Buka e Egjiptit

Delta më e famshme në botë është delta e lumit Nil, ujërat e të cilit, pas një udhëtimi prej 6.500 kilometrash nga Uganda drejt veriut, derdhen në detin Mesdhe. Mbi tokat e deltës së tij dhe mbi brigjet e tij në Egjiptin e Poshtëm, Nili ka derdhur me bollëk materiale të ndryshme si minerale dhe mbeturina organike, për mijëra vjet. Pikërisht kjo tokë, që u bë pjellore në saje të materialeve të sjella nga lumi, si edhe klima e butë e vendit e bënë të mundur lulëzimin e qytetërimit te Egjiptit të lashtë. Historiani i famshëm grek Erodoti vizitoi Egjiptin në shekullin e pestë para erës së re. I joshur nga kjo tokë që njihte që prej njëzet shekujsh një qytetërim të ndritur, ai eksploroi deltën e Nilit, studioi shenjat e përmbytjeve të përvitshme, duke i lënë pas me zbulimet e tij priftërinjtë egjiptianë, që përfaqësonin dijetarët e vendit. Në «Tregimet» e tij, Erodoti shpreh mendimin se, sipas llogaritjeve, formimi i deltës ka vazhduar nga dhjetë deri në njëzet mijë vjet. Këto supozime të tij qenë me të vërtetë të jashtëzakonshme për atë periudhë të historisë, në të cilën pjesa më e madhe e studiuesve mbështetnin hipotezën se mosha e botës ishte të shumtën disa mijëra vjet.

Në dhjetë shekujt e fundit zona bregdetare e Egjiptit është ulur në mënyrë të dukshme dhe një pjesë e deltës së vjetër është mbuluar nga deti. Megjithatë, ekziston akoma një rrafshirë e pamasë deltike mjaft e kultivueshme, pjellore, e përshkuar nga kanale ujitëse, që shtrihen nga bregdetet e Mesdheut e deri në jug të Kajros. Mbi deltë dhe gjatë brigjeve të lumit jeton pjesa më e madhe e njëzet milionë banorëve që popullojnë Egjiptin.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]