(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Inxhinier. Lindi në fshatin Velçë të Vlorës, më 23 shkurt të vitit 1916, në familjen e patriotit të shquar Ali Beqiri. Filloren e mbaroi në vendlindje, kurse të mesmen në Tekniken e Tiranës (1927-1932). Pas mbylljes së shkollave të huaja në Shqipëri (1932), studimet e mesme i vazhdoi në Vjenë. Në vitet 1936- 1940 është student në Universitetin Teknik të Vjenës, të cilin e mbaron me Yll të Artë: studimet që zgjasnin 5 vjet, ai i kreu me rezultate të shkëlqyera për 4 vjet. Iu bë ftesë të qëndronte si asistent pedagog në Universitet, apo të punonte në një firmë austriake me seli në Venecie, por ai i refuzoi të dyja ofertat dhe në verë të vitit 1940 u kthye në atdhe. U emërua kryetar i Zyrës së Punëve Botore në Vlorë e, më vonë, në Prizren. Gjatë gjithë periudhës së luftës ndërtoi dhe meremetoi, për aq sa i lejonin rrethanat, rrugë, ura e ndërtesa të tjera publike. Mori pjesë në organizatën e «Ballit Kombëtar», duke shpresuar se idealet e tyre properëndimore do të fitonin, por doli i zhgënjyer nga lufta. E, megjithatë, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, edhe pse iu bë i qartë rreziku që i kanosej atij dhe familjes së tij. Pas luftës u emërua kryeinxhinier në ndërtimin e Urës së Rrogozhinës. Është autor dhe bashkëautor i ndërtimit dhe i meremetimit të të gjithë veprave të mëdha mes viteve 1944 e 1946. Në korrik 1946 u emërua drejtor i Kantierit të tharjes së Kënetës së Maliqit. Projektit të inxhinierit italian Omodeo, inxhinierit hidrologjik më të madh të shekullit XX, i bëri modifikimet e nevojshme dhe mbi bazën e këtij projekti këneta u tha, pa çka se ideatori i projektit u quajt sabotator e armik dhe e pagoi me jeten e tij. Më 22 nëntor 1946 u dënua me varje në litar, dhe kur litari u këput, prokurori Nevzat Haznedari nxitoi dhe e vari sërish. H. Gonxhja, I. Gogaj, Sh. Bumçi, Ndihmesa e ish nxënësve dhe mësuesve të Shkollës Teknike të Tiranës për zhvillimin e vendit dhe luftën për çlirim e demokraci, Tiranë, 2006, vii, f. 240-243.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit