(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Inxhinier gjeolog, drejtor i Institutit Gjeologjik të Naftës e Gazit (janar 1971- mars 1975). Lindi më 7 prill të vitit 1927 në, Shkodër. Kreu studimet për inxhinieri gjeologjie në Bashikimin Sovjetik. Nga janari i vitit 1971 deri në mars 1975 ishte drejtor i Institutit Gjeologjik të Naftës e Gazit. U arrestua në 25 mars të po atij viti. Një vit më vonë, më 17 qershor 1976, Gjykata e Lartë e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e të gjitha dekoratave, si sabotator në «grupin e naftës». U riarrestua më 21 shkurt të vitit 1979, si anëtar i një organizate të paqenë, që u pagëzua «Revizioniste e majtë», e cila, sipas akuzës, ishte krijuar «për të kryer krime kundër shtetit…». Gjyqi ndaj tij dhe nëntë të dënuarve të tjerë, Fadil Kokomanit [shih], Vangjel Lezhos [shih], Xhaferr Xhomos [shih], Muho Balës [shih], Fatos Lubonjës [shih], Nuredin Skraparit [shih], Robert Vullkanit [shih] dhe Petrit Orietit [shih], filloi më 9 maj të vitit 1979. Dhe nëntë ditë më vonë, më 18 maj 1979, Gjykata e Lartë e dënoi me 23 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë. AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 371; Fatos Lubonja, Ridënimi, Tiranë, 2007, II, XIX, f. 120; III, XXVI, f. 176-177; III, XXXIII, f. 235; III, XXXV, f. 264-265; Shpëtim Koli, Grupi i «sabotatorëve» të naftës, në «Mapo», E mërkurë, 31 gusht 2011, f. 18-19.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit