(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Gazetar, diplomat (1929-1939), Ministër i Punëve të Jashtme (21 tetor 1935-7 nëntor 1936). Lindi në vitit 1897, në Bejrut të Libanit, në një familje shqiptare që kish nxjerrë disa funksionarë të lartë të Perandorisë Osmane. U diplomua për Jurispridencë në Universitetin e Vjenës. Është një nga themeluesit dhe kryetari i parë i shoqërisë studentore «Albania», që u themelua në Vjenë, më 10 mars të vitit 1918, dhe redaktor përgjegjës i organit të shoqërisë, revistës «Dialëria» (për katër numra të vitit 1922). Bashkëpunoi dhe me gazetën «Liria kombëtare». Në vitin 1929 hyri në shërbimin diplomatik shqiptar. Përfaqësoi vendin në Sofje, Londër (1934- 1935) dhe në Lidhjen e Kombeve. Nga 21 tetori i vitit 1935 deri më 7 nëntor 1936 ushtroi funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri. Më 1946 u dëbua familjarisht nga Tirana dhe u vendos në qytetin e Elbasanit. Më 5 janar 1952, Gjykata e Lartë Ushtarake e deklaroi fajtor për «krimin e agjitacionit e propagandës» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 3 vjet kohë. Vdiq në vitin 1981, në Elbasan. Skënder Luarasi, Shoqëria «Albania» dhe organi i saj «Dialëria»; Enver Memisha, Masakra komuniste: arrestime, burgime, ekzekutime e internime mbi inteligjencien shqiptare, në «55», 25 shkurt 2009, f. 17; Agim Musta, Libri i zi i komunizmit shqiptar, Tiranë, 2007, XXV, f. 318; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 735.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit