(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Veprimtar politik, Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Vlora, Ministër i Financave (1927-1940), Ministër Shteti (1940), Guvernator i Kosovës (1940-1942), deputet. Lindi në qytetin e Gjirokastrës, më 22 shtator të vitit 1876. U diplomua në shkollën «Mylkije» në Stamboll për diplomaci, financë dhe administratë. Shërbeu në administratën e Perandorisë Osmane, si zv. Guvernator në Liban, kajmekam në Libi, Anadoll dhe në Prizren, si prefekt i Prishtinës gjatë Luftërave Ballkanike dhe si vali në Shkup. Me kërkesë të Ismail Qemalit u kthye në Shqipëri, ku u emërua prefekt i Beratit dhe më vonë sekretar i përgjithshëm i Qeverisë Vlora. Pak më vonë u emërua Ministër i Punëve të Brendshme të saj. Në vitet 1916-1918 qe drejtor i financave për territorin nën administrimin e Austro- Hungarisë. Më 1927 u zgjodh Ministër i Financave dhe deputet i Gjirokastrës. Këtë post e mbajti edhe në kohën e qeverisë së Shefqet Vërlacit. Paraqiti dorëheqjen më 5 prill 1940. Po këtë ditë, me propozimin e kryeministrit Vërlaci dhe me dekret Mëkambësuer, u emërua Ministër Shteti. Në vitet 1940-1942 kreu funksionin e Komisionarit të Lartë apo të Guvernatorit të Kosovës. Me dekret Mëkambësuer të Alberto Parianit, më datë 1 qershor 1943, u emërua anëtar i Këshillit Qendror të Ekonomisë Korporative dhe Kryetar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. U arrestua në nëntor të vitit 1944, bashkë me 16 persona të tjerë, që akuzoheshin «për veprat e tyre armiqësore dhe antipopullore». Në akt-akuzën nominale, thuhej se: «1. Ka qenë në marrëveshje me autoritetet fashiste italiane për okupimin italian të Shqipërisë…; 2. Ka bashkëpunue me okupatorët fashistë italianë edhe mbas zaptimit të vendit; 3. Si anëtarë i qeverisë së parë kuislinge të Shefqet Vërlacit, në dikasterin e financave, ka ndihmue okupatorin për të shtypur popullin…; 4. Ka bashkëpunue me okupatorin në plaçkitjen e pasurisë shtetnore e të popullit…; 5. Asht emnue komisionar i naltë i Kosovës; 6. Në saje të bashkëpunimit politik dhe ekonomik me okupatorin asht pasurue…; 7. Nën okupacionin nazist gjerman ka provokue mbledhje në Parlament për të shpallur indipendencën e Shipërisë nën hijen e bajonetave gjermane; 8. Ka sabotue dhe tradhtue luftën e popullit nën okupacionin gjerman…». Për të gjitha këto akuza, më 14 prill 1945, Gjykata e Lartë e dënoi me vdekje, pushkatim. Një vit më vonë, më 20 shkurt 1946, Komiteti Ekzekutiv i K.N.Ç. të Nënprefekturës së Tiranës, vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Hilë Lushaku, Ministrat e Brendshëm 1912- 2007, vol. 1, Tiranë, 2009, vol. 1, 4, f. 104-115; Gazeta Zyrtare, nr. 21, 29 mars 1946, f. 5-6; Fletorja Zyrtare e Mbretnisë Shqiptare, nr. 61, 17 prill 1940; Kastriot Dervishi, alizoti Fejzi, në «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 57.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit