Paraliza kriptogjenike periferike e nervit facial – Paraliza e bellit

Paraliza kriptogjenike periferike e nervit facial – Paraliza e bellit
(Term neurologjik – Mjekësia)

Paraliza e Bellit përbën ¾ e gjitha paralizave faciale dhe ka një incidenceë vjetore prej 25 në 100.000 banor. Shkaktari është i panjohur, por mendohet të jetë një infeksion viral. Edema e trungut të nervit facial në pjesët e ngushta të kanalit facial shpien në iskemi lokale kompresive e cila formon një edemë edhe më të madhe (vicious circle – qarku viscioz). Pra kemi të bëjmë me një ndërprerje lokale të qarkullimit të gjakut në nervin facial përmes vasa nervorum dhe kështu një ekstenzion të lëndimit iskemik që shpesh përfundon me axonotmesis total. Shenja më prominente është dobësia muskulare e muskujve të mimikës, e cila zakonisht është komplete. Gjithashtu kemi një çrregullim në shije në 2/3 e përparme të gjuhës në anën e afektuar. Shija e idhët është e ruajtur pasi që receptorët janë në mukozën e 1/3 të pasme të gjuhës që inervohet nga n. glossopharyneus. Lakrimacioni dhe salivacioni pamundësohen ipsilateralisht. Shumë rrallë paraqitet dysacusis ose hyperacusis si pasojë e deinervimit të m. stapedius. Tek 80% e pacientëve brenda 6 javëve tërhiqen të gjitha shenjat. Pacientët tjerë janë ata tek të cilët muskulatura faciale ka qenë totalisht e deinervuar dhe për ata përmirësimi mund të zgjatë deri në 6 muaj. Manifestimet reziduale shpesh përfshijnë dobësi parciale faciale ose lëvizje patologjike shoqëruese si pasojë e regjenerimit në zona të gabuara të aksoneve.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]