(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi në Shkodër, më 25 mars të vitit 1929. Ishte anëtar i organizatës antikomuniste të studentëve shkodranë «Përpjekja Shqiptare». U arrestua më 20 janar të vitit 1948, një ditë pasi e kishin përjashtuar nga «Organizata e Rinisë». Më 24 qershor 1949, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 7 vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe heqjen e së drejtës elektorale për 2 vjet kohë për «krime kundër shtetit». U lirua më 23 shtator 1954 për plotësim afati. Pas burgut punoi si punëtor krahu dhe më vonë si teknik në Krujë. Kreu me korrespondencë fakultetin në degën Gjuhë-Letërsi. Në vitin 1991 u kthye në Shkodër. Nga viti 1992 deri më 1996 ishte kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Vepra: «Në gjurmët e nji ditari: Shkodra në tri vitet e saj të parë nën komunizëm: Në Sigurim ndër burgje e kampe» (kujtime, 2001; ribotimi i plotësuar «Në gjurmët e nji ditari: Shkodra në vitet e para nën komunizëm», doli më 2007). Ahmet Bushati, Në gjurmët e nji ditari: Shkodra në vitet e para nën komunizëm, Shkodër, 2007; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 218.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit