Sulmet e gjeneralizuara Toniko – Klonike Grand – Mal

Sulmet e gjeneralizuara Toniko – Klonike Grand – Mal
(Term neurologjik – Mjekësia)

Sulmet Grand-Mal fillojnë pa paralajmërim apo aurë, mirëpo nganjëherë pacienti mund ta ndjejë se do të ketë një sulm nga disa fenomene subjektive – një prodromë. Ai mund të jetë për disa orë apatik, depresiv ose i irituar, ose në disa raste shumë të rralla ekstazik. Faza tonike: Pacienti humbë vetëdijen dhe papritmas shtanget, pasi të gjithë muskujt hyjnë në fazë të kontrakcioneve të qëndrueshme tonike. Ekstremitetet dhe qafa zakonisht ekstendohen. Pacienti bie/rrëzohet i shtangur, pa bërë asnjë tentim për ta ndalur këtë. Pastaj, ai lëshon një klithmë të madhe si pasojë e nxjerrjes jashtë të ajrit përmes kordeve vokale të ngushtuara. Ai nuk merr frymë dhe bëhet cianotik. Faza tonike është e shkurtër, zakonisht zgjatë vetëm disa sekonda (10-20 sekonda), kështu që observuesit vërejnë vetëm shtangimin e trupit, rrëzimin dhe klithmën para se të fillojë faza klonike. Faza klonike: Fillojnë dridhje të disorganizuara duke përfshirë të gjithë muskujt. Këto lëvizje konvulzive janë të paqëllimshme, të pakoordinuara dhe të paparashikueshme. Gjuha mund të kafshohet pasi që nofulla mbyllet. Inkontinenca urinare është shumë e shpeshtë. Frymëmarrja fillon në mënyrë të çrregullt, është e zhurmëshme dhe e pamjaftueshme, kështu që cianoza perziston. Pështyma mblidhet në gojë, ndërsa nga goja del shkumë e përzier me gjak si pasojë e kafshimit të gjuhës. Pacienti mbetet i pavetëdijshëm. Faza klonike zgjatë 1-2 minuta, por mund të jetë më e shkurtër apo shumë më e gjatë. Faza e komës: Pasi që të kenë mbaruar lëvizjet konvulzive, pacienti bie në komë. Frymëmarrja bëhet e rregullt dhe e koordinuar, cianoza largohet. Periudha në të cilën pacienti qëndron në komë varet nga kohëzgjatja e fazave tonike dhe klonike dhe zakonisht është disa minuta. Pas kësaj vjen një fazë e konfuzionit, kokëdhembjes, lodhjes dhe përgjumësisë. Kjo mund të zgjasë me orë të tëra. Për 1 ose 2 ditë pacienti mund të ndihet i ngadalshëm mentalisht dhe të ketë dhimbje në ekstremitete bashkë me një gjuhë të vrarë. Ky është përshkrimi i një ataku të rëndë. Ata mund të mos jenë kaq të gjatë dhe dërrmues. Fazat tonike dhe klonike mund te mbarojnë pas 1 minuti. Gjatë një ataku epileptik toniko-klonik, frekuenca cerebrale e metabolizmit rritet dhe bashkë me të konsumi i oksigjenit, ndërsa respiracioni është insuficient me oksigjenim të reduktuar të gjakut. Truri duhet të metabolizojë glukozën në mënyrë anaerobe, kështu që ka një tendencë për akumulim të acidit laktik dhe piruvik në tru gjatë një sulmi të zgjatur. Ky insult hipoksik me acidozë është shkaktari i komës postepileptike dhe konfuzionit.

Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia

[cite]