Ptoza
(Term neurologjik – Mjekësia)

Ptoza është prezente kur palpebra e sipërme mbulon kufirin e sipërm të pupillës. Shkaqet e ptozës mund të jenë miogjenike, neurogjenike dhe mekanike. Palpebra elevohet kryesisht nga veprimi i m.levator palpebrae, i cili inervohet nga n.oculomotor. Paraliza e këtij muskuli shkakton ptozë, e cila bëhet më evidente gjatë shikimit lartë. Palpebra mbahet lartë edhe nga m.tarsal superior që inervohet nga simpatikusi. Pra ptoza mund të shkaktohet nga lezionet në n.oculomotor ose të inervimit simpatik të syrit. Ndër faktorët mekanik bëjnë pjesë defektet e indit lidhor, ndryshimet lokale në orbitë ose mikroftalmia. Disa sëmundje muskulare si oftalmoplegjia progresive e jashtme dhe distrofia miotonike Steinert gjithashtu shkaktojnë ptozë, pastaj çrregullimet e transmisionit neuromuskular si miastenia gravis dhe botulizmi. Shkaqet e ptozës neurogjenike munden me qenë si pasojë e humbjës së inervimit si lezionet në n.oculomotor, infarkti i trurit të mesëm, lezionet kortikale, lezionet simpatike (qëndrore ose periferike) ose mund të jenë si pasojë e inervimit tepër të shtuar si blepharospasma, regjenerimi i gabueshem pas paralizës faciale ose spazma hemifaciale.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]