BAKALLI Hafiz Ymer
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë musliman, mësues. Lindi më 10 maj të vitit 1870, në një familje të madhe në lagjen «Rus i Vogël» të qytetit të Shkodrës. Ishte njëri prej gjashtë fëmijëve të familjes së Ethem Bakallit. Arsimin fillor e kreu në shkollën Ruzhdije në Fushë Çelë. Të mesmen fetare e filloi në Stamboll më 1889. Pas mbarimit të saj, u regjistrua në fakultetin e teologjisë, të cilin e mbaroi në vitin 1903. Aty mori dhe titullin «Hafiz». Pas kësaj, po në Universitetin e Stambollit, kreu edhe Fakultetin e Filozofisë, Logjikës dhe të Psikologjisë. U punësua në Stamboll, ku shtypi e cilësonte si një prej interpretuesve më të shkëlqyer të legjislacionit islam. Pas mbarimit të shkollës së lartë ushtarake, shërbeu si Allajmyfti i një regjimenti ushtarak me gradën major. Pasi u plagos në luftime, rrugës për në spital, u zu rob nga forcat angleze. U internua në Pakistan dhe në Java të Indonezisë. Pas shumë mundimesh, më 1918 arriti të kthehet në Shkodër. Pas kthimit, u aktivizua në jetën qytetare dhe politike. Ky aktivitet arriti kulmin me pjesëmarrjen në radhët e forcave për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët dhe në mobilizimin e qytetarëve në luftën e Koplikut. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, por me ndërhyrjen e autoriteteve fetare dhe qytetare pranë qeverisë së Ahmet Zogut, u la i lirë. Aktiv si gjithnjë, deri në vitin 1929 iu përkushtua tërësisht thirrjes islame, si mësues i Medresesë në Shkodër. Më vonë u emërua vaiz (predikues) në xhamin e Rusit të vogël dhe Imam në xhaminë e Fushë Çelës. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore porosiste besimtarët dhe bashkëqytetarët e tij që të ruheshin nga Komunizmi, i cili do të shkatërronte fenë, moralin dhe jetën. Dhe këtë komunistët nuk ia falën. Pas shumë përpjekjesh e gjetën dhe shkakun: arratisjen e të birit. Në vitin 1951 e arrestuan dhe e internua në Tepelenë. Por meqenëse ishte 81 vjeç, i sëmurë dhe fare i parrezikshëm, pas pak kohësh u la i lirë. Vdiq më 2 maj të vitit 1953. 100 personalitete shqiptare të kulturës islame: shekulli XIX-XX, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012, f. 292-293.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]