Anemia makrocitike

A. Njohuri të përgjithshme
1. Përkufizim: anemia është makrocitike kur MCV është mbi 100. Anemia makrocitike njihet edhe si anemi megaloblastike.
2. Shkaktohet nga ngadalësimi i eritropoezës si pasojë e mungesës të metabolitëve të nevojshëm për sintezën e acidit deoksiribonukleik:
a. Mungesa e vitaminës B12…
b. … dhe mungesa e acidit folik.
3. Qelizat e gjakut janë të mëdha sepse këto janë qeliza që, për shkak të mungesës të DNA-së, s’i kanë bërë dot ndarjet mitotike. Citoplazma, sinteza e RNA-së dhe e proteinave është normale.
4. Tipar tjetër është prania e neutrofileve me shumë segmente (angl: hypersegmented neutrophils). Prania e neutrofileve me shumë segmente (mbi 5, 6) është patognomonike.B. Mungesa e vitaminës B12
1. Vitamina B12 është e nevojshme për funksionimin e 2 enzimave:
a. Njëra enzimë është metioninë sintetaza, e cila merr nje grup metil nga N5-metil-tetrahidrofolati dhe ia jep homocisteinës. Mungesa e aktivitetit të metioninë sintetazës bën që gjithë acidi folik të ngecet në formën e N5-metil-tetrahidrofolatit. Mungesa e N5,10-metilen-tetrahidrofolatit pengon sintezën e timidinës.
b. Enzima tjetër është metil-malonil-CoA-mutaza, e cila kthen metil-malonil-CoA-në në suksinil-CoA. Mungesa e aktivitetit të metil-malonil-CoA-mutazës shkakton grumbullim të acideve yndyrore jonormale, të cilat mendohet se shkaktojnë probleme të mielinës të nervave.
2. Burimi dhe thithja e vitaminës B12:
a. Vitamina B12 gjendet në ushqimet me origjinë shtazore. Trupi i njeriut ka nevojë për 2 – 3 mg në ditë, dhe normalisht trupi ka rezerva që mund të zgjasin me vite.
b. Pepsina e stomakut e çliron vitaminën B12 nga proteinat me të cilat është e lidhur. Vitamina B12 pastaj lidhet me kobalofilinat e pështymës (angl:cobalophilin, R-binder).
c. Më pas, në duoden enzimat pankreatike çlirojnë vitaminën B12 nga kobalofilinat; në duoden vitamina B12 lidhet me faktorin intrinsik të prodhuar nga qelizat parietale të stomakut.
d. Kompleksi vitaminë B12 + faktor intrinsik pastaj arrin pjesën e fundit të ileumit. Atje ka receptorë të posaçëm për faktorin intrinsik, me anë të të cilëve bëhet i mundur kalimi i vitaminës B12 brenda qelizave intestinale.
3. Shkaqet e mungesës të vitaminës B12 janë të parashikueshme nga më sipër.
a. Shkaku numër 1 i anemisë megaloblastike është anemia pernicioze; anemia pernicioze është sëmundje autoimune që shkaktohet nga goditja e qelizave parietale prej sistemit imun; karakterizohet nga anemia megaloblastike, aklorhidria, dhe gastriti atrofik.
b. Gastrektomia.
c. Mungesa e vitaminës B12 nga dieta.
d. Pamjaftueshmëria e pankreasit.
e. Sëmundjet e zorrëve, ileiti dhe operacionet kirurgjike me heqje të pjesës të fundit të ileumit.
f. Infeksioni nga trematodi Diphyllobothrium latum. Krimbi thith vitaminën B12 për nevojat e veta.
3. Shenjat dhe simptomat: anemi megaloblastike dhe simptoma neurologjike (neuropati periferike, parestezi, ulje e propriocepsionit).
4. Analizat laboratorike:
a. Vihet re rritje e nivelit të acidit metilmalonik dhe të homocisteinës.
b. Në aneminë pernicioze vihen re antritrupa drejtuar kundër faktorit intrinsik, si dhe mosthithje e vitaminës B12 orale (testi Schilling).
5. Trajtimi: vitaminë B12.

C. Mungesa e acidit folik
1. Anemia nga mungesa e acidit folik ngjan me aneminë nga mungesa e vitaminës B12, por ndryshe nga mungesa e vitaminës B12, mungesa e acidit folik nuk shkakton probleme neurologjike.
2. Trupi i njeriut ka nevojë për 50-200 mg acid folik në ditë. Rezervat mjaftojnë për disa muaj.
3. Pamjaftueshmëria e acidit folik është pasojë e dietës të keqe, e mosthithjes të ushqimeve nga zorra, e kërkesave të rritura të organizmit (p.sh., shtatzania), ose e përdorimit të inhibitorëve të dihidrofolat reduktazës.
4. Shenjat dhe simptomat: anemi megaloblastike pa simptoma neurologjike.
5. Analizat laboratorike: niveli i acidit metilamalonik është normal, kurse niveli i homocisteinës është i rritur.
6. Trajtimi:
a. Acid folik. Ushqime të pasura me acid folik janë bimët e gjelbra si spinaqi, sallata jeshile, brokoli, etj.
b. Duhet të jesh i sigurt se nuk ka mungesë të vitaminës B12.

Mjekësi e përgjithshme

[cite]