ASLLANI Suat
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Jurist, një nga figurat kryesore të «Bashkimit Demokrat Shqiptar». Lindi më 21 mars të vitit 1903, në fshatin Nepravishtë e Sipërme të Libohovës. Studimet e mesme i kreu në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë në Kalabri, kurse të lartat në Fakultetin e Drejtësisë në Napoli. Mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Më 1942 u internua për pikëpamjet e tij antifashiste. Pas mbarimit të luftës, është një nga avokatët mbrojtës në të parin Gjyqin Special të 1945-ës. U arrestua në janar të vitit 1946, së bashku me Gjergj Kokoshin [shih] dhe Musine Kokalarin [shih]. U dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Më 31 korrik të vitit 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Libohovës, vendosi sekuestrimin e pasurisë së tij private. U lirua në vitin 1960. Pas lirimit nga burgu u internua, ku dhe vdiq në mjerim të plotë. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, I, III, f. 83; Gazeta Zyrtare, nr. 14, 20 shkurt 1947, f. 3.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]