nga Baba Ahmet Turani, më 1921 u dërgua në Teqenë e Prishtës në Skrapar, të djegur poashtu më 1914. Më 17 janar 1921, bashkë me Baba Ahmet Turanin dhe dervish Ali Tomorrin (Turabiun), organizoi dhe kryesoi Kongresin e Parë Bektashian, ku u vendos mëvetësia e bektashizmit shqiptar. Më 1929 kryesoi dhe Kongresin e Tretë Bektashian, që u mblodh në Teqenë e Turanit të Korçës. Pas vdekjes së Dede Ali Rizait, më 5 mars 1944 u zgjodh Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. U arrestua në dhjetor të po atij viti dhe u dënohet me burgim të përjetshëm. Vdiq në spitalin e burgut të Tiranës, më 1950. Sot eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Xhafer Sadiku, Skenarë të përgjakur (Përmeti, 1934-1990), ISKK, Tiranë 2016, f. 379-381.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]